Të paktën tre persona janë vrarë dhe shtatë u plagosën nga një sulm ajror izraelit në periferi të Bejrutit herët të martën, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sulmi sfidon seriozisht armëpushimin katërmujor midis Izraelit dhe Hezbollahut. Ushtria izraelite përmes një deklarate pranoi se ka sulmuar një militant të Hezbollahut i cili kohët e fundit kishte drejtuar operativët e Hamasit dhe u kishte ndihmuar.
Sulmi ndodhi disa ditë pas sulmit të mëparshëm nga Izraeli në periferi të kryeqytetit libanez, një bastion i Hezbollahut, i njohur si Dahiyeh. Marrëveshja e armëpushimit e nëntorit të kaluar ndaloi konfliktin njëvjeçar. Ajo përfshinte pikat që Libani jugor të jetë i lirë nga luftëtarët dhe armët e Hezbollahut, dhe trupat libaneze të vendosen në zonë dhe që trupat tokësore izraelite të tërhiqen nga Libani. Por secila palë akuzon tjetrën se nuk i përmbush plotësisht këto kushte.
Presidenti libanez Joseph Aoun dënoi sulmin e fundit ajror izraelit, duke e quajtur paralajmërim të rrezikshëm “që sinjalizon qëllime të paramenduara kundër Libanit”.
Aoun tha se “agresioni në rritje i Izraelit” kërkon që Libani të intensifikojë shtrirjen diplomatike dhe të mobilizojë aleatët ndërkombëtarë në mbështetje të sovranitetit të plotë të vendit.
Kryeministri libanez, Nawaf Salam, gjithashtu dënoi sulmin izraelit dhe tha se ishte një shkelje flagrante e Rezolutës 1701 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe marrëveshjes së armëpushimit.
Sulmi duket se ka dëmtuar tri katet e sipërme të një ndërtese në periferinë jugore të Bejrutit. Xhami në katet më poshtë ishte i paprekur, duke treguar një goditje precize. Ambulancat kanë shkuar në vendngjarje.
Nuk kishte asnjë paralajmërim evakuimi për zonën përpara sulmit.
Armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-ja është bërë gjithnjë e më i dobët kohët e fundit. Izraeli vonoi tërheqjen e premtuar të trupave në janar sepse ishte sulmuar me raketa të lëshuara nga Libani në mars. Në shenjë hakmarrjeje Izraeli bombardoi objektivat në jug të Bejrutit dhe Libanin jugor.
Hezbollahu, i cili mbështetet nga Irani, ka mohuar çdo përfshirje në lëshimet me raketa.
Departamenti Amerikan i Shtetit të martën deklaroi se Izraeli po mbrohej nga sulmet me raketa që vinin nga Libani dhe Washingtoni fajësoi “terroristët” për rifillimin e armiqësive.
“Armiqësitë kanë rifilluar sepse terroristët lëshuan raketa në Izrael nga Libani”, ka deklaruar një zëdhënës i Departamentit të Shtetit përmes një emaili, duke shtuar se Washingtoni mbështet përgjigjen e Izraelit.
Konflikti izraelito-libanez, nga i cili janë vrarë mijëra njerëz, u ndez nga lufta në Gaza në vitin 2023 kur Hezbollahu filloi të gjuante me raketa pozicionet ushtarake izraelite në mbështetje të Hamasit.
Lufta e Gazës, në të cilën autoritetet palestineze shëndetësore thonë se më shumë se 50,000 njerëz janë vrarë, u ndez kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje, sipas të dhënave izraelite.