CIA, për herë të parë, ka zhvilluar një sondazh të brendshëm, me synimin që të kuptojë shtrirjen e rasteve që lidhen me ngacmimet dhe sulmet seksuale. Bazuar në një ankesë të cilën e posedon CNN-in, një punëtore e re grua, ka pretenduar se një oficer më i lartë ka shkuar në shtëpinë e saj, dhe i ka kërkuar marrëdhënie seksuale nën kërcënimin e armës së zjarrit, e më pas e ka kërcënuar edhe me thikë në ambientet e CIA-s
Gjykatat në Virginian veriore dhe Uashington DC, për më shumë se një vit, kanë dëgjuar në heshtje rastet e sulmeve të supozuara seksuale në CIA, duke ofruar vetëm reagime kalimtare, të asaj që shumë zyrtarë e përshkruajnë si problem kulturor që ka rrënjë të thella në agjencinë e spiunazhit.
Dy raste kanë rezultuar me dënime më të larta në Virginia. Në muajin shtator, një gjykatës në Uashington, DC, i shqiptoi dënim me 30 vjet burgim, një ish-oficeri të CIA-s, i cili pretendohet të ketë droguar dhe sulmuar seksualisht dhjetëra gra.
Në prapaskenë, agjencia e spiunazhit vazhdon të përfshihet edhe nga akuza të tjera, përfshirë një rast, i cili ka rezultuar me shkarkimin e një oficeri, ka mësuar CNN-i.
Së fundmi, një numër i konsiderueshëm i grave që avokojnë për aktivitete të paligjshme, kanë dëshmuar dhe i janë drejtuar, në seanca të mbyllura, komiteteve të mbikëqyrjes së Kongresit, në Capitol Hill, lidhur me akuzat për sulme dhe ngacmime seksuale në CIA.
Në fillim të këtij viti, përmes një raporti prej më shumë se 600 faqesh nga inspektori i përgjithshëm i agjencisë dhe përmes një hetimi nga autoritetet e Kongresit, u gjetën mangësi serioze në mënyrën se si CIA trajtoi ankesat mbi këto raste.
Në përgjigje të lëvizjes dhe kampanjës ndërgjegjësuese #MeToo, përmes së cilës viktimat bëjnë publike përvojat e tyre të ngacmimeve apo sulmeve seksuale, agjencia ka nisur me planifikimin e një sërë reformash gjatë vitit të kaluar.
Këto reforma përfshijnë themelimin e një zyre ku do të adresohen akuzat që lidhen me ngacmimet dhe sulmet seksuale, si dhe angazhimin e autoriteteve të zbatimit të ligjit, të cilat do të lehtësojnë hetimet.
Kjo do ta bëjë më të lehtë për oficerët e CIA-s, që të raportojnë krimet, pa rrezikuar informacionet konfidenciale, përfshirë këtu edhe mbajtjen sekret të identitetit të tyre.
Për më tepër, CIA, për herë të parë, ka zhvilluar një sondazh të brendshëm, me synimin që të kuptojë shtrirjen e rasteve që lidhen me ngacmimet dhe sulmet seksuale.
Sipas rezultateve të sondazhit, të cilat nuk janë bërë publike më parë, del se shkalla e ushtrimit të dhunës seksuale në vendin e punës, në CIA, është pak më e lartë se mesatarja kombëtare dhe shumë më e ulët se ajo në ushtrinë amerikane.
Sipas rezultateve, të cilat u përshkruan për CNN-in nga burime të shumta, përfshirë nga Drejtoresha Operative e CIA-s, Maura Burns, 28% e të anketuarve pranuan se kishin përjetuar të paktën një rast të ngacmimit apo sulmit seksual në mjedisin e punës gjatë kohës sa ishin të punësuar në CIA, ndërsa 9% prej tyre thanë se ishin ballafaquar me të paktën një rast të tillë në 12 muajt e fundit.
Një total prej 7% e të anketuarve kanë raportuar se kanë përjetuar të paktën një rast të kontaktit të padëshiruar seksual ose sulmit gjatë karrierës së tyre në agjenci, me 1% prej tyre që kanë thënë se rasti ka ndodhur vitin e fundit.
Sondazhi nxiti reagime të ndryshme brenda agjencisë. Për disa zyrtarë, ishte dëshmi se CIA, ashtu si qeveria federale në përgjithësi, mund të ketë më pak probleme sot sesa ka pasur në të kaluarën.
Por shumë zyrtarë aktualë të CIA-s që folën me CNN-in në kushte anonimiteti, përfshirë edhe viktimat dhe mbrojtësit e tyre, thonë se përmes këtij sondazhi bëhet e qartë se agjencisë i duhet ende punë për të bërë.
Rezultatet e sondazhit
Megjithëse, bazuar në sondazh, del se me kalimin e viteve, CIA mund të ketë një shkallë ekuivalente të dhunës seksuale në vendin e punës me mesataren kombëtare - 5.6 për qind e grave në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportojnë se kanë përjetuar ngacmim apo sulm seksual në vendin e punës gjatë jetës së tyre – është e vështirë të mbështetemi në gjetjet e tij.
Kjo sepse, fillimisht, pjesëmarrja në sondazh ishte çështje vullnetare dhe vetëm një e katërta e personelit të agjencisë iu përgjigj.
Në përgjithësi, pjesëmarrësit vullnetarë në sondazhe priren të jenë persona që kanë ndjenja të forta lidhur me temën në fjalë, duke shtrembëruar kështu rezultatet.
Por ekspertët thonë se sulmet dhe ngacmimet seksuale janë gjithashtu të nën raportuara historikisht; dhe për shkak se punonjësit që i përgjigjen këtij lloji të sondazhit mund të mos besojnë se anonimiteti i tyre do të respektohet, ata mund të zgjedhin të mos angazhohen, duke anuar kështu potencialisht kah rezultatet më të ulëta se sa janë në realitet, tha Laura Palumbo, drejtoreshë e Komunikimit për Qendrën Kombëtare të Burimeve të Dhunës Seksuale.
Rezultatet po publikohen gjithashtu nga brenda, në kohën kur CIA po përballet me një sërë akuzash skandaloze.
Bazuar në një ankesë të cilën e posedon CNN-in, një punëtore e re grua, ka pretenduar se një oficer më i lartë ka shkuar në shtëpinë e saj dhe i ka kërkuar marrëdhënie seksuale nën kërcënimin e armës së zjarrit, e më pas e ka kërcënuar edhe me thikë në ambientet e CIA-s. Ky zyrtar është shkarkuar nga vendi i punës, sipas dy burimeve.
Një tjetër grua pretendon të jetë “njëra nga të paktën pesë viktimat e një sulmi seksual të vetidentifikuar” të një oficeri që ishte stacionuar deri vonë në Evropë, bazuar në burimet e shumta si dhe në një letër që i qe dërguar ambasadorit të SHBA-së në atë vend, nga njëra prej viktimave të supozuara. Sipas njërit prej burimeve, nuk ka dyshime për dhunë fizike.
Oficeri është akuzuar se ka infektuar me vetëdije viktimat e supozuara me një sëmundje seksualisht të transmetueshme, krim i mundshëm sipas ligjit të Virginias, nëse personi i infektuar me “qëllim transmeton infeksionin”, dhe është nën hetim nga CIA. Ai person mbetet i punësuar në selinë e CIA-s, në pritje të rezultateve të hetimit.
Një numër i madh i sulmeve të supozuara duket të kenë ndodhur në Virginia dhe janë raportuar në organet e zbatimit të ligjit.
Zyrtarë të lartë të CIA-s, përfshirë drejtoreshën operative, Maura Burns dhe drejtorin, Bill Burns, kanë theksuar publikisht se po e trajtojnë këtë problem në mënyrë tejet serioze.
Në rastet kur pretendohet të ketë ndodhur ndonjë sulm seksual, agjencia bën vlerësimin e brendshëm, për të përcaktuar nëse i akuzuari paraqet ndonjë rrezik apo kërcënim për kolegët e tij.
“Gjëja e parë që bëjmë është të sigurohemi që viktima dhe i akuzuari të mos kenë kontakt me njëri-tjetrin”, tha Maura Burns.
CIA më pas pret derisa procesi penal të përfundojë përpara se të ndërmarrë ndonjë hap të mëtejshëm hetimor.
Sipas Palumbos, kjo qasje është në thelb në përputhje me praktikat më të mira në nivel kombëtar, për sa kohë që i kushtohet vëmendje e duhur të akuzuarit, lidhur me rrezikun që ai paraqet për viktimën ose të tjerët.
Falsifikimi i elementeve të ngjarjes
Pyetjet e vazhdueshme rreth shtrirjes dhe zbatimit të politikave të reja, u janë drejtuar udhëheqëses së Zyrës së sapokrijuar të agjencisë së CIA-s për Reagimin dhe Parandalimin e Ngacmimeve/Sulmeve Seksuale, Dr. Taleeta Jackson si dhe Maura Burnsit.
Sipas Burns, shumë oficerë e kanë bërë të qartë se janë ende të pasigurt se si të raportojnë krimin tek organet e zbatimit të ligjit pa shkelur vendimin që rregullon zbulimin e informacionit të klasifikuar.
Disa viktima thonë se hezitojnë ende që të raportojnë sulmet ndaj tyre tek organet e zbatimit të ligjit.
Në dosjen e njërës prej viktimave të vetëidentifikuara, të dorëzuar në Komisionin e Mundësive të Barabarta dhe Punësimit, në qershor, përmes së cilës kërkohet statusi për viktimat në agjenci, thuhet se agjencia “udhëzoi viktimat të falsifikonin elementet e ngjarjes nëse do të kontaktonin me organet e zbatimit të ligjit ose do të përballen me masa disiplinore për shkak të zbulimit të informacionit të klasifikuar”.
Zyra përgjegjëse për vlerësimin e kërcënimeve të brendshme “më tha se isha më se e mirëpritur që të raportoja vetë tek organet e zbatimit të ligjit, dhe këtë ta bëja në përputhje me paralajmërimet e CIA-s, që në asnjë rrethanë të mos zbuloja lidhjen time me CIA-n, lidhjen e autorit të sulmit me CIA-n, apo vendndodhjen ku unë dhe viktimat e tjera u sulmuam seksualisht, disa prej të cilave janë pronë e CIA-s”, shkruan viktima, e identifikuar në denoncim me pseudonimin Daniella Sparks.
“Me pak fjalë, Njësia e Menaxhimit të Kërcënimeve dhe Zyra e Këshillit të Përgjithshëm në mënyrë të vazhdueshme udhëzuan viktimat që të bënin deklarata të rreme dhe na informuan se nëse shfaqnim, në çfarëdo mënyre, lidhjen me CIA-n, do të ishim fajtorë për keqpërdorim të informacionit të klasifikuar”, ka shtuar ajo.
“Kemi ende punë për të bërë”
Një tjetër sfidë e CIA-s është e njëjta, si në çdo vend pune: Si të mbrohen viktimat dhe të lejohet gjykimi i drejtë duke respektuar gjithashtu të drejtat e të akuzuarve për t’u mbrojtur.
Në të paktën një rast, i pandehuri po apelon me arsyetimin se ai është akuzuar padrejtësisht.
Agjencia po planifikon të kryejë sondazhin e saj të brendshëm çdo vit, diçka që ekspertët thonë se është praktika më e mirë, e cila me kalimin e kohës mund të ndihmojë dhe përmirësojë këtë lloj sondazhi
Sipas Burns, shtytja tjetër e madhe e agjencisë janë trajnimet, mbi atë se si të trajtohen rastet e sulmeve dhe ngacmimeve, si dhe viktimave t’u ofrohen njohuri lidhur me burimet dhe të drejtat e tyre. Jackson, bëri të ditur Burns, do të udhëtojë jashtë shtetit vitin e ardhshëm për të standardizuar trajnimin për të gjitha selitë e agjencisë, në të gjithë botën.
Sipas një zëdhënësi, “më shumë se tre të katërtat e pjesëmarrësve të sondazhit thanë se CIA po merr masa për të parandaluar ngacmimet dhe sulmet seksuale”. Por Burns thotë se agjencia ka ende punë për të bërë.
“Ne nuk jemi aty ku duhet të jemi dhe nuk kam nevojë për një sondazh për ta thënë këtë”, tha Burns.