Të paktën 14 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë vdekur si pasojë e sulmeve izraelite në Rripin e Gazës të martën. Sulmet po ashtu kanë shkatërruar buldozerë dhe pajisje të tjera të rëndë të cilat ishin sjellë nga ndërmjetësit për të pastruar rrënojat.
Sulmet e veçanta të martën kanë lënë të vdekur dy persona edhe në Liban, raporton AP.
Ofensiva 18-mujore e Izraelit kundër Hamasit ka shkatërruar zona të gjera të Gazës, duke ngritur frikën se pjesa më e madhe e saj mund të mos rindërtohet kurrë. Territori tashmë ka mungesë të pajisjeve të rënda, të cilat nevojiten gjithashtu për të shpëtuar njerëzit nga rrënojat pas sulmeve izraelite dhe për të pastruar rrugët jetike.
Një komunë në zonën Jabaliya të Gazës veriore ka njoftuar se një sulm ka shkatërruar nëntë buldozerë të siguruar nga Egjipti dhe Katari, shtete këto që ndihmuan në ndërmjetësimin e armëpushimit që kishte hyrë në fuqi në janar.
Izraeli i ka dhënë fund armëpushimit muajin e kaluar, duke rikthyer bombardimet dhe operacionet tokësore dhe duke penguar qasjen e 2 milionë palestinezëve ndaj të gjitha importeve, duke përfshirë ushqimin, karburantin dhe furnizimet mjekësore.
Sulmet kanë shkatërruar gjithashtu një cisternë uji dhe një gjenerator të lëvizshëm të siguruar nga grupet e ndihmës dhe një kamion të përdorur për të pompuar ujërat e zeza, ka njoftuar komuna Jabaliya al-Nazla.
Ushtria izraelite ka thënë se sulmet synonin vetëm militantët dhe ka fajësuar Hamasin për vdekjet e civilëve, sepse sipas tij, grupi vepron në zona me popullsi të dendur.
Ndërkohë, një zyrtar palestinez, që ka njohuri për negociatat e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, i ka thënë BBC-së se Katari dhe Egjipti kanë propozuar një formulë të re për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Sipas zyrtarit, plani parashikon një armëpushim që zgjat nga pesë deri në shtatë vjet, lirimin e të gjithë pengjeve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite, një fund formal të luftës, dhe një tërheqje të plotë izraelite nga Gaza.
Një delegacion i lartë i Hamasit pritet të mbërrijë në Kajro për konsultime.
Armëpushimi i fundit është thyer një muaj më parë kur Izraeli rifilloi bombardimin e Gazës, teksa të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën për dështimin për të vazhduar.
Izraeli nuk ka komentuar mbi planin e ndërmjetësve.