Reem Abu Hayyah, vetëm tre muajshe, ishte anëtarja e vetme e familjes që i mbijetoi një sulmi të Izraelit në Rripin e Gazës të hënën. Disa kilometra më në veri, Mohamed Abuel-Qomasan e humbi bashkëshorten dhe fëmijët e tyre binjakë – vetëm 4-ditëshe – në një sulm tjetër.
Më shumë se 10 muaj luftë me Hamasin, bombardimet e vazhdueshme izraelite në territorin e izoluar kanë zhdukur familje të tëra. Kanë lënë prindër pa fëmijë dhe fëmijë pa prindër, vëllezër e motra.
Dhe disa prej të mbijetuarve janë aq të vegjël sa nuk do të kenë kujtime të atyre që humbën.
Sulmi i Izraelit të hënën shkatërroi një shtëpi afër qytetit të Khan Younisit, duke vrarë 10 persona. Prej të vdekurve ishin edhe prindërit e Abu Hayyahut dhe pesë motra e vëllezër të saj, të moshave nga 5 në 12 vjeç, si dhe prindërit e tre fëmijëve të tjerë, shkroi AP.
“Nuk ka mbetur askush përveç kësaj foshnjeje”, ka thënë halla e saj, Soad Abu Hayyah. “Që prej mëngjesit, jemi përpjekur ta ushqejmë, por ajo nuk e pranon sepse është mësuar me qumështin e nënës”.
Sulmi që vrau bashkëshorten dhe binjakët e Abuel-Qomasanit – djalin Asser dhe vajzën Ayssel – vrau edhe gjyshen e binjakëve. Ndërsa qëndronte në spital, i heshtur dhe i tronditur ai mbante certifikatat e lindjes së fëmijëve.
Gruaja e tij, Joumana Arafa, farmaciste, kishte lindur katër ditë më parë dhe lindjen e binjakëve e kishte shpërndarë edhe në Facebook. Të martën, ai kishte shkuar t’i regjistronte lindjet në zyrën lokale. Derisa ishte aty, fqinjët e kishin thirrur për t’i thënë se shtëpia ku ishte duke qëndruar ai, ishte bombarduar.
“Nuk e di çfarë ndodhi. Mu tha se një predhë goditi shtëpinë”, ka thënë ai.
Ushtria izraelite thotë se përpiqet t’i shmangë civilët palestinezë dhe për vdekjet e tyre e fajëson Hamasit sepse militantët e këtij të fundit operojnë në zona banimi.
Por, ushtria rrallë komenton për sulme individuale, që shpesh vrasin fëmijë e gra. Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka thënë se afër 40,000 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës.
Ofensiva e Izraelit ka lënë mijëra jetimë – aq shumë sa mjekët vendas përdorin një akronim kur i regjistrojnë: ËCNSF, ose “fëmijë të plagosur, asnjë familjar i mbijetuar”.
Kombet e Bashkuara ka njoftuar në shkurt se rreth 17,000 fëmijë në Gaza janë të pashoqëruar, dhe numri ka gjasa të jetë rritur.