Rafah, 14 shkurt (AP) Ibrahim Hasouna po bënte me gisht në drejtim të rrënojave të një shtëpie të shkatërruar, duke treguar për momentet që kishte kaluar me familje – ku nëna e tij dhe kunata flinin, ku ai luante me mbesat e tij 5-vjeçare, ku ndihmoi nipin e tij njëvjeçar të bënte hapat e parë, shkruan agjencia "AP".
E gjithë familja e tij ka vdekur tash – prindërit, dy vëllezërit, dhe bashkëshortja e tre fëmijët e njërit prej vëllezërve. Shtëpia u shemb sipër tyre pas një serie të sulmeve ajrore izraelite nëpër Rafah para agimit të hënën, ndërsa u ndërmor një operacion për t’i shpëtuar dy pengje që gjendeshin në qytetin jugor kufitar në Gaza.
Të paktën 74 palestinezë u vranë nga bombardimet, të cilat shembën shumë ndërtesa dhe tenda që po strehonin familjet që kishin ikur në Rafah nga vendet tjera në Gaza.
Në mesin e viktimave janë 27 fëmijë e 22 gra, sipas Qendrës Palestineze për të Drejtat e Njeriut. Të dhënat u morën nga spitalet në Rafah.
Ofensiva izraelite ka pasur kosto të mëdha, duke shkaktuar vdekjen e shumë grave dhe fëmijë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazas, mbi 12 mijë e 300 fëmijë palestinezë dhe adoleshentë janë vrarë në konflikt.
Ibrahim Hasouna 30-vjeçar me familje u vendosën në Rafah një muaj më herët. Ishte një nga lëvizjet e shumta që bëri me familjen për t’i ikur luftimeve, pasi braktisën shtëpitë në veri të Gazas. Ata morën me qira një shtëpi të vogël njëkatëshe në lindje të Rafahs.
“Isha afër tyre”, ka thënë Ibrahim për fëmijët e vëllait të tij të madh, Karamit.
Në shtëpi, Ibrahim tregon, se luante me letra apo fshehtas për t’i shpërqendruar nipërit nga lufta.
Vajzat binjake, Suzan dhe Sedra, shpesh pyesnin nëse do të shkonin në kopsht dhe nëse mësuesja e kopshtit është gjallë.
Sulmet erdhën në një moment gëzimi. Familja kishte siguruar tri pula – ushqimi i parë i mirëfilltë për ta që kur nisi lufta mbi 4 muaj më parë.
“Fëmijët ishin shumë të lumtur”, thotë Ibrahim.
Familja ishte lodhur nga ushqimet e konservuara, që ishin të vetmet ushqime për të ngrënë nën rrethimin izraelit ku lejohej kalimi i pak prej ndihmave humanitare për në Gaza.
Ata planifikonin të hanin pulë të dielën mbrëma. Por, gjatë ditës, Ibrahimi shkoi te një shok në anën tjetër të Rafahs. Shoku e bindi atë të qëndronte gjatë natës.
Ibrahimi telefonoi në shtëpi, dhe familja vendosi t’i ndërronte planet e ushqimit, në mënyrë që ai të mos e humbiste këtë vakt të shijshëm. Nëna e Ibrahimit, Suzan, vendosi pulat në frigorifer të fqinjëve.
Vetëm pas orës 2 të hënën, Ibrahimi nisi të merrte telefonata nga miqtë që i thoshin se u godit lagjja ku familja e tij po qëndronte. Pasi nuk po arrinte ta merrte në telefon familjen, ai eci dhe më pas gjeti një person që e dërgoi me motoçikletë deri te shtëpia. Tregon se gjeti shkatërrim masiv.
Gjëja e parë që ai pa ishte krahu i një gruaje që kishte përfunduar te një xhami në afërsi. Ishte krahu i nënës së tij. Ai gërmoi nëpër rrënoja, duke nxjerrë pjesë të trupit.
Më vonë ai shkoi në Spitalin Youssef Najjar dhe identifikoi trupat e nënës dhe babait të tij, një inxhinier. Trupi i vëllait të tij më të vogël, Muhamedit, nuk kishte kokë. Por, ai e njohu nga rrobat.
Në një çantë që solli stafi kishte pjesë të trupit të vëllait të tij Karamit dhe të familjes së tij. Ai dalloi pjesët e mbesës së tij Suzan nga vathët dhe një byzylyk. Ishte një nga byzylykët për të cilët zihej gjatë gjithë kohës me motrën e saj, tregon Ibrahimi.
Ibrahim ka folur për “The Associated Press” të martën ndërsa po ecte rreth rrënojave të shtëpisë.
Ai rikujtonte se si zhurma e fëmijëve e zgjonte çdo mëngjes. Thotë se ajo zhurmë ishte ngushëllim për të.
Ai bën me gisht te një pjesë e rrënojave. Thotë se atje ulej me nipin Malekun “për të marrë pak diell, për të ecur dhe për t’i dhënë sensin e jetës”.
Izraeli ka thënë se bombardimet në Rafah ishin për t’u siguruar mbulim ushtarëve që nxorën dy pengje izraelite nga një apartament dhe i larguan nga Gaza. Ushtria nuk komentoi në lidhje me pyetje se pse disa zona të caktuara rreth Rafahs u shënjestruan. Por, zyrtarët izraelitë fajësojnë Hamasin se po shkakton viktima civile duke operuar në zemër të zonave të banimit.
Shkalla e gjakderdhjes nga bastisja ka ngritur frikën se çfarë mund të ndodhë nëse Izraeli vazhdon me planet për ta sulmuar Rafahn në kuadër të fushatës për shkatërrim të Hamasit. Qyteti dhe rrethina e tij tash janë shtëpi e më tepër se gjysmës së gjithë popullatës prej 2.3 milionë banorëve të Rripit të Gazës. Qindra e mijëra palestinezë janë strehuar atje pas fillimit të luftës.
Në sulmet izraelite në Gaza kanë humbur jetën mbi 28 mijë palestinezë, mbi 70 për qind e tyre gra e fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazas. Kjo shifër nuk i ndan civilët nga luftëtarët.
Izraeli kishte thënë se do ta çrrënjoste Hamasin nga Gaza dhe do t’i kthejë më tepër se 100 pengje që ende gjenden në duart të militantëve që nga 7 tetori. Militantët e Hamasit në sulmin e 7 tetorit në jug të Izraelit vranë 1200 persona, kryesisht civilë.