Botë

Sulme masive me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës

ukrainë

Rusia ka nisur të shtunën mbrëma sulme të rënda me dronë dhe raketa në të gjithë Ukrainën.

Ky ishte sulmi më i madh që nga fillimi i shtatorit, raporton BBC.

Infrastruktura energjetike e vendit, gjeneratorët dhe stacionet e transmetimit, dukej se ishin objektivi kryesor.

Me uljen e temperaturave dhe rënien e borës së parë, autoritetet po presin një tjetër dimër të vështirë.

Në jug, qyteti i Mykolaivit ishte ndër më të goditurit, me të paktën dy persona të vrarë dhe disa të plagosur. Më në jug, porti i Odesës në Detin e Zi pësoi ndërprerje të energjisë elektrike në mbarë qytetin.

Dy punëtorë hekurudhor u vranë pas sulmeve ajrore ruse në hekurudhat dhe depot hekurudhore në rajonin qendror Dnipropetrovsk të Ukrainës, sipas transportuesit hekurudhor kombëtar.

Ndërkaq në Kiev, raketat dhe dronët ranë në disa vende, por nuk pati raportime për të lënduar.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia kishte lëshuar rreth 120 raketa dhe dronë gjatë sulmit masiv.

Ai ka shkruar në Telegram se Moska kishte në cak infrastrukturën energjetike të vendit të tij.