E përditësuar (11:21) - Numri i të vdekurve si pasojë e sulmit në një xhami dhe në një ndërtesë shkolle në Gaza të dielën ka shkuar në 26, ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë e Gazës.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë thënë në një deklaratë më herët se të dyja ndërtesat ishin përdorur si "qendra komandimi dhe kontrolli" nga Hamasi.
Agjencia e lajmeve AFP ka raportuar mëngjesin e së dielës se agjencia e mbrojtjes civile e drejtuar nga Hamasi ka thënë se xhamia po shërbente si strehë.
Ministria e Shëndetësisë ka thënë se numri aktual i përgjithshëm i vdekjeve nga të dy sulmet është tani 26, teksa dhjetëra të tjerë janë të plagosur.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve që nga 7 tetori, sipas ministrisë së Shëndetësisë tani është 41,870.
Sulm në një xhami në Gaza, të paktën 19 të vrarë
Sulmi izraelit në një xhami në Rripin e Gazës në orët e hershme të së dielës ka lënë të paktën 19 të vdekur, kanë njoftuar zyrtarët palestinezë raporton “AP”.
Izraeli është duke i intensifikuar bombardimet në veri të Gazës dhe në jug të Bejrutit ndërsa ka zgjeruar luftën kundër grupeve militante të mbështetura nga Irani.
Izraeli ende po e lufton Hamasin në Gaza gati një vit që nga sulmi i 7 tetorit, ndërsa ka hapur edhe një front të ri në Liban me Hezbollahu.
Në bombardimet e të dielës është goditur një xhami ku po strehoheshin njerëzit në qytetin Deir Al-Balah. Izraeli tha se kishte shënjestruar një qendër komanduese dhe kontrolli të Hamasit të vendosur mes civilëve, ndërsa nuk ka ofruar dëshmi për këtë.
Një gazetar i AP-së ka numëruar trupat në morgun e spitalit “Al-Aqsa”. Në të dhënat e spitalit shihet se të gjithë të vrarët janë burra, ndërsa një tjetër është plagosur.
Mbrojtja Civile në Rripin e Gazës ka njoftuar për 21 të vrarë.