Botë

Sulme masive me dronë në Moskë

sulm me drone

Foto: Associated Press

Të paktën një person ka mbetur i vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur nga sulmet masive me dronë të lëshuar të martën nga Ukraina drejt kryeqytetit rus, Moskës, raporton BBC.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka raportuar se në total 337 dronë ukrainas, janë kapur ose shkatërruar brenda natës në rajonin e Moskës dhe në disa rajone tjera përreth Rusisë.

Autoritetet ukrainase nuk kanë komentuar në lidhje me sulmet.

Sulmet me dronë kanë ndodhur disa orë para takimit në mes të delegacionit amerikan dhe delegacionit ukrainas në Jeddah të Arabisë Saudite, ku pritet të diskutohen hapat e radhës për marrëveshjen e paqes, nga e cila synohet t’i jepet fund luftës tre-vjeçare në Ukrainë.

Ukraina godet rafinerinë e naftës në Moskë

1 muaj më parë / 11 mar 2025 14:15
Shpërthim në Rusi

Në kuadër të sulmit masiv me dronë në Rusi, ushtria ukrainase ka deklaruar se ka goditur “një numër të objektivave strategjike”, duke përfshirë “kapacitetet prodhuese të një rafinerie të naftës në Moskë”, raporton BBC.

Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë thënë se rafineria është e aftë të prodhojë deri në “11 milionë ton naftë për çdo vit” dhe siguron afërsisht “40-50% të benzinës dhe naftës në Moskë”.

Në deklaratë, përmendet gjithashtu se është goditur një stacion prodhues në Orlov, që vlerësohet shumë i rëndësishëm për menaxhimin e një naftësjellësi i cili lidhet me portin detar të Shën Petersburgut.

Arrin në tre numri i të vdekurve pas sulmeve masive me dronë në Moskë

1 muaj më parë / 11 mar 2025 12:30
Sulmet me drone ne Moske

Ukraina ka kryer të martën sulmin më të madh me dronë ndaj rajonit të Moskës, duke lënë të vdekur tre persona dhe duke lënduar 18 të tjerë, sipas autoriteteve ruse.

Si pasojë e sulmit, dy aeroporte në Moskë u mbyllën për shkaqe të sigurisë, së bashku me dy aeroporte të tjera në lindje të qytetit, me një numër të madh fluturimesh drejt Moskës që u anuluan dhe u ripërcaktuan për aeroporte të tjera.

Ndërkohë, Forcat Ajrore të Ukrainës kanë thënë se janë mbrojtur kundër sulmeve me raketa balistike dhe dronë nga Rusia. Autoritetet ukrainase kanë raportuar se të paktën një person ka mbetur i vdekur dhe 18 të tjerë janë lënduar prej sulmeve të njëpasnjëshme të Rusisë.