Zyrtarët suedezë kanë thënë të mërkurën se kanë vendosur t’i mbyllin hetimet për shpërthimet e shtatorit të vitit 2022 në tubacionin e gazit “Nord Stream”, të ndërtuar për ta sjellë gaz natyral rus për në Gjermani. Zyrtarët suedezë kanë thënë se nuk kanë juridiksion.
Hetimi i Suedisë ishte një nga tri hetimet në lidhje me shpërthimet. Danimarka e Gjermania po ashtu ka hetuar këto shpërthime.
Sulmi, që ndodhi ndërsa Evropa po përpiqej të largohej nga burimet ruse të energjisë shkaku i pushtimit të Ukrainës, kontribuoi në tensionet që pasuan pas fillimit të luftës. Burimi i këtij sabotimi ka qenë një mister i madh ndërkombëtar.
Prokurori publik i Suedisë, Mats Ljungqvist, ka thënë në një deklaratë se hetimet e prokurorisë kanë qenë “sistematike dhe të plota”.
“Marrë parasysh situatën që kemi tash, mund të themi se më nuk ka juridiksion”, ka thënë Lungqvist.
Ai ka thënë se “hetimi gjerman vazhdon dhe për shkak të sekretit që mbizotëron në bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, nuk mund të komentohet mëtutje për bashkëpunimin që ka ndodhur”.
Prokuroria e Suedisë ka thënë se qëllimi primar i hetimit ishte për të “zbuluar nëse shtetas suedezë ishin të përfshirë në këtë veprim dhe nëse është përdorur territori suedez për të kryer këtë veprim, dhe është rrezikuar dëmtimi i interesave suedeze dhe sigurisë së Suedisë”.
“Pasi Suedia dhe interesat suedeze nuk ishin shënjestër, nuk ka më juridiksion për vazhdim të hetimit”, ka thënë ai.
Shpërthimi nënujor dëmtoi tubacionin “Nord Stream 1”, që ishte rruga kryesore e furnizimit të Gjermanisë me gaz natyral rus, derisa Rusia ndërpreu furnizimin në fund të gushtit të atij viti.
Shpërthimi po ashtu dëmtoi tubacionin “Nord Stream 2”, që kur nuk kishte hyrë në shërbim pasi Gjermania pezulloi procesin e certifikimit pak pasi Rusia e pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022.
Kenneth Ohlenschlaeger Buhl nga Kolegji Mbretëror Danez i Mbrojtjes ka thënë se vendimi befasues i Suedisë për ta përfunduar hetimin për shpërthimin, ndonëse pjesërisht ndodhi në zonën ekonomike suedeze, “jep indikacione se mund të ketë ndonjë përfshirje politike”.
“Mund të ketë arsye të mirë që të mos dilet me konkludime”, ka thënë Ohlenschlaeger Buhl. “Suedia gjendet në një pozitë të ndieshme pasi dëshiron t’i bashkohet NATO-s dhe nuk dëshiron të lëkundë varkën mëtutje. Po ashtu, asnjëri nuk dëshiron të bëjë konkludime publike në mënyrë që armiku të di nëse dhe si ka siguruar këtë informatë”, ka thënë Ohlenschlaeger Buhl.

Shpërthimi ndodhi 80 metra nënujë në Detin Baltik në zonën ekonomike të Suedisë dhe Danimarkës dhe matjet sizmike treguan se shpërthimi ndodhi pak para se të zbuloheshin rrjedhjet.
Ljungqvist thotë se hetimi gjerman vazhdon dhe se nuk mund të komentojë më tepër për përfundimet e hetimit suedez apo të bisedojë për persona të dyshuar.
“Ne kemi dorëzuar materialin që mund të përdoret si dëshmi në hetimin gjerman”, ka thënë Ljungqvist.
Në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjeve për ndikimin e vendimit suedez dhe se në çfarë faze ndodhet hetimi, Prokuroria Federale e Gjermanisë ka thënë se “hetimet gjermane po vazhdojnë”.
Nuk ka dhënë më tepër detaje.
Policia e Kopenhagës, që po e drejton hetimin danez, ka thënë se hetimi i saj “ende s’ka përfunduar”, porse pret të dalë me një njoftim së shpejti.
Pos ndikimit gjeopolitik, rrjedhjet nga tubacioni “Nord Stream” ishin katastrofë e madhe ambientale ku u prek bota e egër. Pati sasi të madhe të metanit që u derdh në Detin Baltik, e analistët besojnë se është sasia më e madhe e liruar e metanit për shkak të aktivitetit njerëzor.
Më tepër se 16 muaj pas sabotimit nuk ka ndonjë shpjegim të pranueshëm. Një seri e raportimeve të pakonfirmuara akuzojnë Rusinë.
Tubacioni gjatë kishte qenë shënjestër e kritikave nga SHBA-ja dhe aleatët e saj, që kishin paralajmëruar se mund të paraqesë rrezik për sigurinë energjetike të Evropës duke e rritur varësinë nga gazi rus.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe zyrtarët rusë kanë akuzuar SHBA-në se ishte prapa shpërthimit, ndërsa e shpjegoi këtë si sulm terrorist. SHBA-ja mohoi pjesëmarrjen.
Në mars të vitit 2023, mediumet gjermane raportuan se një grup pro-Ukrainë ishte përfshirë në sabotim duke përdorur një anije e cila u nis nga porti gjerman Rostock. Ukraina ka mohuar pretendimet se ka urdhëruar sulmin dhe zyrtarët gjermanë kanë qenë të kujdesshëm duke mos bërë akuza.
Hetimet e Gjermanisë dhe Danimarkës ende nuk kanë ndriçuar incidentin dhe prokurorët suedezë kanë thënë se identiteti i fajtorit është ende i paqartë dhe ka lënë të kuptohet se do të mbetet i tillë.