Suedia, sikur fqinji i saj Finlanda, prej kohësh kishte përjashtuar mundësinë e anëtarësimit në NATO. Kjo ndryshoi praktikisht brenda natës kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Sulmi ngjalli frikë nëpër Evropë rreth ambicieve të ringjallura perandorake të Moskës – alarmim ky që është rritur që nga vrulli i Rusisë në fushëbetejë në Ukrainë
Lufta e fundit e Suedisë përfundoi në vitin 1814 dhe kur pushkët dhe topat e drejtuar drejt Norvegjisë u ulën, kjo fuqi luftuese nuk i kapi më armët.
Për dy shekujt e ardhshëm Suedia ruajti politikën e neutralitetit, duke refuzuar të mbante anë në luftëra ose të bëhej pjesë e aleancave ushtarake. Ishte qëndrim që ruajti paqen në vend dhe kontribuoi që vendi të bëhej shtet i mirëqenies dhe superfuqi humanitare.
Kësaj epoke shumë të gjatë të mosangazhimit po i vjen fundi, teksa Suedia anëtarësohet në NATO. Formalitetet ceremoniale priten të ndodhin së shpejti, pas 18 muajve vonese për arsye se Turqia dhe Hungaria e shtynë ratifikimin dhe kërkuan lëshime nga anëtarët e tjerë të Aleancës.
“Suedia tashmë po lë pas 200 vjet të neutralitetit dhe mosangazhimit”, ka thënë kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, pasi Parlamenti hungarez dha miratimin të hënën. “Ky është hap i madh dhe duhet ta marrim seriozisht. Por gjithashtu çfarë po ndërmarrim është hap natyral”.
Suedia, sikur fqinji i saj Finlanda, prej kohësh kishte përjashtuar mundësinë e anëtarësimit në NATO. Kjo ndryshoi praktikisht brenda natës, kur Rusia nisi pushimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Sulmi ngjalli frikë nëpër Evropë rreth ambicieve të ringjallura perandorake të Moskës – alarmim ky që është rritur që nga vrulli i Rusisë në fushëbetejë në Ukrainë.
“Është rruga e duhur për ne”, ka thënë Jacob Frederiksen, pilot 24-vjeçar, i cili si shumë suedezë të tjerë ka mirëpritur anëtarësimin në NATO, e cila ruajti paqen për dekada në mes të prishjes së rendit pas Luftës së Dytë Botërore. “Unë mendoj se kjo është një epokë e re, është më mirë të jesh pjesë e një aleance sesa të jesh e pavarur dhe neutrale”.
Pushtimi ka pasur “efekt shoku në jetën politike të Suedisë”, ka thënë Henrik Ekengren Oscarsson, shkencëtar politik në Universitetin e Goteborgut. Ai ka analizuar të dhënat e sondazheve të cila tregojnë se mbështetja për anëtarësimin në NATO është rritur nga 35% në vitin 2021 në 64% pas pushtimit të Ukrainës.
“Ishte ndryshimi më i madh dhe më i shpejtë në opinion që është matur nga historia politike suedeze” ka shkruar Ekengren Oscarsson.
Prapëseprapë vijnë shqetësime të reja nga të qenit pjesë e Aleancës, mes tensioneve në rritje mes Rusisë dhe Perëndimit.
Ulrika Eklund, punonjëse 55-vjeçare e bankës në Stokholm, ka thënë se ndihet e pasigurt për anëtarësimin në NATO dhe për ndikimin që kjo do të ketë në Suedi. Por ajo e kupton pse është ndërmarrë një hap i tillë me “gjithçka që është duke ndodhur në botë dhe në Evropë”.
Neutraliteti i vendit i ka rrënjët në fillim të shekullit të 19-të, kur Evropa ishte e përfshirë në luftërat e Napoleonit.
Edhe pse Suedia përfundoi në anën fituese të betejës kundër perandorit luftarak të Francës, Napoleon Bonaparti, humbja e zotërimit territorial në Finlandë ndaj Rusisë vite më parë u dha fund iluzioneve të Suedisë për vazhdimin e rolit si fuqi e madhe.
“Pasi fitoi Norvegjinë, politika synonte të rrinte jashtë grindjeve të fuqive të mëdha dhe në vend të kësaj të fokusohej në zhvillimin e Suedisë si vend. Dhe këtë bëmë”, ka thënë Robert Dalsjö, analist në Agjencinë suedeze për Kërkime dhe Mbrojtje.
Politika i lejoi Suedisë të zhvillohet, ka thënë Dalsjö, duke e vendosur në rrugën drejt një shteti modern pasi “ishte një nga vendet më të varfra dhe më të prapambetura në Evropë në shekullin e 19-të”.
Teksa Suedia rregullonte statusin e saj të ri, mbreti Karl XIV John deklaroi neutralitetin e vendit në vitin 1834. Në një letër për kontët e Britanisë dhe Rusisë, ai kërkoi respekt për dëshirën e Suedisë për të qëndruar jashtë konflikteve të tyre.
I ruajtur në Arkivat Kombëtare Suedeze dhe i konsideruar si dokumenti më i vjetër sa i përket neutralitetit të Suedisë, teksti thotë: “Ne do të kërkojmë, siç jemi duke bërë tani, për të qëndruar jashtë kësaj beteje dhe që Suedia dhe Norvegjia, duke mbajtur neutralitet të rreptë ndaj palëve luftuese, mund të meritojnë, me sjelljen tonë të paanshme, respekt dhe vlerësim për sistemin tonë”.
Gjatë rrugës, neutraliteti i Suedisë është testuar – veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur i bëri koncesione Gjermanisë për të qëndruar jashtë luftës.
“Lufta e Dytë Botërore ishte eksperiencë vdekjeprurëse për Suedinë”, ka thënë Dalsjö.
Shumë Suedezë kanë besuar se kanë ruajtur paqen për shkak të neutralitetit të tyre, ka thënë ai, por në realitet “ne ishim elastikë në zbatimin e neutralitetit: në fillimet e luftës, duke bërë koncesione me gjermanët dhe më vonë gjatë luftës, duke bërë koncesione me aleatët”.
Gjatë Luftës së Ftohtë, kur Suedia dhe Finlanda ishin vende midis NATO-s dhe aleancës së Traktatit të Varshavës, shumë suedezë – dhe finlandezë – kanë menduar se qëndrimi jashtë këtyre blloqeve ishte mënyra më e mirë për t’iu mënjanuar tensioneve me Rusinë, fqinj i fuqishëm lindor në regjionin e Detit Baltik.
Por kjo nuk nënkuptoi kurrë mbërthim të plotë të pacifizmit. Në vitet 1950 dhe ’60, Suedia kishte forcat e katërta më të mëdha ajrore në botë dhe aftësinë për të mobilizuar 800.000 burra, duke përfshirë edhe rezervistët, në rast të luftës, ka thënë Andreas Ohlsson kurator në Muzeun e Ushtrisë Suedeze.
“Të qenit neutral nuk do të thotë të jesh naiv. Në fakt është mënyrë e të menduarit që ne duhet të jemi të vetëvarur në rast të luftës”, ka thënë Ohlssoni.
Ndërsa kalojnë vitet, ideja e Suedisë si zë për paqe dhe mospërhapje bërthamore u bë bërthamë e identitetit të Suedisë. Vendi i institucioneve për çmimet “Nobel” financoi programe të ndihmës së huaj, mori pjesë në misionet paqeruajtëse jashtë vendit dhe u mbështet në statusin neutral për të vepruar si ndërmjetës në konfliktet regjionale anembanë globit.
Olof Palme, kryeministër suedez në vitet e ’70, e përshkroi Suedinë si superfuqi morale që duhet të “bëhet aktive në situatat ku vendet e tjera, si rezultat i qëndrimit të tyre në politikën e jashtme, kanë qenë të paafta për t’u angazhuar”.
Frika nga fuqia ushtarake e Rusisë daton disa shekuj më herët dhe ka vazhduar deri në vitet e Luftës së Ftohtë. Në vitin 1981, një nëndetëse sovjetike ngeci në arkipelagun e Stokholmit, duke iu afruar bazës kryesore detare suedeze. Pasuan ditë të tensionuara.
Pas Luftës së Ftohtë frika u zvogëlua dhe Suedia shkurtoi shpenzimet e mbrojtjes. Por gjatë viteve të fundit, Suedia ka investuar më shumë në ushtrinë e saj dhe ka ndërtuar kontakte me NATO-n, duke marrë pjesë në trajnime me Aleancën.
Nxitës kryesor ishte aneksimi i Gadishullit të Krimesë së Ukrainës në vitin 2014.
Në vitin 2017, Suedia ka rikthyer rekrutimin. Vitin tjetër, një regjiment në ishullin e rëndësishëm strategjik suedez në Detin Baltik, Gotland, veriperëndim të territorit rus të Kaliningradit, është rithemeluar pasi ishte shpërbërë në vitin 2005.
Me kalimin e kohës për Suedinë – e rrënjosur qartë në Perëndim dhe anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 1995 – fjala “mosangazhim” u bë më e përshtatshme se “neutralitet”.
“Për 30 vjet ne jemi larguar nga neutraliteti i pastër që nuk ishte kurrë aq i pastër, në një pozicion aleance”, ka thënë Dalsjö. “Dhe mund të thoni se më në fund e përfundojmë duke u bashkuar me NATO-n”.
Përgatiti: Latra Gashi