Studentët në Austri kanë ngritur një kamp në Universitetin e Vjenës, për të treguar solidaritet me palestinezët në Gaza.
Studentët protestues i kanë bërë thirrje Austrisë që ta bojkotojë Izraelin në prag të një ofensive në Rafah, raporton AP.
Kampi është ngritur të hënën, derisa protesta të ngjashme janë përhapur edhe në SHBA dhe në vende të tjera të Evropës.
Universiteti i Vjenës dhe Bashkimi kryesor i Studentëve austriak e kanë distancuar veten nga protesta.
Bashkimi ka lëshuar një deklaratë të martën, ku thuhet se grupet anti-semitike janë në mesin e atyre që bëjnë thirrje për protestë.
Protestuesit kanë refuzuar të konfirmojnë nëse janë ende studentë të universitetit.
Ditëve të fundit, studentët kanë mbajtur protesta apo kanë ngritur kampe në Finlandë, Danimarkë, Itali, Spanjë, Francë dhe Britani, duke ndjekur protestat e mëhershme në kampuset e SHBA-së.