Botë

Strehimorja kolumbiane që ofron mbështetje për emigrantët nga Venezuela

Strehimorja kolumbiane që ofron mbështetje për emigrantët nga Venezuela

Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, vlerëson se më shumë se 7.7 milionë venezuelas janë larguar nga atdheu i tyre që nga viti 2014, eksodi më i madh në historinë e fundit të Amerikës Latine. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, Kolumbia pret numrin më të madh të emigrantëve nga Venezuela. Strehimorja e Emigrantëve të Papa Françeskut u themelua në vitin 2020 për të trajtuar këtë fenomen dhe për të ofruar mbështetje për njerëzit që ia mësyjnë kurbetit

Kanë kaluar tre vjet që kur Douarleyka Velásquez braktisi karrierën e saj si profesioniste në fushën e burimeve njerëzore. Puna e saj e re nuk është ajo të cilën kishte planifikuar ta ushtronte, por ndihet e përmbushur. Si mbikëqyrëse pastrimi në një strehimore emigrantësh në Kolumbi, ajo ka mundësinë që të përkrahë dhe mbështesë venezuelasit, të cilët, ashtu si ajo vetë, u larguan nga shtëpitë e tyre duke shpresuar për një jetë më të mirë.

“Ndiej se këtu mund të ndihmoj vëllezërit e mi, bashkatdhetarët e mi që vijnë e shkojnë”, thotë Velásquez, 47 vjeçe, nga Strehimorja e Emigrantëve të Papa Françeskut në Palmira, qytet në jugperëndim të Kolumbisë.

Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, vlerëson se më shumë se 7.7 milionë venezuelas janë larguar nga atdheu i tyre që nga viti 2014, eksodi më i madh në historinë e fundit të Amerikës Latine.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, Kolumbia pret numrin më të madh të emigrantëve nga Venezuela. Të dhënat tregojnë se që nga mesi i vitit 2024, më shumë se 2.8 milionë venezuelas kanë mbërritur në Kolumbi.

Strehimorja e Emigrantëve të Papa Françeskut u themelua në vitin 2020 për ta trajtuar këtë fenomen, tregon Imzot Arturo Arrieta, i cili mbikëqyr nismat për të drejtat e njeriut në Dioqezën Katolike të Palmiras.

Qyteti është në përgjithësi qendër tranziti, thotë Arrieta. Emigrantët kalojnë këtej për në Gap Darien, rrugë e rrezikshme për të arritur në Amerikën e Veriut. Të tjerë, të cilët e kanë të pamundur të vazhdojnë rrugën drejt migrimit ose që kanë nostalgji të madhe për jetesën e tyre të mëparshme, ndalojnë këtu përpara se të kthehen në shtëpi.

“Është një nga strehimoret e pakta që mund të gjesh gjatë rrugës”, shton Arrieta. “Komuniteti ndërkombëtar ka ndaluar financimin e vendeve si ky, duke menduar se do të dekurajonte migracionin, por kjo nuk do të ndodhë kurrë. Përkundrazi, kjo i lë emigrantët të pambrojtur”.

Njerëzit që arrijnë në strehimore mund të qëndrojnë deri në pesë ditë, megjithëse mund të bëhen përjashtime. Velásquez u bë pjesë e ekipit kur u vendos në Palmira, dhe ndan rast të njëjtë me Karla Méndezin, e cila punon në kuzhinë. Ajo thotë se gatimi i ushqimeve tradicionale venezuelase për bashkatdhetarët e saj i sjell gëzim.

Mbrojtje për të gjitha komunitetet

Sipas Arrietas, strehimoren e mësyjnë kryesisht familjet, gratë që udhëtojnë vetëm dhe personat që i takojnë komunitetit LGBTQ+. Ushqim, veshmbathje dhe këshilla shpirtërore u jepen atyre në nevojë, ndërsa objektet janë të pajisura me dushe, shesh lojërash për fëmijë dhe kafaze për kafshët shtëpiake.

Përveç kësaj, ekipi ofron informacione mbi trafikimin e qenieve njerëzore, mbështetje për gratë që janë abuzuar dhe për fëmijët që udhëtojnë të pashoqëruar.

“Ne kemi hasur gjithashtu nëna venezuelase që kërkojnë të afërmit e tyre që kanë kaluar nga ose drejt Gap Darien”, thotë Arrieta. “Familjet po kërkojnë për të dashurit që u zhdukën gjatë rrugës drejt migrimit”.

Ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e emigrantëve që janë zhdukur – pjesërisht për shkak se disa prej tyre udhëtonin ilegalisht – zhdukja e tyre është konfirmuar nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe institucionet kolumbiane.

“Në vitet e fundit, ne kemi gjetur trupa të paidentifikuar, veshjet ose sendet e të cilëve tregojnë se ata janë emigrantë”, bën të ditur Marcela Rodriguez, e cila punon në një qendër lokale për kërkimin e personave të zhdukur.

Arrieta e di se nuk mund të ofrojë mbrojtje për të gjithë ata që migrojnë apo që hyjnë në territoret e kontrolluara nga grupet e armatosura të paligjshme. Por ai bën çmos për të mbështetur emigrantët në strehimore.

“Ne duam që ata të gjejnë një oazë këtu”, shprehet ai.

Velásquez la Venezuelën bashkë me burrin, fëmijët dhe nipin e saj. Ajo thotë se ishte e vështirë që të linte gjithçka pas, por tani ata ndihen si në shtëpinë e tyre. 

“Ndihem shumë krenare për atë që bëj”, thotë ajo. “Unë gjithmonë përpiqem që t’i inkurajoj dhe t’u them njerëzve se gjithçka do të funksionojë kudo që të shkojnë”.

Ku të shkojnë më pas?

Një kat më lart, 20-vjeçarja Mariana Ariza përballet me një dilemë, ashtu si shumë emigrantë të tjerë: Ku të shkojnë më pas?

Ajo u largua nga Venezuela në vitin 2020, mbërriti në Bogota bashkë me djalin e saj 2-vjeçar dhe u bë prostitutë apo punëtore seksi për të siguruar të ardhura për fëmijën e saj.

“Është vërtet e vështirë, të emigrosh dhe të mos jesh në gjendje që të gjesh punë”, thotë Ariza, tani nënë e dy fëmijëve. “Unë do të bëja gjithçka për fëmijët e mi. Nuk do t’i lija kurrë të vdisnin nga uria”.

Ajo është e pavendosur, nuk e di nëse do të kthehet në Venezuelë dhe të ribashkohet me familjen e saj apo të shkojë në Ekuador në kërkim të mundësive më të mira.

“Disa njerëz më thonë: ‘Ti e bën atë punë sepse nuk di të bësh asgjë’, por kjo nuk është e vërtetë”, thotë Ariza. “Kam mësuar shumë gjëra, por nuk kam pasur para apo mundësi për të ecur përpara”.

Në Bogota, ku mbërriti fillimisht, René Rey kaloi dekada duke mbështetur prostitutat dhe personat që i takojnë komunitetit LGBTQ+ dhe që janë të diagnostikuar me HIV. Vitet e fundit aktiviteti i tij është zgjeruar për të ndihmuar emigrantët venezuelas.

Ai vuri re një fluks të shtuar të emigrantëve, duke filluar nga viti 2017, kur protestat shpërthyen në Venezuelë si reagim ndaj një përpjekjeje të Qeverisë për t’ia hequr kompetencat Asamblesë Kombëtare.

“Ishte një valë e fortë”, shprehet Rey. “Shumë prej tyre, të cilët u abuzuan seksualisht ose ishin viktima të trafikimit të qenieve njerëzore dhe të punës, erdhën këtu”.

Sipas Rey, rreth gjysma e prostitutave në Santa Fe – lagja ku ai punon, në kryeqytetin e Kolumbisë – janë venezuelase, shumica e tyre midis 21 dhe 24 vjeçe.

Ndërtesa ku ai ushtron veprimtarinë e tij bashkë me një organizatë katolike të quajtur “Eudes Foundation”, ku ofrohet informacione mbi HIV-in dhe shpërndahen shujta ushqimi për njerëzit e pastrehë njihet si “The Refuge”. Është gjithashtu vend lutjeje, ku vendasit dhe emigrantët bashkohen. Është hapësirë e sigurt edhe për disa prostituta venezuelase, të cilat praktikojnë besimin e tyre.

“Ne thjesht u themi atyre: ‘Zoti është këtu, si jeni? Ne do të donim të ishim miq’”, thotë Rey. “Unë mendoj se këto takime të sinqerta provokojnë diçka të re, ku Fryma e Shenjtë është e vërtetë”.

Nga tre grupet që ai mbikëqyr në “The Refuge”, njëri udhëhiqet nga Lía Roa, një grua transgjinore kolumbiane.

Rey fillimisht e ftoi atë që të merrte pjesë në aktivitete që bënin bashkë persona transgjinorë gjatë Javës së Shenjtë, por më vonë mendoi: ‘Po sikur ajo të mund të kishte një rol më të madh në komunitetin tonë?’

Kështu ai ia çoi propozimin kardinalit dhe ai e mbështeti me entuziazëm.

Grupi prej dhjetëra prostitutave transgjinore – shumica prej tyre nga Venezuela – takohen në “The Refuge” shumicën e të shtunave. Së pari, hanë ushqim bashkë. Më pas, luten, meditojnë dhe flasin.

“Ka qenë një sfidë”, thotë Roa. “Këta njerëz mbajnë në supe një të kaluar të vështirë që i ka bërë të padukshëm deri në atë pikë sa të humbasin dinjitetin e tyre si njerëz dhe bija të Zotit”.

Anëtarët e grupit të saj shpesh tregojnë se migruan sepse nuk mund të gjenin hapësira të sigurta si transgjinore në Venezuelë. Dhe edhe nëse ndonjërës prej tyre thjesht i bie që të kalojë nëpër Bogota përpara se të kthehet në shtëpi ose të vazhdojë drejt Gap Darien, Roa mendon se duhet të ndalet në “The Refuge”, sepse aty, takimet janë kuptimplota dhe ndërtohen miqësi të vërteta.

“Bazuar në fjalët e tyre, ky proces shndërrohet në ushqim shpirtëror për rrugën e tyre përpara”, shton Roa.

“Këta njerëz largohen me një vizion të ri, sepse pasi të kanë thënë se Zoti të urren sepse je transgjinor, të dëgjosh një prift dhe një transgjinor tjetër që të thotë se Zoti të do ashtu siç je, padyshim që përbën një ndryshim”.