Ylli i filmave për të rritur, Stormy Daniels ka thënë se kishte veshur jelek antiplumb në ditën kur dëshmoi në gjyqin penal ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump, pasi ka theksuar se ka marr kërcënime serioze kundër saj dhe familjes.
Daniels ka thënë për “Good Morning Britain” se ajo kishte marrë kërcënime çdo ditë, raporton “Associated Press”.
Ajo ka bërë të ditur se disa miq të saj në polici i kishin thënë se do të ishte më e sigurt nëse do të vishte jelekun mbrojtës gjatë rrugës për në dhe nga gjykata në New York.
Ish-presidenti amerikan Donald Trump është shpallur fajtor për falsifikimin e të dhënave biznesore të kompanisë, në fund të muajit maj.
Ai është shpallur fajtor në të 34 akuzat që rëndonin mbi të.
Trumpi akuzohej se kishte falsifikuar të dhënat për të fshehur rimbursimet që ia kishte bërë avokatit të tij, Michael Cohen, i cili i ka paguar aktores së pornografisë, Stormy Daniels, 130 mijë dollarë në fushatën presidenciale të 2016-s, në këmbim që ajo të mos e paraqiste publikisht pretendimin se me Trumpin ka pasur marrëdhënie seksuale një dekadë më herët.
Atij dënimi pritet t’i kumtohet më 11 korrik.