Aktorja e filmave për të rritur, Stormy Daniels pritet të dëshmojë të martën në gjyqin penal ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhattanit pretendon se Trumpi e urdhëroi ish-avokatin e tij, Michael Cohen, që ta paguante aktoren e filmave për të rritur, Stormy Daniels, me 130 mijë dollarë në këmbim të heshtjes së saj në lidhje me marrëdhëniet e dyshuara seksuale që ish-presidenti mohon se kishin ndodhur.
Avokati Cohen e ka pranuar më parë, se Trumpi e kishte urdhëruar që ta paguante aktoren në këmbim të heshtjes së saj, për takimin që Daniels pretendon se kishte me ish-presidentin amerikan në vitin 2006.
Daniels, 45 vjeçe, ka thënë se ka kryer marrëdhënie seksuale me Trumpin, 77 vjeç, në një hotel në Lake Tahoe, derisa ai ishte i martuar me gruan e tij, Melania Trump.
Avokatët kanë bërë të ditur se Stormy Daniels do të jetë dëshmitarja e dytë që do të dëshmojë të martën, në ditën e 13-të të gjyqit.
Gjykatësi Juan Merchan ka bërë të ditur se Daniels do të lejohet të dëshmojë për detajet themelore të takimit. Por avokatja mbrojtëse e Trumpit, Susan Necheles ka kundërshtuar, duke argumentuar se akuza e ngritur është e përqendruar në një çështje që lidhet me të dhënat financiare.
Prokurorja Susan Hoffinger e ka cilësuar dëshminë si të nevojshme për të përfunduar historinë dhe për ta kuptuar nëse Daniels po tregon të vërtetën, raporton Reuters.
Trump, i cili kandidon sërish për president në zgjedhjet e 5 nëntorit, është deklaruar i pafajshëm për 34 akuzat që rëndojnë mbi të për falsifikimin e të dhënave të biznesit dhe gjithashtu mohon të ketë pasur marrëdhënie më Stormy Daniels.
Avokatët mbrojtës të Trumpit u kanë thënë 12 anëtarëve të jurisë dhe gjashtë zëvendësve se dëshmia e Daniels nuk do të jetë e rëndësishme.