Me ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump, vetëm disa metra larg, aktorja e filmave për të rritur Stormy Daniels ka dëshmuar të martën në gjykatë për marrëdhënien që pati me Trumpin. Në New York Trump po gjykohet në lidhje me një pagese të pretenduar për Danielsin që ajo të heshte e të mos fliste publikisht për lidhjen.
Aktorja ka treguar se ka pasur marrëdhënie seksuale me Trumpin në vitin 2006 që rezultoi më pas në pagesën që ajo të heshte gjatë kandidimit të Trumpit për president, raporton agjencia “AP”.
Daniels para anëtarëve të jurisë ofroi një përshkrim të takimit me Trumpin, të cilin ish-presidenti e ka mohuar. Trumpi shikoi përpara ndërsa Daniels hyri në sallën e gjyqit, e më pas shihej duke u pëshpëritur avokatëve të tij dhe duke tundur kokën ndërsa ajo dëshmonte.
Daniels u fut në detaje, pavarësisht kundërshtimeve të përsëritura të avokatëve mbrojtës, të cilët thanë se ishin komente paragjykuese dhe të parëndësishme.
“Kjo është ajo lloj dëshmie nga e cila është e pamundur të rikthehesh”, ka thënë avokati Todd Blanche. “Si mund të kthehesh nga kjo në mënyrë që të jetë fer për presidentin Trump?”
Gjykatësi refuzoi kërkesën dhe u tha avokatëve mbrojtës se është dashur të kundërshtonin më tepër gjatë dëshmisë.
Ekipi i Trumpit më vonë shfrytëzoi rastin për ta marrë në pyetje Danielsin, duke tentuar ta paraqesin këtë si urrejtje e motivuar nga aspekti personal dhe se synoi të zhvaste Trumpin.
“A kam të drejtë të them se ju e urreni presidentin Trump?” – pyeti avokatja mbrojtëse Susan Necheles.
“Po”, pranoi Daniels.
Dëshmia e Danielsit është pikë qendrore në rastin penal kundër Trumpit. Trump akuzohet se pagoi 130 mijë dollarë për ta heshtur Danielsin dhe gënjeu në të dhënat biznesore lidhur me pagesën. Avokati i atëhershëm i Trumpit, Michael Cohen, pretendohet se rregulloi çështjen e pagesës.
Daniels ka përshkruar takimin fillestar në një turne golfi në korrik të vitit 2006, ku diskutuan për industrinë e filmave për të rritur, e më pas shkoi “deri te një marrëdhënie seksuale” për të cilën tha se Trump e inicioi pasi e ftoi atë për darkë e më pas në dhomën e tij të hotelit.
Daniels tha se nuk u ndje fizikisht apo verbalisht e kërcënuar, ndonëse e dinte se truprojat po qëndronin jashtë dhomës së hotelit.
Po ashtu tha se kishte një mosbalancë të fuqive: Trump “ishte më i madh dhe po bllokonte rrugën”, tha ajo.
Në atë kohë, Trump ishte i martuar me bashkëshorten Melanis. Daniels tha se Trump i kishte treguar se nuk flinin në të njëjtën dhomë.
“Ishte vërtetë e vështirë të merrja këpucët, pasi duart po më dridheshin”, tregoi Daniels për marrëdhënien që pati. “Ai më tha, ‘Ishte fenomenale, të bëhemi bashkë sërish’. Unë thjeshtë doja të largohesha”.
Trump është ish-presidenti i parë i SHBA-së që po përballet me rast penal.
Daniels tregoi se me Trumpin ishte takuar në fushën e golfit, pasi studio e filmave për të rritur në të cilën punonte ajo, ishte sponsor në një pjesë të asaj fushe të golfit.
Daniels tregon se si pati një bisedë të shkurtër fillimisht me Trumpin dhe më pas ai e ftoi në darkë.
Ajo tregoi se si publicisti i atëhershëm i saj në një telefonatë i tha se ftesa e Trumpit do të “bënte një storie të madhe” dhe ndoshta do ta ndihmonte në karrierë.
“Çfarë mund të shkojë keq?” – Daniels tregoi t’i ketë thënë publicisti.
Të dy ishin takuar herë pas here në vitet vijuese.
Në vitin 2011, disa vjet pasi ajo dhe Trump ishin takuar së fundi, ajo mësoi nga agjenti i saj se storia për marrëdhënien që pati me Trumpin ishte mësuar nga një revistë.
Ajo tha se ishte pajtuar të bënte një intervistë për 15 mijë dollarë.
“Më mirë të bëja para, sesa dikush të bënte para nga unë dhe së paku mund ta kontrolloja storien”, tha ajo.
Storia kurrë nuk doli, por më vonë atë vit, ajo u alarmua kur një gjë doli në një uebfaqe. Duke tentuar që të hidhte poshtë pretendimet e ekipit të Trumpit se ajo ishte në nevojë për një pagesë të madhe urgjente, Daniels tha se në atë kohë ishte në gjendjen më të mirë financiare që ka qenë ndonjëherë. Ajo tha se kishte autorizuar menaxherin e saj të shiste storien gjatë fushatë presidenciale të vitit 2016.
“Motivimi im nuk ishte paraja. Ishte që të publikohej storia”, thotë Daniels.
Mirëpo, avokatja e Trumpit, Necheles në një moment i bëri presion Danielsit duke i thënë se i ka borxh Trumpit qindra mijëra dollarë në tarifa ligjore që rezultojnë nga një padi e pasuksesshme e mëhershme.
Daniels në një postim në Twitter në vitin 2022, kishte thënë se “më përpara do të shkonte në burg sesa të paguante ndonjë qindarkë”.
“Unë po thosha se nuk do të paguajë asgjë për tregimin e të vërtetës”, tha Daniels.
Ajo u pyet nëse po tentonte të zhvaste Trumpin, por e mohoi kategorikisht.
Daniels pritet të kthehet në gjykatë të enjten për të vazhduar dëshminë. Daniels ka treguar se ka marrë 96 mijë dollarë nga pagesa prej 130 mijë dollarëve, pasi avokati i saj dhe agjenti morën përqindjet.
Trump po ngarkohet me 34 akuza për falsifikim të të dhënave biznesore në lidhje me pagesat e bëra.
Stormy Daniels dëshmon në detaje për historinë e pretenduar me Trumpin
Aktorja e filmave për të rritur, Stormy Daniels, ka dëshmuar në detaje për takimin e parë me ish-presidentin, Donald Trump, kur ishin në një dhomë hoteli.
Ajo ka thënë se Trumpi nuk kishte shprehur shqetësim për gruan e tij, Melanian, dhe as nuk i kërkoi që ta mbante sekret takimin. Ajo tha se ishte 27 vjeç kur e takoi së pari Trumpin.
“U tregova disa njerëzve se faktikisht ne kishim marrëdhënie seksuale sepse ndihesha e turpëruar që nuk e kisha ndaluar”, ka thënë Daniels.
Daniels tha se e kishte takuar Trumpin sërish në një klub nate një ditë më pas. Se ai ishte në një tavolinë kur ajo u afrua dhe tha se ai e prezantoi atë si “shoqja ime Stormy”.
Daniels dëshmoi se ajo filloi të fliste me Trumpin shpesh, për një kohë një herë në javë.
Ajo tha tutje se Trumpi i kishte thënë se ajo i kujtonte shumë vajzën e tij, Ivanka.
“Ti më kujton shumë vajzën time, ajo është e mençur, bjonde dhe e bukur dhe njerëzit e nënvlerësojnë”, tregoi ajo t’i kishte thënë Trumpi atë kohë.
Trump, i cili kandidon sërish për president në zgjedhjet e 5 nëntorit, është deklaruar i pafajshëm për 34 akuzat që rëndojnë mbi të për falsifikimin e të dhënave të biznesit dhe gjithashtu mohon të ketë pasur marrëdhënie më Stormy Daniels.