Botë

Stoltenberg: Ukraina ka të drejtë të godasë objektiva ushtarake në Rusi

Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se Ukraina ka të drejtën sipas të drejtës ndërkombëtare të sulmojë objektivat ushtarake në Rusi për t’u mbrojtur. Ai këto komnete i ka bërë të premten gjatë një vizite në Suedi, anëtaren e re të aleancës.

“Ukraina ka të drejtën për vetëmbrojtje”, ka theksuar  Stoltenberg në një konferencë shtypi me kryeministrin suedez,  Ulf Kristersson në një bazë ushtarake pranë Stokholmit.

“E drejta për vetëmbrojtje përfshin gjithashtu të drejtën për të goditur objektiva legjitime, ushtarake në territorin e palës sulmuese, agresorit, në këtë rast Rusisë”. 

Kremlini ka njoftuar këtë javë se vendet perëndimore që furnizojnë Ukrainën me armë për të goditur territorin rus do të duhet të përballen me Rusinë, pasi presidenti Vladimir Putin, ka theksuar se po konsideronte si hakmarrje mbështetjen me armatim që Perëndimi po i jep Ukrianës. 

“Kjo është një luftë sulmi që Rusia ka nisur kundër një vendi fqinj paqësor, demokratik, Ukrainës, që në asnjë moment nuk ka qenë kërcënim për Rusinë”,  tha Stoltenberg.

Ai ka shtuar se nuk ka dyshim që Ukraina ka të drejtë të godasë objektiva në territorin rus.