Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka thënë BBC-së se Kina duhet të përballet me pasoja për përkrahje të luftës së Rusisë në Ukrainë, nëse nuk ndryshon qasje.
Stoltenberg ka thënë se Pekini po tenton të mbetet mirë me dyja palët, duke e përkrahur luftën e Rusisë, por edhe në të njëjtën kohë duke mbajtur marrëdhëniet me aleatët evropianë.
“Kjo s’mund të fuksionojë në plan afatgjatë”, ka thënë Stoltenberg gjatë vizitës së tij në Washington.
Në intervistën e gjerë, ai trajtoi edhe çështjen e armëve bërthamore dhe po ashtu shpenzimet e tij për mbrojtje.
Komentet e tij erdhën ndërsa Rusia nuk po tregon shenja të zbutjes së intensitetit të luftës kundër Ukrainës.
Kur Stoltenberg është pyetur se çfarë do të bëjnë anëtarët e NATO-s lidhur me përkrahjen e Kinës për Rusinë, Stoltenberg tha se “ka biseda të vazhdueshme” për sanksione të mundshme.
“Kina po ndan shumë teknologji, si mikroelektronikë, që janë kyçe për Rusinë që të ndërtojë raketa, armë që i përdor kundër Ukrainës”, tha ai, duke shtuar se “në një moment, duhet shqyrtuar një lloj të kostove ekonomike nëse Kina nuk ndryshon sjelljen”.
Pekini është nën sanksione për mbështetjen dhënë Rusisë. Muajin e kaluar, SHBA-ja njoftoi për sanksione që do t’i synonin rreth 20 firma me seli në Kinë dhe Hong Kong.
Kina ka mbrojtur tregtinë që po bën me Moskën, duke thënë se ajo nuk po shet armë vdekjeprurëse dhe “trajton me maturi eksportin e aktikujve me përdorim të dyfishtë në përputhje me ligjet dhe rregulloret”.
Vizita e Stoltenbergut në Washington erdhi ndërsa Kremlini njoftoi se Vladimir Putin do ta vizitojë Korenë e Veriut të martën.
“Rusia po rreshtohet gjithmonë e më tepër kah liderët autoritarë”, ka thënë Stoltenberg për “BBC”, duke listuar Iranin, Kinën dhe Korenë e Veriut.
Ai ka thënë se Koreja e Veriut ka dërguar predha të artilerisë në Rusi dhe në këmbim Rusia i ka dhënë Koresë së Veriut teknologji të avancuar për raketa dhe programe nukleare.
“Koreja e Veriut po e ndihmon Rusinë në luftën e agresionit kundër Ukrainës”, ka thënë Stoltenberg.
Duke folur para takimit me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, Stoltenberg ka thënë se mbi 20 shtete pritet të përmbushin kriterin e shpenzimit të 2 për qind të bruto produktit vendor për mbrojtje këtë vit.
“Kjo është mirë për Evropën dhe Amerikën, veçaërisht pasi shumica e këtyre para shtesë shpenzohen në SHBA”, ka thënë Stoltenberg.
Stoltenberg po ashtu ka folur lidhur me deklaratën që ka dhënë në intervistë prë “The Telegraph” të dielën, që tha se NATO po shqyrton të vë në gatishmëri armët nukleare.
Komentet u kritikuan nga Kremlini që tha se po përshkallëzon situatën.
Por, Stoltenberg tha se ishte “mesazh i përgjithshëm” se NATO është aleancë nukleare dhe se çdo sulm ndaj një anëtari të NATO-s mund të “nxisë reagim nga gjithë aleanca”.
“Qëllimi i NATO-s nuk është të luftojë një luftë, qëllimi është të parandalojë luftën”, ka thënë Stoltenberg.