Botë

Stërvitjet bërthamore të NATO-s nxitin tensione, thotë Kremlini

NATO

Foto: Associated Press

Kremlini ka thënë se stërvitja vjetore bërthamore e NATO-s që përfshin aeroplanë ushtarakë me aftësi bërthamore, e cila filloi të hënën, po nxit tensione në kohën e “një lufte të nxehtë” që po zhvillohet në Ukrainë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka bërë të ditur ditë më parë se NATO-ja do të fillonte stërvitjen e saj vjetore bërthamore "Steadfast Noon" të hënën.

Rutte e ka cilësuar stërvitjen si një shfaqje të aftësive parandaluese në sfondin e retorikës bërthamore të shtuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, raporton Reuters.

Avionët luftarakë F-35A dhe bombarduesit B-52 do të jenë në mesin e rreth 60 avionëve nga 13 vende që do të marrin pjesë në stërvitje, të organizuar nga Belgjika dhe Holanda, thanë zyrtarët e NATO-s. 

“Në kushtet e një lufte të nxehtë, e cila po zhvillohet në kuadrin e konfliktit të Ukrainës, ushtrime të tilla nuk çojnë në asgjë tjetër përveç përshkallëzimit të mëtejshëm të tensionit”, u ka thënë gazetarëve zëdhënësi i Kremlini, Dmitry Peskov.

Peskov ka shtuar se ishte gjithashtu e pamundur të zhvilloheshin bisedime për armët bërthamore me SHBA-në, diçka për të cilën Washingtoni ka sinjalizuar se është e hapur, sepse fuqitë bërthamore perëndimore ishin të përfshira në konfliktin kundër Rusisë dhe për këtë arsye, çdo bisedë për sigurinë do të duhej të ishte shumë më e gjerë në fushëveprim.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë pas dhënies së Çmimit Nobel për Paqe të premten e kaluar për Nihon Hidankyo, një lëvizje e të mbijetuarve japonezë të bombave atomike të SHBA-së të hedhura në Hiroshima dhe Nagasaki në fund të Luftës së Dytë Botërore, se SHBA-ja ishte gati të angazhohej në bisedime me Rusinë, Kinën dhe Korenë e Veriut pa parakushte, për të reduktuar kërcënimin bërthamor.

“Në kontekstin e luftës që po zhvillohet kundër Rusisë me përfshirje indirekte dhe madje direkte të fuqive bërthamore si Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca, është absolutisht e pamundur të flitet për këtë pa e lidhur çështjen me të gjitha aspektet e tjera të sigurisë”, ka deklaruar Peskov.

"Në fakt, presidenti ynë tashmë ka folur për këtë. Rusia i konsideron kontakte të tilla të nevojshme dhe ato nuk mund të shtyhen, por ne duhet t'i konsiderojmë të gjitha çështjet e sigurisë në tërësi, duke marrë parasysh gjendjen aktuale”, ka shtuar ai.