Botë

Starmer: Rusia mund ta sulmojë përsëri Ukrainën pa garanci të sigurisë nga SHBA-ja

Keir Starmer

Foto: Associated Press

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar të mërkurën se Rusia mund ta sulmojë përsëri Ukrainën, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ofrojnë garanci të sigurisë, derisa ka mbërritur në Washington për t’u takuar me presidentin amerikan, Donald Trump, shkruan The Guardian.

“Garancia e sigurisë duhet të jetë e qëndrueshme për ta ndaluar Putinin të mos kthehet përsëri, sepse shqetësimi im është se nëse ka armëpushim pa garanci, kjo do t’i jepte mundësi Putinit që të priste dhe të kthehej përsëri, për shkak se ambicia e tij në raport me Ukrainën është e dukshme”, ka thënë Starmer. 

Vizita e Starmerit vjen dy ditë pas vizitës së presidentit francez, Emmanuel Macron, që ishte lideri i parë evropian që vizitoi Trumpin që nga rizgjedhja e tij si president i SHBA-së. 

Më herët gjatë javës, Starmeri kishte bërë të ditur se Britania e Madhe është e gatshme t’i rrisë shpenzimet për mbrojtje nga 2.3% në 2.5% të bruto produktit vendor deri në vitin 2027.

Njoftimi për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes ka ardhur teksa vendet evropiane përpiqen të forcojnë mbrojtjen e tyre kolektive pasi presidenti amerikan po e ndryshon kursin e politikës së jashtme amerikane, duke anashkaluar Evropën.