Botë

Starmer, kryeministri i parë britanik që merr pjesë në një takim të BE-së që nga Brexit-i

Keir Starmer

Foto: Associated Press

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, është nisur të hënën për në Bruksel, për t’iu bashkuar një mbledhjeje të liderëve të Bashkimit Evropian, duke shënuar herën e parë që një kryeministër britanik e bën këtë që nga Brexiti.

Starmer do të qëndrojë në kryeqendrën e BE-së për bisedime, të fokusuara në bashkëpunimin e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe do të takohet gjithashtu me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, raporton BBC.

Kryeministri britanik po e konsideron pjesëmarrjen në këtë mbledhje si rregullim të raporteve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.

Qeveria ka premtuar se Mbretëria e Bashkuar nuk do t'i bashkohet sërish tregut të vetëm të BE-së ose bashkimit doganor, ose nuk do të nënshkruajë lirinë e lëvizjes.

Por ministrat britanikë duan një marrëdhënie më të mirë për mbrojtjen dhe sigurinë, krimin dhe tregtinë.

Ata shpresojnë ta zgjidhin këtë deri në pranverë dhe ta finalizojnë në një samit MB-BE, ndoshta në prill ose maj.

Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian po mblidhen për atë që përshkruhet si një "tërheqje joformale" në Palais d'Egmont në Bruksel, një pallat i shekullit të 16-të në zemër të kryeqytetit belg.

Sfondi i takimit duket të jetë lufta e vazhdueshme në Ukrainë dhe kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

BE-ja e pranon se duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj, një kërkesë e rëndësishme dhe e përsëritur e presidentit Trump, pasi ai kërcënon bllokun me taksa ose tarifa importi.

Pas vizitës të së hënës në Bruksel, kryeministri Starmer do të pritet në SHBA në javët e ardhshme.