Ministria e Brendshme e Spanjës ka shpallur gjendje emergjente pas ndërprerjes masive të energjisë elektrike të hënën, shkruan “BBC”.
Spanja e Portugalia janë përballur me ndërprerje masive të rrymës të hënën, duke shkaktuar kaos në komunikacion ndër të tjera. Shkaqet e problemeve janë ende duke u hetuar, por aktualisht është përjashtuar mundësia e një sulmi kibernetik.
Ministria e Brendshme e Spanjës ka thënë se statusin e gjendjes emergjente mund ta aplikojnë rajonet që e kërkojnë atë. Deri më tash Madridi, Andalusia dhe Extremadura kanë kërkuar nga qeveria qendrore të marrin në përgjegjësi rendin publik dhe funksionet tjera.
E operatori energjetik në Spanjë, “Red Electrica”, ka thënë se ka nisur rikthimi i rrymës në disa zona në jug e veri. Ka thënë se është rikthyer 20 për qind e energjisë.
Ka pasur anulime të fluturimeve si në Spanjë ashtu edhe Portugali.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka deklaruar para mediave se ndërprerja e energjisë elektrike ka ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e banorëve, por shtoi se qeveria po punon në zgjidhjen e këtij problemi “sa më shpejtë që të jetë e mundur”.
Ai ka shtuar se po punohet intensivisht në rikthimin e furnizimit falë ndërlidhësve me Francën dhe Marokun dhe burimeve vendase të energjisë.
Sanchez përmendi një “luhatje të fortë teknike në sistemin evropian të energjisë elektrike”.
“S’po e përjashtojmë asnjë hipotezë, por duhet të fokusohemi në atë që është më e rëndësishmja, që është rikthimi i energjisë elektrike në shtëpitë tona”, ka thënë ai.