Spanja do ta eliminojë përkohësisht taksën në shitje për vajin e ullirit, në mënyrë që të ndihmohen konsumatorët të përballen me çmimet që kanë shkuar në qiell, ka bërë të ditur të martën qeveria spanjolle.
Spanja është prodhuesi dhe eksportuesi kryesor botëror i vajit të ullirit, por kostoja e tij për konsumatorët vendas është rritur në mënyrë dramatike për shkak të presioneve globale inflacioniste dhe një thatësire të zgjatur që shkatërroi furnizimet.
Çmimet janë rritur edhe në vendet e tjera të Mesdheut, raporton AP.
Çmimi i vajit të ullirit është rritur për 272% që nga shtatori i vitit 2020, sipas ministrisë spanjolle të Bujqësisë. Një shishe pesë- litërshe e vajit të ullirit mund të kushtojë mbi 50 euro në tregun spanjoll.
Spanjollët e përdorin vajin e ullirit për të përgatitur dhe për t’i dekoruar sanduiqët, sallatat, perimet dhe ushqimet e tjera.
Vitin e kaluar, banorët spanjollë konsumuan mesatarisht 6 litra vaj ulliri për person, krahasuar me 0.4 litra për konsumatorët ndërkombëtarë, sipas të dhënave të ministrisë spanjolle së Bujqësisë.
Qeveria ka ulur tashmë taksën e shitjes për vajin e ullirit nga 10% në 5% si pjesë e një pakete kundër inflacionit.
Nuk do të aplikohet taksë shitjeje për vajin e ullirit nga korriku deri në shtator, kur do të taksohet me 2% deri në fund të vitit. Që atëherë, ai do të taksohet me 4% dhe do të konsiderohet një ushqim bazë.
Ministrja spanjolle e Thesarit, Maria Jesus Montero, ka thënë se vendimi pasqyron "rëndësinë e vajit të ullirit në dietën mesdhetare dhe një mënyrë jetese të shëndetshme”.