Spanja thotë se do t’i bashkohet rastit të ngritur nga Afrika e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), që e akuzon Izraelin për gjenocid në Gazë.
“Ne e kemi marrë këtë vendim për shkak të operacionit të vazhdueshëm ushtarak në Gaza. Ne duam që paqja të kthehet në Gaza dhe në Lindjen e Mesme, dhe që kjo të ndodhë, ne të gjithë duhet të mbështesim gjykatën”, ka thënë ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares.
Spanja është vendi i parë evropian që ndërmerr këtë hap pasi Afrika e Jugut paraqiti çështjen e saj në gjykatën më të lartë të Kombeve të Bashkuara, në fund të vitit të kaluar.
Meksika, Kolumbia, Nikaragua, Libia dhe palestinezët kanë kërkuar tashmë t’i bashkohen çështjes, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Gjykata ka urdhëruar Izraelin të ndalojë menjëherë ofensivën e tij ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah, por nuk ka dhënë urdhër për armëpushim. Izraeli nuk ka respektuar urdhrin.
Izraeli e mohon se po kryen gjenocid në Gaza.
Spanja, Norvegjia dhe Irlanda njohën zyrtarisht një shtet palestinez më 28 maj në një përpjekje të koordinuar nga tre vendet e Evropës Perëndimore për të shtuar presionin ndërkombëtar mbi Izraelin.