Friedrich Merz është politikani që mund të bëhet kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, pasi që aleanca e tij konservatore CDU/CSU ka siguruar në zgjedhjet e së dielës 28.5–29 për qind të votave, sipas rezultateve preliminare. Me 19.5–20 për qind të votave, e dyta është renditur partia e së djathtës ekstreme “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), e cila e ka dyfishuar rezultatin krahasuar me zgjedhje e vitit 2021. Bazuar në shifrat e publikuara nga transmetuesit publikë, ARD dhe ZDF, partia e tretë në zgjedhje ka dalë ajo Socialdemokrate e kancelarit aktual, Olaf Scholz
Aleanca konservatore CDU/CSU, e udhëhequr nga Friedrich Merz, i ka fituar zgjedhjet e përgjithshme të së dielës në Gjermani, me 28.5–29 për qind të votave të siguruara, ka treguar rezultatet preliminare.
Me 19.5–20 për qind të votave, e dyta është renditur partia e së djathtës ekstreme “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), e cila e ka dyfishuar rezultatin krahasuar me zgjedhje e vitit 2021.
Bazuar në shifrat e publikuara nga transmetuesit publikë, ARD dhe ZDF, partia e tretë në zgjedhje ka dalë ajo Socialdemokrate e kancelarit aktual, Olaf Scholz.
Pas publikimit të rezultatit nga dy mediet më të besueshme në Gjermani, Merzi ka paralajmëruar për përgatitjet që të hënën t’ia nisë punën për formimin e qeverisë së re federale.
“Do të doja ta shprehja respektin tim për rivalët politikë”, ka thënë ai, duke iu referuar njerëzve nga radhët e partive centriste. “Ishte fushatë shumë e nxehtë. Tani duhet të bisedojmë bashkë dhe sa më parë që është e mundur ta formojmë qeverinë ashtu që Gjermania të mund të ndërmarrë veprime në mënyrë që t’i bëjmë gjërat siç duhet në shtëpi, të jemi të pranishëm në Evropë dhe të sigurohemi që bota të shohë se Gjermania ka sërish një qeveri të qëndrueshme”.
Por ngritja dramatike e AfD-së do të përbëjë ndërlikime për formimin e Qeverisë së re federale, prej së cilës pritet që t’i prijë përgjigjes së Evropës karshi kërcënimeve globale në rritje.
Kandidatja për kancelare e kësaj partie, Alice Weidel, ka festuar për rezultatin e arritur në zgjedhje bashkë me zyrtarë tjerë të AfD-së, përfshirë politikanin e njohur për qëndrime ekstremiste, Bjorn Hocke, i cili u pati dënuar për përdorimin e sloganit nazist “Alles fur Deutschland” gjatë fjalimeve të fushatës.
“Është sukses historik për ne – rezultati ynë më i mirë ndonjëherë”, tha Weideli për ARD-në. “Ia zgjasim dorën tonë të bashkëpunimit CDU-së. Përndryshe, ndryshimi nuk do të jetë i mundur në Gjermani”.
Megjithëkëtë, asnjë parti nuk ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në formimin e Qeverisë me AfD-në anti-emigracion e pro-Kremlin, e cila ka gjeneruar mbështetje nga i besuari i presidentit amerikan, Donald Trump – Elon Musk, dhe nga nënpresidenti, JD Vance.
Presidenti Trump e ka përshëndetur rezultatin e zgjedhjeve të Gjermanisë.
“Pak a shumë sikurse në SHBA, populli i Gjermanisë është lodhur nga agjenda të paarsyeshme, veçmas për energji dhe emigracion”, ka shkruar ai në Truth Social. “Është ditë e madhe për Gjermaninë”.
Por Merz ka shpërfaqur gjuhë të matur, duke thënë se Trumpi ka “bërë të qartë se qeveria (e tij) është krejtësisht indiferente karshi fatit të Evropës” dhe se Gjermania duhet të presë për të parë “nëse do të jemi në gjendje të flasim për NATO-n në formën e saj aktuale”, kur aleanca të takohet në samitin e ardhshëm të qershorit.
Ai ka shtuar se nuk ka hequr dorë nga shpresa se Ukraina do të përfshihet në negociatat me Rusinë për të ardhmen e saj, mbase me “intervenimin e Kongresit amerikan” në të mirë të Kievit e karshi çdo përpjekjeje për përjashtim nga Trumpi.
E kancelari në largim, Olaf Scholz, ka shfaqur performancën më të keqe të socialdemokratëve që pas Luftës së dytë botërore, duke siguruar rreth 16 për qind të votave, sipas projeksioneve. Ai e ka udhëhequr qeverinë tripartiake deri në rrëzimin e saj në nëntorin e shkuar shkaku i përplasjeve rreth prioriteteve në shpenzime, vetëm pak orë pas rizgjedhjes së Trumpit.
Rezultatin e zgjedhjeve Scholzi e ka quajtur “të hidhur” dhe “disfatë”. Duke folur para mbështetësve në Berlin, Scholz ka thënë se është koha që “të pranojmë se kemi humbur zgjedhjet” dhe e ka uruar Merzin për fitoren.
Votuesit i kanë ndëshkuar edhe partnerët më të vegjël të Scholzit në koalicion, Të Gjelbrit, të cilët siguruan rreth 13.5 për qind të votave, si dhe Demokratët e Lirë pro-biznes (FDP), që nuk pritet ta kalojnë pragun prej 5 për qind për përfaqësim në Parlament.
Zgjedhjet e së dielës janë dominuan nga shqetësimet për stagnimin shumëvjeçar të ekonomisë më të madhe të Evropës dhe me presionin për të frenuar migracionin. Ato u zhvilluan në një sfond të pasigurisë në rritje për të ardhmen e Ukrainës dhe aleancën e Evropës me Shtetet e Bashkuara. Gjermania është vendi më i populluar në BE-në 27-vendesh dhe një nga anëtaret kryesore në NATO. Ajo ka qenë furnizuesi i dytë më i madh i armëve për Ukrainën. Pas SHBA-së, do të jetë qendrore në formësimin e përgjigjes së kontinentit ndaj sfidave të viteve të ardhshme, duke përfshirë politikën konfrontuese të jashtme dhe tregtare të administratës Trump.
Më shumë se 59 milionë njerëz në shtetin prej 84 milionë banorësh kanë pasur të drejtë të zgjidhnin 630 anëtarët e dhomës së ulët të parlamentit, Bundestagut, të cilët do të zënë vendet e tyre nën kupolën e xhamit të ndërtesës historike të Reichstagut të Berlinit.
Dalja në zgjedhje ka qenë 83 për qind, në krahasim me 76.6 për qind më 2021.
