Partia Socialdemokrate (SPD) e kancelarit gjerman Olaf Scholz dukej se do t’i shmangej të djathtës ekstreme në zgjedhjet shtetërore në Brandenburg të dielën, pasi dolën pas Alternativës për Gjermaninë (AfD) gjatë gjithë fushatës, treguan sondazhet e rezultateve zgjedhore.
SPD-ja, e cila e ka qeverisur shtetin përreth kryeqytetit Berlinit që nga ribashkimi në vitin 1990, arriti 31.8% të votave, përpara Alternativës për Gjermaninë e ekstremit të djathtë me 29.2%, në një rikthim të minutës së fundit, sipas sondazhit të daljes nga transmetuesi ZDF.
Suksesi i SPD-së mund t’i japë Scholzit një lehtësim nga diskutimet partiake sa i përket përshtatshmërisë së tij për të qenë edhe një herë kandidat për kancelar në zgjedhjet federale të planifikuara për shtatorin e ardhshëm, duke e pasur parasysh jopopullaritetin e tij me votuesit, raporton Reuters.
Megjithatë, nuk ka gjasa që kjo do t’i japë atij ose partisë së tij shtysë të madhe, duke e pasur parasysh se kandidati kryesor aktual i SPD-së, Dietmar Woidke, ishte distancuar nga Scholzi gjatë fushatës dhe i ka kritikuar politikat e qeverisë federale.
“Dietmar Woidke dhe SPD-ja e tij e Brandernburgut kanë bërë një rikthim të furishëm gjatë javëve të fundit”, ka thënë sekretari gjeneral i partisë, Kevin Kuehnert.
“Për ne në SPD-në federale, këtë mbrëmje, nëse gjërat shkojnë mirë, problemet që na presin nuk kanë mundur të bëhen më të mëdha. Por nuk janë bërë as më të vogla”.
Tre të katërtat e atyre që votuan për SPD-në nuk e bënë këtë me bindje, por për ta shmangur AfD-në, sipas sondazhit të publikuar nga transmetuesi ARD. Pjesëmarrja u rrit në 73% nga 61% të pesë vjetëve më parë, sipas ZDF-së.
SPD-ja po merr vetëm 15% në nivel kombëtar, nga 25.7% që shënoi në zgjedhjet federale të vitit 2021. Është prapa AfD-së me rreth 20% dhe konservatorëve të opozitës me 32%.
Të tri partitë në koalicionin e Scholzit janë aktualisht në sondazhe me rreth 30%, më pak se konservatorët të vetëm.
Sondazhet në Gjermani: Partia Socialdemokrate fitoi përqindjen më të madhe të votave
Sipas sondazheve të publikuara nga transmetuesi rajonal gjerman, ARD, Partia Social Demokrate (SPD), ka fituar 31 për qind të votave në zgjedhjet rajonale të mbajtura në Brandenburg, me partinë Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) e dyta pas saj me 30 për qind.
Partia Unioni Demokristian (CDU) dhe Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) kanë dalë me 12 për qind të votave, ka raportuar TheGuardian.
Partitë e themeluara kanë kundërshtuar të bashkëpunojnë me AFD-në, çka do të thotë se nuk do të bëjnë koalicion me partinë e ekstremit të djathtë.