Në Skoci s’do të përdoren injeksionet që ndalojnë pubertetin nën moshën 18-vjeçare
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Skocisë ka ndërprerë trajtimin me bllokues të pubertetit për fëmijët nën 18 vjeç, trajtime këto që realizohen përmes injeksioneve mujore të hormoneve, raporton BBC.
Ky trajtim me bllokues të pubertetit ndalon zhvillimin e organeve seksuale, gjoksit dhe qimeve të trupit dhe ndihmon personat që dëshirojnë të ndryshojnë gjininë e tyre, duke i bërë më të lehta operacionet kirurgjike për ndryshimin e seksit.
Klinika Sandyford në Glasgow ka njoftuar gjithashtu se edhe pacientët e rinj të moshës 16 ose 17 vjeç nuk do të marrin më trajtime hormonale deri në moshën 18 vjeç.
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Anglisë pati konfirmuar se do të ndalojë së përshkruari bllokues të pubertetit në muajin mars.
Bllokuesit e pubertetit pengojnë lirimin e hormoneve që shkaktojnë pubertetin.
Ashtu si në pjesët e tjera të Mbretërisë së Bashkuar, edhe në Skoci është rritur numri i të rinjve që vënë në dyshim identitetin e tyre.
I vetmi shërbim i specializuar për moshat nën 18 vjeç është klinika Sandyford në Glasgow, ku njerëzit mund të vetë referohen ose mund të referohen nëpërmjet mjekut të tyre të përgjithshëm.
Sipas shifrave të siguruara nga BBC Scotland News, në fund të vitit 2023, 1.100 pacientë ishin në listën e pritjes.
Bordi shëndetësor i Glasgow ka bërë të ditur se pacientët janë njoftuar zyrtarisht, megjithatë pacientët ekzistues që marrin trajtim aktualisht nuk do të preken.
Vic Valentine, nga “Scottish Trans and the Equality Network”, ka thënë se ndalimi i bllokuesve të pubertetit është vendim i gabuar dhe se do të dëmtojë fëmijët dhe të rinjtë transgjinorë.