Botë

Skandali i spiunazhit që tronditi Austrinë

Ambasada e Rusisë në Vjenë

Ambasada e Rusisë në Vjenë

Foto: Associated Press

Ish–zyrtari të inteligjencës austriake Egisto Ott është arrestuar më 29 mars nën dyshimet se i ka dorëzuar inteligjencës ruse të dhënat e telefonave celularë të ish-zyrtarëve të lartë austriakë. Arrestimi i tij ka nxjerrë në pah prova të infiltrimit të gjerë rus në strukturat e shtetit austriak dhe të mbikëqyrjes së dobët shtetërore. Ott dyshohet se ka ndihmuar edhe në planifikimin e një vjedhjeje në apartamentin e një gazetari të njohur, i cili gjurmoi zyrtarët rusë që dyshohet se ishin përfshirë në helmimin e një ish-zyrtari të inteligjencës ruse dhe liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny

Austria është duke u përballur me skandalin më të madh të spiunazhit në dekada pasi arrestimi i një ish – zyrtari të inteligjencës ka nxjerrë në pah prova të infiltrimit të gjerë rus, mbikëqyrjes së dobët shtetërore dhe një ngjarje që mund t’u përkiste novelave për spiunazh.

Egisto Ott u arrestua më 29 mars. Urdhërarresti prej 86 faqesh, i siguruar nga agjencia e lajmeve Associated Press, pretendon ndër të tjera, se ai i ka dorëzuar inteligjencës ruse të dhënat e telefonave celularë të ish-zyrtarëve të lartë austriakë, duke ndihmuar edhe në planifikimin e një vjedhjeje në apartamentin e një gazetari të njohur i cili gjurmoi zyrtarët rusë që dyshohet se ishin përfshirë në helmimin e një ish-zyrtari të inteligjencës ruse dhe liderit të opozitës ruse Alexei Navalny.

Ott dyshohet se i ka dhënë informacione të ndjeshme Jan Marsalekut, një austriak i kërkuar nën dyshimin për mashtrim që nga kolapsi në vitin 2020 i kompanisë gjermane të pagesave “Wirecard”, ku ai ishte shefi operativ. Sipas urdhërarrestit mesazhet e bisedave të ofruara nga autoritetet britanike e lidhin Marsalekun drejtpërdrejt me agjencinë ruse të inteligjencës FSB. 

Mediat gjermane dhe austriake kanë raportuar se Marsalek besohet të ketë pasur lidhje me inteligjencën ruse që prej, të paktën, vitit 2014. Ai tani mendohet të jetë në Rusi.

Thomas Riegler, historian dhe ekspert spiunazhi i lidhur me Qendrën Austriake për Inteligjencën, Propagandën dhe Studimet e Sigurisë, ka treguar se rasti ka “potencialin për një nga historitë më të mëdha të spiunazhit në historinë e fundit austriake”.

“Rasti është i veçantë duke pasur parasysh dimensionin e tij ndërkombëtar dhe faktin që nuk ka të bëjë vetëm me spiunazhin, por edhe me infiltrimin në sistemin politik austriak dhe dobësimin e sigurisë së brendshme të vendit”,  ka theksuar ai.

Austria, e cila ndodhej pranë Perdes së Hekurt gjatë Luftës së Ftohtë dhe kishte lidhje të mira për një kohë të gjatë me Moskën, është një anëtare e Bashkimit Evropian me një politikë neutraliteti ushtarak - dhe një reputacion të kamotshëm si një qendër spiunazhi.

Shthurja e rrjetës së merimangës 

Ott, një ish-polic, ishte zyrtar i inteligjencës në Turqi dhe Itali nga viti 2001 deri në vitin 2012, përpara se të vazhdonte të menaxhonte agjentët e fshehtë në Agjencinë e Inteligjencës vendase, tashmë të shuar, të Austrisë, BVT.

Ai u pezullua nga BVT-ja në vitin 2017 kur u shfaqën për herë të parë akuzat se ai mund të spiunonte për Rusinë, por një vit më vonë u caktua për të punuar për akademinë e policisë austriake. Në vitin 2021, ai u pezullua në pritje të hetimeve të mëtejshme për lidhjet e tij të supozuara me Rusinë dhe u mor në paraburgim. Autoritetet arritën në përfundimin se provat ishin shumë të pakta dhe e liruan atë rreth katër javë më vonë.

Në BVT, Ott shërbeu nën Martin Weissin, ish-shefin e operacioneve të inteligjencës austriake. Prokurorët pretenduan se Ott dhe Weiss kanë një “miqësi të ngushtë”.  Në urdhërarrestin, ata thonë se Weiss filloi të punonte për Marsalekun dhe kompaninë “Wirecard” pasi u largua nga agjencia e inteligjencës në vitin 2018 dhe se ai i kaloi urdhrat nga Marsalek dhe operativët rusë në Ott. Sipas urdhrit të arrestit, Marsalek, në një mesazh me tekst theksoi se ai ndihmoi “evakuimin” e Weissit në Dubai.

Avokati i Ottit nuk pranoi të komentonte, duke thënë se ai vetëm së fundmi kishte marrë përsipër mbrojtjen e Ott. Ky i fundit ka mohuar më parë akuzat për spiunazh dhe çdo pretendim tjetër.

Marsalek, 44 vjeç, duket se është “merimanga në rrjetë” që po “tërheq fijet”, ka theksuar Riegler. AP-ja nuk mori asnjë përgjigje të menjëhershme në një email që kërkonte koment nga avokati i Marsalekut.

Disidentë, spiunë dhe baza të të dhënave

Sipas urdhërarrestit, midis viteve 2017 dhe 2021, Ott mblodhi informacione të ndjeshme për njerëzit me interes për Rusinë “me qëllim transmetimin tek Jan Marsalek dhe tek përfaqësuesit e panjohur të autoriteteve ruse” duke kryer kërkime të shumta në bazat e të dhënave të policisë kombëtare.

Ott dyshohet se kërkoi gjithashtu të dhëna nga sistemi i informacionit të zonës së udhëtimit pa kufij të Evropës për të verifikuar nëse operativët e dyshuar rusë dhe ish-punonjësit e “Wirecardit” ishin në kërkim ose subjekt i kufizimeve të udhëtimit.

Urdhërarresti përmban një listë të gjatë të personave që u spiunuan, duke përfshirë disidentë rusë, biznesmenë dhe një ish-zyrtar që ishte larguar nga FSB-ja.

Bastisje, vjedhje, mësime të marra 

Teksa akuzat se Ott kërkoi informacion për Rusinë u shfaqën për herë të parë në vitin 2017, inteligjenca britanike së fundmi i dha Austrisë informacione të reja të rëndësishme.

Pesë shtetas bullgarë që dyshohet se punonin si pjesë e një rrjeti me Marsalekun u arrestuan vitin e kaluar në Britani dhe një tjetër në shkurt. Sipas urdhërarrestit ndaj Ott, mesazhet e bisedës midis Marsalekut dhe një prej të dyshuarve në atë rast, Orlin Roussev, që u kapën nga agjencia britanike e inteligjencës MI5, tregojnë për operacione të mëtejshme nga Marsaleku dhe ndihmësit e tij austriakë.
Vetëm pesë javë pasi Ott u lirua nga paraburgimi në vitin 2021, prokurorët thonë se ai kërkoi adresën e gazetarit investigues bullgar Christo Grozev, në Vjenë dhe ia dha Marsalekut. Ata thonë se Marsalek më vonë porositi një ekip që të hynte në banesën e Grozevit dhe të vidhte një laptop dhe një USB.
Grozev, i cili gjurmoi zyrtarët rusë që dyshohet se ishin përfshirë në helmimin e ish-zyrtarit të inteligjencës ruse Sergei Skripal në vitin 2018 dhe liderit të opozitës ruse Alexei Navalny në 2020, u zhvendos nga Vjena vitin e kaluar, pasi autoritetet austriake i thanë atij se nuk mund të garantonin më sigurinë e tij.

Ott dyshohet se kapi gjithashtu celularët e tre ish-zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Brendshme austriake, duke përfshirë ish-shefin e kabinetit të një ministri.

Prokurorët thonë se telefonat iu dhanë një agjenti të panjohur që punonte për Marsalekun në apartamentin e ish-dhëndrit të Ott në Vjenë dhe “u transferuan në Moskë për analiza të mëtejshme”. Ata thonë se telefonat përmbanin “të dhëna të ndjeshme zyrtare dhe private”.

Ott dyshohet se ndihmoi gjithashtu Marsalek të kontrabandonte një kompjuter të vjedhur SINA,  pajisje e përdorur nga shumë qeveri evropiane për transmetimin e informacionit të klasifikuar, në Moskë. Sipas prokurorëve,  pas dorëzimit në të njëjtin apartament në Vjenë, Marsalek shkroi në një mesazh se pajisja u transportua me sukses në Lubyanka - ku FSB-ja  ka selinë e saj në Moskë.

Hetuesit gjetën gjithashtu një “analizë të nxjerrë nga mësimet” në telefonin celular të Ott-it që përmbante “sugjerime për përmirësim” për operacionet e inteligjencës ruse në Evropë, pas vrasjes në Berlin në vitin 2019 të një shtetasi gjeorgjian me etni çeçene. Një burrë rus u kap dhe u dënua në atë rast; Gjykatësit gjermanë thanë se ai veproi me urdhrat e autoriteteve ruse.

Mst: Çka do të bëjë Austria tash? 

Ott mbetet në paraburgim në pritje të një vendimi nëse do të akuzohet zyrtarisht, një proces që ka të ngjarë të marrë pak kohë.

Megjithatë, rasti ka dominuar në titujt e lajmeve, me parti të ndryshme politike që fajësojnë njëra-tjetrën për dështimin e ndalimit të Ottit më herët.

Kancelari austriak, Karl Nehammer të martën e kësaj jave ka thirrur një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ka thënë se vendi duhet të rrisë sigurinë e tij për të penguar infiltrimin rus.

Ministrja e tij e drejtësisë a theksuar se ajo planifikon të ashpërsojë ligjet e vendit për spiunazhin, i cili aktualisht është i ndaluar në mënyrë eksplicite nëse drejtohet kundër vetë Austrisë, por jo nëse synon vende të tjera ose organizata ndërkombëtare.

Përktheu Blerta Haxhiu