Botë

S’ka përparim në bisedimet për rikthimin e armëpushimit në Gazë

gaza

Foto: Associated Press

Rundi i fundit i bisedimeve në Kajro për rikthimin e armëpushimitn në Gazë dhe lirimin e pengjeve izraelitë, ka përfunduar pa ndonjë përparim të dukshëm, kanë bërë të ditur të hënën burime palestineze dhe egjiptiane.

Burimet kanë thënë se Hamasi kishte qëndruar në pozicionin e tij se çdo marrëveshje duhet të çojë në përfundimin e luftës në Gaza.

Izraeli, i cili rifilloi fushatën e tij ushtarake në Gaza muajin e kaluar pas përfundimit të armëpushimit të rënë dakord në janar, ka thënë se nuk do t'i japë fund luftës derisa Hamasi të zhduket. Mirëpo, grupi militant ka përjashtuar çdo propozim që të heqë armët, raporton Reuters.

Por pavarësisht kësaj mosmarrëveshjeje thelbësore, burimet kanë thënë se një delegacion i Hamasit i kryesuar nga shefi i grupit të Gazës, Khalil Al-Hayya, ka treguar pak fleksibilitet mbi numrin e pengjeve që mund të lironte në këmbim të të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli nëse zgjatej një armëpushim.

Një burim egjiptian i ka thënë Reuters se propozimi i fundit për zgjatjen e armëpushimit do ta bënte Hamasin të lironte një numër të shtuar pengjesh. Ministri izraelit Zeev Elkin, një anëtar i kabinetit të sigurisë të kryeministrit, Benjamin Netanyahu, i ka thënë Radio Army të hënën se Izraeli po kërkon lirimin e rreth 10 pengjeve, pasi Hamasi ishte pajtuar për të liruar pesë.

Hamasi ka kërkuar më shumë kohë për t'iu përgjigjur propozimit të fundit, ka thënë burimi egjiptian.