Fuqitë evropiane, duke përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, kanë thënë se duhet të jenë pjesë e çdo negociate të ardhshme për fatin e Ukrainës, duke nënvizuar se vetëm një marrëveshje e drejtë me garancitë e sigurisë do të siguronte paqe të qëndrueshme.
“Objektivat tanë të përbashkët duhet të jenë të vendosim Ukrainën në një pozicion të fortë. Ukraina dhe Evropa duhet të jenë pjesë e çdo negociate”, kanë thënë shtatë vende evropiane dhe Komisioni Evropian në një deklaratë të përbashkët pas një takimi të ministrave të jashtëm në Paris, raporton The Guardian.
“Ukrainës duhet t'i sigurohen garanci të forta sigurie. Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme në Ukrainë është një kusht i domosdoshëm për një siguri të fortë transatlantike”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se fuqitë evropiane mezi presin të diskutojnë rrugën përpara me aleatët e tyre amerikanë.
Takimi u zhvillua pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se kishte folur me presidentin rus, Vladimir Putin dhe se dyshja ishin gati të fillonin menjëherë negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Zhvillimet e shpejta kanë shqetësuar Evropën, teksa Putini dhe Trumpi duket se po negociojnë të ardhmen e sigurisë së kontinentit mbi kokat e vetë liderëve evropianë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth do të takohet me dhjetëra ministra të NATO-s në Bruksel të enjten, pas takimit me një grup kontakti të ministrave të Mbrojtjes të Ukrainës të mërkurën në Bruksel.
“Nuk do të ketë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë pa pjesëmarrjen e evropianëve”, ka thënë ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot në takimin e ministrave nga Franca, Britania, Gjermania, Polonia, Italia, Spanja, Ukraina dhe Komisioni Evropian të mërkurën.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, dhe ai i Spanjës, Jose Manuel Albares Bueno kanë thënë në takim se asnjë vendim për Ukrainën nuk mund të merret "pa Ukrainën" dhe u bënë thirrje vendeve të BE-së të tregojnë unitet për këtë çështje.
LEXO EDHE: