Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar të hënën se asnjë motiv politik nuk qëndron prapa arrestimit në Paris të shtunën, të shefit ekzekutiv të aplikacionit të mesazheve "Telegram", Pavel Durov.
Deklarata e Macronit në platformën sociale “X” shënon konfirmimin e parë zyrtar të arrestimit të Durovit, gati dy ditë që kur ai u ndalua në aeroportin Le Bourget jashtë Parisit, pak pasi u ul atje me një avion privat nga Azerbajxhani, raporton Reuters.
Mungesa e konfirmimit zyrtar kishte çuar në spekulime për arsyet e ndalimit të tij.
Macroni ka thënë se kishte lexuar "informacion të rremë në lidhje me Francën pas arrestimit të Pavel Durov", teksa ka shtuar se Franca është thellësisht e përkushtuar ndaj fjalës së lirë.
“Arrestimi i presidentit të Telegramt në territorin francez u bë si pjesë e një hetimi gjyqësor. Ky nuk është në asnjë mënyrë një vendim politik. Është në dorën e gjyqtarëve të vendosin”, ka shkruar Macron.
Një zëdhënës i policisë i ka thënë Reuters se Durov është nën hetim nga zyrat kombëtare të krimit kibernetik dhe mashtrimit, për dështimin për të bashkëpunuar mbi krimet kibernetike dhe financiare në Telegram, një aplikacion popullor i mesazheve dhe mediave sociale i ngjashëm me WhatsApp. Ai është ende në paraburgim, sipas zëdhënësit.
Arrestimi i Durovit shkaktoi kritika nga pronari i “X”, Elon Musk, i cili tha se po goditej liria e fjalës në Evropë.
Tensionet midis Francës dhe Rusisë janë rritur prej muajsh, pasi autoritetet franceze po akuzonin Rusinë se po përpiqej ta destabilizonte atë përpara Olimpiadës së Parisit, në përgjigje të qëndrimit të saj më të ashpër ndaj luftës në Ukrainë. Rusia i ka mohuar këto pretendime.
Durov, një miliarder 39-vjeçar, i njohur si "Mark Zuckerberg i Rusisë" ka shtetësi të dyfishtë franceze dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe. I vlerësuar nga Forbes se ka një pasuri prej 15.5 miliardë dollarësh, Durov ka deklaruar në prill se disa qeveri kishin kërkuar t'i bënin presion, por aplikacioni duhet të mbetet një platformë neutrale dhe jo një "lojtar në gjeopolitikë".
“Telegrami” nuk ka dhënë detaje të arrestimit, por ka thënë se kompania me bazë në Dubai i respektonte ligjet e Bashkimit Evropian dhe moderimi i saj ishte "brenda standardeve të industrisë dhe vazhdimisht po përmirësohej".
“CEO i Telegram Pavel Durov nuk ka asgjë për të fshehur dhe udhëton shpesh në Evropë. Është absurde të pretendosh se një platformë ose pronari i saj janë përgjegjës për abuzimin e asaj platforme”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga “Telegram”.
LEXO EDHE: