Kur administrata e Donald Trumpit urdhëroi pezullimin 90-ditor të pothuajse të gjithë ndihmës ndërkombëtare, spitali i kampit Mae La në Tajlandë u detyrua t’i mbyllte dyert e tij, duke tronditur komunitetin e refugjatëve. Rosella, nëntëvjeçare, u transferua në një qendër shëndetësore të improvizuar aty pranë, së bashku me pacientë të tjerë me sëmundje kronike. Por, nuk ka më mjekë për t’i trajtuar
Tubat e plastikës në hundën e Rosellas dalin nga një rezervuar oksigjeni që është më i madh se ajo, ndërsa ajo shfleton një bllok me vizatimet e saj: një lule, një shtëpi, një pulë.
9-vjeçarja ka nevojë për kujdes mjekësor pa ndërprerje për shkak të gjendjes së saj, me të cilën përballet qëkur ka lindur. Brinjët e saj ushtrojnë presion në mushkëri, duke bërë që njëra prej tyre të mos i funksionojë siç duhet.
“Ajo nuk mund të marrë frymë siç duhet”, thotë nëna e saj, Rebecca, 27 vjeçe, për CNN-in. “Ajo ka nevojë për furnizim të vazhdueshëm me oksigjen”.
Rosella dhe nëna e saj janë refugjatë që jetojnë në një nga nëntë kampet e largëta të vendosura përgjatë kufirit malor të Tajlandës me Birmaninë.
Rreth 100 mijë njerëz jetojnë në kampe, pasi kanë ikur për dekada me radhë nga luftimet midis Ushtrisë së Birmanisë dhe grupeve rebele të pakicave etnike. Situata në kufi është përkeqësuar vitet e fundit nga puçi i juntës dhe lufta civile që pasoi.
Mae La është kampi më i madh dhe spitali i tij, i financuar nga SHBA-ja, është i vetmi burim i kujdesit shëndetësor për më shumë se 37 mijë njerëz që jetojnë atje, kryesisht nga minoriteti etnik Karen.
Kur administrata Trump urdhëroi pezullimin 90-ditor të pothuajse të gjithë ndihmës ndërkombëtare, spitali i kampit u detyrua t’i mbyllte dyert, duke tronditur komunitetin e refugjatëve.
Në një video të publikuar nga refugjatët në rrjetet sociale shihen pacientët të cilët lënë shtretërit e tyre të spitalit.
Rosella u transferua në një qendër shëndetësore të improvizuar aty pranë, së bashku me pacientë të tjerë me sëmundje kronike. Por, nuk ka më mjekë për t’i trajtuar.
Punonjës të shumtë të ndihmës në Tajlandën veriore, veçanërisht ata që ofrojnë shërbime për disa nga njerëzit më të cenueshëm dhe më të varfër në botë në të dy anët e kufirit, përshkruan panikun dhe konfuzionin pas pezullimit të papritur të ndihmës.
Disa i thanë CNN-it se kishin fonde vetëm për dhjetëra mijëra njerëz, për një periudhë prej një muaji e gjysmë.
“Ne kurrë nuk jemi përballur me një problem si ky më parë”, tha Saw Bweh Say, sekretar i Komitetit të Refugjatëve Karen, i cili përfaqëson refugjatët në kampet tajlandeze.
Ankthi për ilaçet dhe ushqimin
Refugjatët në kampet kufitare tajlandeze jetojnë në një mjedis të brishtë dhe të izoluar.
Ata nuk mund të punojnë ligjërisht dhe kanë nevojë për leje edhe për të dalë nga kampi. Qeveria tajlandeze i konsideron kampet vendbanime të përkohshme, por disa komunitete kanë qenë atje për breza të tërë.
Shërbimet bazë si kujdesi shëndetësor, arsimimi, rrjeti i kanalizimit, furnizimi me ujë dhe ushqimi ofrohen nga donatorë ndërkombëtarë. Në Mae La, dhe gjashtë kampe të tjera, ato fonde vijnë pothuajse tërësisht nga SHBA-ja, donatori më i madh i ndihmës në botë, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit.
Ndonëse spitalet e kampeve janë shumë të ngjashme me klinikat e improvizuara fushore, me çati prej kallaji dhe me probleme të vazhdueshme me energjinë elektrike, ato janë burimi i vetëm i kujdesit shëndetësor për dhjetëra mijëra njerëz.
“Nëse kemi ndonjë urgjencë, si mund ta përballojmë situatën? Kjo rëndon shumë njerëz këtu”, tha Ni Ni, 62-vjeçare, e cila ka probleme me zemër dhe sëmundje të veshkave.
“Pa oksigjen mjekësor, unë do të vdes”, i tha ajo CNN-it.
Për disa pacientë, tashmë është tepër vonë. Në kampin Umpiem aty pranë, një grua e moshuar me probleme të frymëmarrjes vdiq pasi nuk kishte oksigjen shtesë për shkak të mbylljes së spitalit, bëri të ditur një zëdhënës i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit.
Refugjatë të tjerë i thanë CNN-it se tani ata po përballen me koston e trajtimeve të tilla si dializa, shpenzim i madh për ta kur shumica nuk ia dalin as të ushqejnë familjet e tyre.
Një zëdhënës i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit tha se ata u detyruan të mbyllnin departamentet ambulatore dhe objekte të tjera në kampe, pas urdhrit për ndaljen e punës. Menaxhimi i objekteve shëndetësore, pajisjeve dhe sistemit të furnizimit me ujë i është transferuar autoriteteve tajlandeze dhe udhëheqësve të kampeve, megjithëse KNSH-ja vazhdon të sigurojë ilaçe dhe karburant duke përdorur fonde joamerikane.
Ekipet e mjekëve refugjatë, mamive dhe infermierëve po punojnë gjatë gjithë orarit për të ndihmuar në mbylljen e boshllëqeve, ndërsa familjet po përpiqen të gjejnë trajtim alternativ për të dashurit e tyre.
“Familjet e komunitetit Karen dhuruan ilaçe dhe rezervuarë oksigjeni, por kjo nuk mjafton”, tha Pim Kerdsawang, punonjës i pavarur i një OJQ-je në qytetin kufitar të Mae Sotit.
Shqetësimet e tyre lidhen edhe me koston e ushqimit. Ushqimi për më shumë se 100 mijë refugjatët në të nëntë kampet, për një muaj, kushton 1.3 milionë dollarë dhe organizata që ofron ushqimin thotë se ka para të mjaftueshme për të qëndruar vetëm edhe për një muaj e gjysmë.
Refugjatët përdorin një sistem kartash ushqimore për të blerë artikuj në dyqanet e kampeve, të cilat paguhen nga Konsorciumi Kufitar. Ushqimi dhe karburanti financohen nga Byroja e Popullsisë, Refugjatëve dhe Migracionit (PRM) e Departamentit të Shtetit.
“Shqetësimi kryesor është mungesa e mjeteve për t’u siguruar refugjatëve ushqim dhe lëndë djegëse për gatim. Deri më tani, nuk ka alternativë për grantin e SHBA-së”, tha Leon de Riedmatten, drejtor ekzekutiv i Konsorciumit Kufitar.
Organizata ka filluar t’u japë përparësi refugjatëve më të cenueshëm që nuk kanë të ardhura të tyre, tha Riedmatten, pasi pezullimi i ndihmës dhe ardhja e vazhdueshme e refugjatëve të rinj në kampe i shteron fondet.
Spitalet tajlandeze mbajnë barrën kryesore
Kur Tawatchai Yingtaweesak dëgjoi se spitalet e kampit ishin mbyllur, ekipi i tij shkoi atje për të parë se si mund t’i ndihmonin.
Tawatchai është drejtor i spitalit “Tha Song Yang”, rreth 30 minuta me makinë nga Mae La.
Meqë në kampe nuk ka mjekë në detyrë, ekipe nga spitali i tij dhe disa të tjerë kanë ndërhyrë për të trajtuar refugjatët me gjendje të rëndë dhe emergjente.
Tawatchai tha se mbyllja e papritur e spitalit të financuar nga SHBA-ja ishte “e rrezikshme” dhe, që nga pezullimi i ndihmës, në spitalin që ai drejton janë pranuar midis 20 dhe 30 pacientë refugjatë.
Ai po bashkëpunon me mjekët e kampit dhe po u dërgon oksigjen, mes furnizimeve të tjera, por thotë se kjo mund të jetë diçka e përkohshme. Spitali i tij u shërben rreth 100 mijë njerëzve dhe ai shqetësohet se sezoni i shirave të këtij viti do t’ua vështirësojë punën.
Zakonisht, duke filluar nga qershori, vendi goditet nga sezoni i shirave. Njihet si “sezoni i sëmundjeve” për shkak të rritjes së rasteve të pickimit nga mushkonjat dhe pneumonisë te fëmijët, tha Tawatchai.
Naw Mary, 32 vjeçe, u dërgua me urgjencë në repartin e gjinekologjisë në “Tha Song Yang” të dielën, si pasojë e presionit të lartë të gjakut. Larg familjes dhe shtëpisë së saj në kamp, ajo qe gati të sillte në jetë fëmijën e saj të parë.
“Ata thanë se ishte e rrezikshme të lindja fëmijën në kamp pa mjek dhe pajisje, kështu që më sollën në këtë spital”, tha Naw Mary.
E emocionuar që do të sjellë fëmijën e saj në këtë botë, Naw Mary tha gjithashtu se është e shqetësuar për kujdesin e mëtutjeshëm për foshnjën dhe veten.
“Pse duhej të ndalonin së ndihmuari refugjatët?” pyeti ajo.
“Ata që kanë vërtet nevojë”
Dhimbja që ka shkaktuar pezullimi i ndihmës amerikane shkon përtej kampeve të refugjatëve.
CNN-i foli me dhjetëra OJQ dhe punonjës të ndihmës në rajonin e varfër kufitar, disa prej të cilëve kërkuan anonimitet pasi kishin frikë nga hakmarrja nga qeveria amerikane, e cila tha se shërbimet bazë ishin ndërprerë dhe stafi u pushua nga puna për shkak të politikës së administratës Trump.
Vendimi i administratës Trump përfshin pezullim të ndihmave në programet e vaksinimit, edukimit dhe zhvendosjes, strehimoreve të viktimave të dhunës në familje, iniciativave kundër trafikimit të qenieve njerëzore, shtëpive të sigurta për disidentët dhe ndihmave për njerëzit e zhvendosur.
Për më shumë se 30 vjet, klinika “Mae Tao” pranë Mae Sot ka qenë alternativë shpëtimi për refugjatët e cenueshëm dhe të varfër nga Birmania. Klinika trajton pothuajse 500 pacientë në ditë dhe 20% e financimit të saj vjen nga SHBA-ja.
Tani që financimi është pezulluar, klinika duhet të rialokojë një pjesë të buxhetit të saj në mënyrë që shërbimet e tyre të mos ndikohen.
“Këtë fond ne e përdorim vetëm për njerëzit e cenueshëm dhe ata që kanë me të vërtetë nevojë”, tha Saw Than Lwin, zëvendësdrejtor i organizatës dhe zhvillimit në “Mae Tao”.
Aty pranë klinikës, punonjësit e ndihmës së Fondit Mjekësor të Fëmijëve në Birmani ngarkojnë në një kamion kuti me furnizime që përfshijnë ushqim, qumësht pluhur për foshnjat e ilaçe.
Ky kamion do të kalojë përtej lumit Moei, vend kufitar midis Tajlandës dhe Birmanisë, për t’u ofruar ndihmë mijëra njerëzve që janë zhvendosur si pasojë e sulmeve ajrore dhe tokësore ushtarake të Birmanisë.
Nevojat në Birmani janë të mëdha, thonë punonjësit e ndihmës, ku miliona njerëz luftojnë me urinë, traumën dhe kërcënimin e vazhdueshëm të sulmeve.
“Vendet në të cilat ne po punojmë janë zonat më të largëta në të gjithë Birmaninë, shumë të vështira për t’u arritur, komunitete pa alternativa të tjera për ndihmë mjekësore”, tha Salai Za Uk Ling, themeluesi i Organizatës për të Drejtat e Njeriut Chin.
Rreth 30% e financimit të Organizatës për të Drejtat e Njeriut Chin vjen nga USAID-i, i cili ofron kujdes shëndetësor për dhjetëra mijëra njerëz në veriperëndim të Birmanisë. Organizatës i është dashur të ndërpresë shërbimet jetike në tre javët e fundit.
“Komunitetet rurale, njerëzit që janë zhvendosur, nuk dinë shumë për politikat ndërkombëtare, gjithçka që u intereson është mbijetesa e tyre e përditshme”, tha Za Uk.
Në shtetin Kayah të Birmanisë, i njohur gjithashtu si Karenni, pezullimi i ndihmës ka bërë që mësuesit të mos paguhen, duke lënë fëmijët pa shkollim, tha Banya Khung Aung, themelues dhe drejtor i Grupit të të Drejtave të Njeriut Karenni.
Nëse do t’na njoftonin më herët, mund të kishim siguruar burimin e fondeve alternative, tha ai.
Ndërprerja e ndihmës
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka pohuar se SHBA-ja po vazhdon të ofrojë ndihma humanitare. Rubio, tani administrator i USAID-it, bëri të ditur javën e kaluar se ai kishte lëshuar pe për programet e shpëtimit.
“Nëse ofroni ushqim, ilaçe ose ndonjë gjë tjetër që shpëton jetë dhe është e menjëhershme dhe urgjente, ju nuk përfshiheni në pezullim të ndihmës. Nuk e di se sa më të qartë mund të jemi se kaq”, tha Rubio.
Të paktën gjashtë organizata me të cilat CNN-i foli në Tajlandën veriore thanë se nuk u është ofruar ndihmë. Edhe punonjësit e USAID-it thanë për CNN-in se pothuajse të gjitha programet e ndihmës humanitare janë ndërprerë.
“Pati tronditje të thellë”, tha për CNN-in një punonjës i USAID-it me qendër në Washington, DC.
Një tjetër punonjës i USAID-it i tha CNN-it se “puna është ndalur për shkak se nuk ka staf për ta menaxhuar atë dhe nuk ka staf në Washington për t’iu përgjigjur pyetjeve të partnerëve”.
Në urdhrin e tij ekzekutiv të 20 janarit, presidenti amerikan Donald Trump tha se “industria e ndihmës së huaj amerikane” shërben për “destabilizimin e paqes botërore” dhe “në shumë raste është në kundërshtim me vlerat amerikane”.
Por ata që preken në Tajlandën veriore janë disa nga njerëzit më të cenueshëm në botë që mbështeten në ndihmën e SHBA-së për të mbijetuar.
Në kampin Mae La, Rosella nuk mund të largohet nga rezervuari i saj i oksigjenit. Ajo ka nevojë për një të tillë çdo dy ditë, tha nëna e saj.
Situata në familjen e tyre është ndërlikuar edhe më shumë sepse Rebecca është shtatzënë në muajin e pestë. Ajo i bënte ekografitë dhe vizitat mjekësore në spital, por jo më.
“Nuk e di se çfarë të bëj. Nuk ka mjekë. Jam e shqetësuar për vajzën time dhe këtë shtatzëni, e shqetësuar për të gjithë”.