Botë

Sistemi shëndetësor i Haitit buzë kolapsit, thotë OKB-ja

Haiti

Haiti

Sistemi shëndetësor i Haitit “është në prag të kolapsit”, ka deklaruar agjencia e OKB-së për fëmijë, Unicef, duke shtuar se gjashtë nga 10 spitalet e shtetit janë pak funksionale.

“Kombinimi i dhunës, zhvendosjeve masive, epidemive të rrezikshme dhe rritja e kequshqyerjes e ka përkulur sistemin shëndetësor të Haitit”, ka thënë Bruno Maes, përfaqësues i Unicefit në kombin e Karaibeve, raporton BBC.

Grupet e armatosura ende e kontrollojnë pjesën më të madhe të kryeqytetit Port-au-Prince, derisa Unicefi thotë se miliona fëmijë janë në rrezik të sëmundjeve dhe kequshqyerjes.

Shteti ka vuajtur nga jostabiliteti që nga vdekja e presidentit, Jovenel Moïse në vitin 2021. Gjatë kësaj kohe gangsterët kanë rritur gjithnjë e më shumë kontrollin e zonave të vendit.

Derisa 4,4 milionë njerëz në Haiti kanë nevojë urgjente për ndihmë me ushqime, edhe 1,6 milionë të tjerë “përballen me nivele urgjente të pasigurisë akute të ushqimit, gjë që rrit rrezikun e humbjes së fëmijëve dhe kequshqyerjes”, sipas Unicefit.