Botë

Siriani mezi i shpëtoi vdekjes, por vëllezërit e tij jo

Siria

Dhuna sektare që përfshiu fundjavën e kaluar përbën ndoshta ndër 72 orët më të përgjakshme në historinë moderne të Sirisë. Nga e premtja herët, deri në mbrëmjen e së dielës, persona të armatosur sulmuan provincat bregdetare të populluara nga Alawitët, si dhe provincat e afërta të Hamas dhe Homsit, duke vrarë njerëz, me raste duke shfarosur edhe familje të tëra, në rrugë e nëpër shtëpi. Në vend që të përballen me përfshirjen dhe drejtësinë tranzicionale, komuniteti është shndërruar në shënjestër të hakmarrjes

Familja Haydar u grumbullua në banesë ndërkohë që persona të armatosur kishin hyrë në qytetin e tyre të lindjes, Baniyas, duke kërkuar anëtarët e sektit të pakicës Alawite të Sirisë, të cilit i përkisnin edhe ata. Pas 24-orësh të tmerrshme, një mik e ndihmoi Samir Haydarin, gruan dhe dy djemtë e tij që të arratiseshin, pikërisht në kohën e duhur.

Disa minuta më vonë, personat e armatosur, të cilët ishin myslimanë sunitë, hynë në ndërtesën ku ai jetonte dhe vranë Alawitët që kishin mbetur ende atje, tha Haydar. Persona të armatosur nxorën në rrugë dy vëllezërit më të mëdhenj të Samirit dhe një nip të tij dhe i vranë gjithashtu.

“Nëse do të kisha qëndruar pesë minuta më shumë, unë me gjithë familjen time do të ekzekutoheshim”, tha Haydar, 67-vjeçar.

Dhuna sektare, që përfshiu fundjavën e kaluar, përbën ndoshta ndër 72 orët më të përgjakshme në historinë moderne të Sirisë, përfshirë këtu 14 vjetët e luftës civile nga e cila po del vendi tani, dhe kërcënon të hapë një cikël të pafund hakmarrjeje. Nga e premtja herët deri në mbrëmjen e së dielës, këta persona sulmuan provincat bregdetare të populluara nga Alawitët, si dhe provincat e afërta të Hamas dhe Homsit, duke vrarë njerëz, me raste duke shfarosur edhe familje të tëra, në rrugë e nëpër shtëpi.

Nga afërsisht 1 mijë civilë të vrarë, gati 200 ishin në Baniyas, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, monitorues i luftës. Kjo shifër nuk mund të konfirmohej në mënyrë të pavarur.

Në mesin e sulmuesve, thonë dëshmitarët, ishin myslimanë sunitë të linjës së ashpër, duke përfshirë luftëtarë të huaj xhihadistë me seli në Siri, të cilët vinin nga provincat e afërta. Disa ishin aleatë të Hayat Tahrir al-Sham, grup kryengritës, që në dhjetor udhëhoqi përmbysjen e diktatorit Bashar Assad. Anëtarët e këtij grupi dominojnë qeverinë e përkohshme që tani udhëheq vendin.

Por shumë prej tyre ishin sunitë vendës, të cilët u hakmorën për mizoritë e kaluara për të cilat fajësoheshin Alawitët besnikë ndaj Assadit.

Të mbijetuarit thonë se disa nga sulmuesit në Baniyas ishin sirianë nga fshatrat përreth që kërkonin të hakmerreshin për një masakër të vitit 2013 në qytetin e afërt Beyda, ku paraushtarakët vranë disa qindra sunitë. Ishte një prej disa vrasjeve masive që u kryen nën udhëheqjen e presidentit të atëhershëm Assad, përpjekjet e të cilit për t’i shtypur protestat ndihmuan në nxitjen e një kryengritjeje të armatosur.

Assad, i cili është Alawit, punësoi anëtarë të sektit në agjencitë e sigurisë dhe ato paraushtarake. Disa sunitë fajësojnë të gjithë komunitetin për goditjet brutale të Assadit, megjithëse Alawitët thonë se ata gjithashtu vuajtën nën sundimin e tij.

“Kemi përjetuar shumë padrejtësi. Shumë prisnin mundësinë për ta larguar”, tha Haydar nga vendi ku po fshihej. “Në vend që dhimbja t’u mësonte atyre mëshirën dhe të dilnin kundër vrasjeve, ata e përkthyen atë në më shumë vrasje”.

Përforcimet e qeverisë, për të cilat banorët thanë se nuk ndërhynë gjatë kulmit të vrasjeve, u dërguan përfundimisht për të rivendosur rendin dhe qetësia u duk se u mbajt deri të hënën vonë. Qeveria deklaroi se një komitet i pavarur i emëruar nga presidenti do t’i hetojë sulmet. Por gjakderdhja ka njollosur tej mase përpjekjet e presidentit të përkohshëm Ahmed al-Sharaa për t’i bindur pakicat e Sirisë se ai dëshiron t’i përfshijë ata si të barabartë.

Vrasje dhe plaçkitje

Gjakderdhja filloi pas raportimeve të së enjtes mbrëma për sulme, në dukje të koordinuara nga besnikët e Assadit ndaj forcave qeveritare të sigurisë pranë qytetit të Latakias dhe gjetkë përgjatë bregdetit.

Associated Press foli me nëntë banorë nga fshatrat dhe qytetet e goditura nga dhuna. Disa refuzuan të jepnin emrat e tyre nga frika që do t’u cenohej siguria e tyre.

Haydar tha se rreth agimit të së premtes, një shumicë sunitësh të armatosur zbritën në Baniyas dhe fshatrat përreth me furgona dhe kamionë, të armatosur. Një tjetër banore tha se dëgjoi të armatosurit të bërtisnin, “Zoti është i madh” e të kërcënonin e shanin banorët Alawitë.

Pamjet dhe videot u publikuan shpejt në internet. U postuan kryesisht nga vetë autorët. Në disa video shihen luftëtarë të lodhur që i nxjerrin banorët nga shtëpitë e tyre, në rrugë, duke i rrahur dhe duke i detyruar të lehin si qen. Në të tjera video shihen luftëtarët që qëllojnë mbi civilët. Qindra videot e postuara nuk mund të verifikoheshin menjëherë.

Plaçkitjet dhe vjedhjet ishin të shfrenuara. Haydar tha se njerëz të armatosur hynë në ndërtesën e njërit prej vëllezërve të tij, 74-vjeçarit Rafik, vodhën sendet e tij me vlerë dhe u larguan.

I fshehur në shtëpinë e tij, Haydar tha se pa luftëtarët që qëlluan një fqinj në hyrje të një ndërtese aty pranë. Një luftëtar e rrotulloi trupin për t’u siguruar që ai kishte vdekur.

Zvarrë në çati

Rreth mesditës të së premtes, Haydar pranoi një telefonatë nga gruaja e vëllait të tij, Iskanderit. Ajo i tregoi se luftëtarët kishin sulmuar ndërtesën e tyre dhe kishin marrë Iskanderin dhe djalin e tyre, Mouradin.

Më vonë, Mouradi i shpjegoi nënës së tij se çfarë ndodhi. Luftëtarët i tërhoqën zvarrë në çati dhe detyruan atë, babanë e tij dhe pesë burra të tjerë që të shtriheshin. Më pas i qëlluan me plumba. Për mrekulli, Mouradi nuk pësoi asnjë plagë. Babai i tij dhe pjesa tjetër e njerëzve u vranë.

Ali Sheha, një 57-vjeçar, banor i së njëjtës lagje, tha se pesë nga fqinjët e tij u qëlluan në rrugë, duke përfshirë dy mjekë dhe dy fëmijët e tyre. Për orë të tëra, personat e armatosur penguan këdo që vinte për të hequr trupat e pajetë. Sheha arriti të siguronte një furgon. Ai, gruaja e tij, tre fëmijët dhe familjet e tjera ikën.

Atë natë u sulmua edhe fshati ku u strehuan. Sheha tha se ai dhe qindra të tjerë ikën përsëri, duke fjetur dy net, jashtë, mes ullinjve dhe pishave.

Të shtunën pasdite, Sheha tha se ai i njihte të paktën 20 prej njerëzve të vrarë, duke përfshirë tre kushërinjtë dhe dy nga fëmijët e tyre me aftësi të kufizuara, që u vranë në dhomën ku ruanin ushqimet e tyre.

Kur luftëtarët hynë në shtëpinë e nipit të tij, e pyetën nëse gruaja e tij ishte sunite, sepse ajo mbante shami. I kontrolluan letërnjoftimin dhe e lanë të ikte. Motra e tij, që jetonte në një ndërtesë me shumë të krishterë, tha se personat e armatosur i kursyen ata dhe burrin e saj, rreth të 80-tave.

Haydar dhe familja e tij shpëtuan falë ndihmës së një miku sunit, i cili negocioi për orë të tëra me personat e armatosur, duke u shpjeguar se Haydar dikur ishte burgosur nga forcat e sigurisë së Assadit.

Miku, duke refuzuar të japë emrin e tij nga frika e hakmarrjes, tha se personat e armatosur e shtynë dhe e goditën, duke e kritikuar për strehimin e Alawitëve.

Gjatë kësaj fundjave përplot me dhunë, ky njeri strehoi 15 Alawitë në shtëpinë e tij.

Në Tuwaym, një fshat Alawit në provincën Hama me shumicë sunite në Sirinë qendrore, një banore tha se persona të armatosur i mblodhën burrat, i rrahën me pushka dhe disa prej tyre madje i qëlluan. Në kohën kur ata u larguan, ata veçse kishin vrarë 25 anëtarë të familjes së saj, duke përfshirë babanë e saj dhe nëntë fëmijë nga mosha katër deri në 15 vjeç.

“Unë i mbajta fëmijët me duart e mia. Disave iu dilnin kockat jashtë si pasojë e plagëve të hapura”, tha ajo, duke folur në kushte anonimiteti nga frika për sigurinë e saj.

Pasojat

Në Baniyas dhe gjetkë, trupat u lanë në rrugë, makina dhe ndërtesa banimi, thanë ekipet e shpëtimit civil teksa mblidhnin të vdekurit. Familjet publikuan në internet listat me më të dashurit e tyre të vrarë. Haydari varrosi vëllezërit e tij të dielën.

Sheha tha se që nga mbrëmja e së martës, ai dhe qindra të tjerë mbetën në pyjet jashtë Baniyas, shumë prej tyre ende të frikësuar që të ktheheshin në shtëpi. Natën, kur bën ftohtë, ata strehohen në një fshat aty pranë.

Sheha, i cili kishte qenë pjesë e një grupi civilësh Alawitë që kërkonin të ndërtonin ura me qeverinë e re, tha se Alawitët nuk mund të fajësohen për krimet e forcave të Assadit. Shumica e Alawitëve u varfëruan nën udhëheqjen e Assadit, u abuzuan nga ndihmësit e tij të lartë dhe u detyruan të shfaqnin besnikëri dhe të shërbenin në ushtri, tha ai.

Në vend që të përballen me përfshirjen dhe drejtësinë tranzicionale, komuniteti është shndërruar në shënjestër të hakmarrjes, tha ai.

“Tani njerëzit nuk kanë vetëm frikë, por janë të tmerruar”, tha ai. “Ata nuk kanë besim, as te qeveria e tanishme... Ne jemi të tmerruar nga kushdo që shohim me maskë”.