Botë

Siria s’është kërcënim për botën, thotë lideri i kryengritësve që rrëzuan Assadin

Ahmed al-Sharaa

Udhëheqësi de fakto i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka thënë se vendi është i rraskapitur nga lufta dhe nuk është një kërcënim për fqinjët e saj apo për Perëndimin.

Në një intervistë për BBC-në në Damask, ai ka bërë thirrje për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë.

Sharaa udhëhoqi ofensivën e rrufeshme që rrëzoi regjimin e Bashar al-Assadit më pak se dy javë më parë. Ai është udhëheqësi i Hayat Tahrir al-Sham (HTS), grupi dominues në aleancën kryengritëse, dhe më parë njihej me pseudonimin e tij të kohës së luftës, Abu Mohammed al-Jolani.

Ai ka thënë se HTS-ja duhet të hiqet nga lista si një organizatë terroriste. 

Është caktuar si e tillë nga OKB-ja, SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe, ndër shumë të tjera, pasi filloi si një grup i ndarë i al-Kaidës, nga i cili u shkëput në vitin 2016.

Sharaa ka thënë se HTS-ja nuk është grup terrorist.

“Ata nuk shënjestruan civilë apo zona civile. Në fakt, ata e konsideronin veten viktima të krimeve të regjimit të Assadit. Viktimat, nuk duhet të trajtohen njësoj si shtypësit”, ka thënë Sharaa.

Ai po ashtu e ka mohuar se dëshiron ta kthejë Sirinë në një version të Afganistanit.

Sipas tij dy vendet janë shumë të ndryshme, me tradita të ndryshme. Ai ka thënë se beson në edukimin e grave.