Udhëheqësit e rinj të Sirisë nga grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS) kanë përfshirë disa luftëtarë të huaj, duke përfshirë ujgurët, një jordanez dhe një turk, në forcat e armatosura të vendit.
Lëvizja për t'i dhënë role zyrtare, përfshirë ato të larta, disa xhihadistëve, mund të alarmojë disa qeveri të huaja dhe qytetarë sirianë të frikësuar për qëllimet e administratës së re, pavarësisht premtimeve të saj për të sunduar me tolerancë ndaj grupeve të mëdha minoritare të Sirisë, raporton Reuters.
Një zëdhënës i qeverisë siriane nuk i është përgjigjur një kërkese për koment lidhur me emërimet.
Burimet kanë thënë gjithashtu se nga gjithsej pothuajse 50 role ushtarake të shpallura nga ministria e Mbrojtjes të dielën, të paktën gjashtë u janë lënë të huajve.
Reuters nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur kombësitë e individëve të emëruar.
Mijëra të huaj myslimanë sunitë iu bashkuan rebelëve të Sirisë në fillim të luftës civile 13-vjeçare për të luftuar kundër sundimit të Bashar al-Assadit dhe milicive shiite të mbështetur nga Irani, duke i dhënë konfliktit një ngjyrim sektar.
Disa luftëtarë të huaj formuan grupet e tyre të armatosura, ndërsa të tjerë iu bashkuan formacioneve të krijuara, si Shteti Islamik, i cili pushtoi Irakun dhe Sirinë, duke shpallur shkurtimisht një të ashtuquajtur kalifat përpara se të shkatërrohej nga forcat e mbështetura nga SHBA-ja dhe Irani.
Grupe të tjera xhihadistësh të huaj iu bashkuan HTS-së, i cilI hodhi poshtë lidhjet e mëparshme me Al-Kaedën dhe Shtetin Islamik dhe luftoi në beteja të përgjakshme kundër tyre përpara se të kryesonin ofensivën e rrufeshme që rrëzoi Assadin më 8 dhjetor.
Ahmed al-Sharaa, udhëheqësi i HTS-së, i kthyer në sundimtar de fakto të Sirisë, i njohur më parë si Abu Mohammed al-Golani, ka spastruar dhjetëra luftëtarë të huaj xhihadistë si pjesë e një fushate për sirianizmin dhe moderimin e grupit të tij.
Në komentet e transmetuara të dielën, Sharaa ka thënë se Siria e re "nuk mund të drejtohet nga mentaliteti i grupeve dhe milicive".