Botë

Siguria e Rusisë duhet të garantohet me çfarëdo marrëveshje armëpushimi, thotë Lavrov

Sergei Lavrov

Sergei Lavrov

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar se Moska dëshiron një marrëveshje armëpushimi të qëndrueshme me Ukrainën, që do të ishte garanci për sigurinë e Rusisë dhe fqinjëve të saj. 

Lavrov ka thënë se Moska dyshon se një armëpushim i dobët do të përdorej thjesht nga Perëndimi për të riarmatosur Ukrainën.

“Ne kemi nevojë për marrëveshje përfundimtare ligjore që do të rregullojë të gjitha kushtet për të garantuar sigurinë e Federatës Ruse dhe, natyrisht, interesat legjitime të sigurisë së fqinjëve tanë”, ka thënë Lavrov.

Ai ka shtuar se Moska dëshiron që dokumentet ligjore të hartohen në mënyrë të tillë për të siguruar "pamundësinë e shkeljes së këtyre marrëveshjeve".

Reuters raportoi muajin e kaluar se presidenti, Vladimir Putin është i hapur për të diskutuar një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë me Donald Trumpin, por përjashton bërjen e ndonjë lëshimi të madh territorial dhe këmbëngul që Kievi të braktisë ambiciet për t'u bashkuar me NATO-n.

Putin ka thënë javën e kaluar se ishte gati të bënte kompromis për Ukrainën në bisedimet e mundshme me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, për përfundimin e luftës. 

Trumpi, i cili ka thënë vazhdimisht se do t'i japë fund luftës, ka deklaruar të dielën se Putini donte të takohej me të. Rusia thotë se nuk ka pasur kontakte me administratën e ardhshme të Trumpit.

I dërguari i Trumpit në Ukrainë, gjeneral-lejtnant në pension Keith Kellogg, do të udhëtojë në Kiev dhe disa kryeqytete të tjera evropiane në fillim të janarit, ndërsa administrata e ardhshme përpiqet t'i japë fund të shpejtë luftës Rusi-Ukrainë, sipas dy burimeve me njohuri për planifikimin e udhëtimit.