Botë

Si po ndërhyjnë Rusia, Kina dhe Irani në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së

SHBA

Tetë vjet pasi Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndikimi i huaj është bërë edhe më i sofistikuar. Kjo mund të ketë pasoja të mëdha në garën presidenciale të 2024-s

Kur Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2016, duke shpërndarë postime përçarëse dhe nxitëse në internet për të shkaktuar zemërim, postimet ishin të vrazhda dhe të mbushura me gabime drejtshkrimore dhe sintaksë të çuditshme. Ato qenë dizajnuar për të marrë vëmendje.

“Hillary është Satani”, thuhej në një postim rus të Facebookut.

Tani, tetë vjet më vonë, ndërhyrja e huaj në zgjedhjet amerikane është bërë shumë më e sofistikuar dhe shumë më e vështirë t’u gjurmuar.

Dezinformata nga jashtë – kryesisht nga Rusia, Kina dhe Irani – është kthyer në kërcënim të qëndrueshëm dhe shkatërrues, teksa vendet testojnë, përsërisin dhe përdorin taktika gjithnjë e më të avancuara, sipas zyrtarëve të inteligjencës dhe mbrojtjes amerikane, kompanive të teknologjisë dhe akademikëve. Aftësia për ta lëkundur mendjen e një grupi të vogël amerikanësh mund të ketë pasoja të rënda për zgjedhjet presidenciale, sondazhet e të cilave kryesisht po tregojnë se ka garë të ngushtë.

Rusia, sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, synon ta përforcojë kandidaturën e ish-presidentit, Donald J. Trump, ndërsa Irani favorizon kundërshtaren e tij, zëvendëspresidenten, Kamala Harris. Kina duket të mos ketë kandidat të preferuar.

Por qëllimi kryesor i këtyre përpjekjeve nuk ka ndryshuar: të krijojnë përçarje dhe kaos me shpresën për ta diskredituar demokracinë amerikane në sytë e botës. Megjithatë, fushatat kanë evoluar, duke iu përshtatur peizazhit mediatik në ndryshim dhe përhapjes së mjeteve të reja që e bëjnë të lehtë mashtrimin e audiencës.

Ka disa mënyra se si dezinformatat janë zhvilluar.

Tani, dezinformatat janë kudo

Rusia ka qenë arkitektja kryesore e dezinformarave të lidhura me zgjedhjet amerikane në vitin 2016 dhe postimet kryesisht janë shpërndarë në Facebook.

Tani, Irani dhe Kina po bëjnë përpjekje të ngjashme për ta influencuar politikën amerikane dhe të tri vendet janë duke i shpërndarë këto përpjekje në dhjetëra platforma, nga forumet e vogla ku amerikanët bisedojnë për motin lokal e deri te grupet e mesazheve ku njerëz me interesa të përbashkëta bashkohen. Shtetet janë duke marrë sinjale nga njëri-tjetri, edhe pse ka diskutime nëse kanë bashkëpunuar drejtpërdrejt në strategji.

Ka një mori të llogarive ruse në Telegram që publikojnë video, meme dhe artikuj përçarës, ndonjëherë edhe të çuditshme për zgjedhjet presidenciale. Ka gjithashtu rreth qindra të tjera nga Kina, që janë paraqitur sikur studentë për t’i nxitur tensionet në kampuset amerikane këtë verë rreth luftës në Gaza. Të dyja vendet kanë llogari në “Gab”, platformë më pak e spikatur e mediave sociale e favorizuar nga e djathta ekstreme, ku kanë punuar për t’i promovuar teoritë konspirative.

Operativët rusë gjithashtu janë përpjekur ta mbështesin Trumpin në “Reddit” dhe forumet e pëlqyera nga e djathta ekstreme, duke shënjestruar votues nga gjashtë shtete të papërcaktuara së bashku me latinët, përdoruesit e video-lojërave dhe të tjerët të identifikuar nga Rusia si simpatizantë potencialë të Trumpit, sipas dokumenteve të brendshme të lëshuara në shtator nga Departamenti i Drejtësisë.
Një fushatë e lidhur me operacionin e ndikimit shtetëror të Kinës, e njohur si “Spamouflage”, ka operuar llogari duke përdorur emrin, Harlan, për të krijuar përshtypjen se burimi i përmbajtjes me prirje konservatore ishte amerikan, në katër platforma: YouTube, X, Instagram dhe TikTok.

Shpërndarja e dezinformatave  

Dezinformatat e reja që shpërndahen nga kombet e huaja, synojnë jo vetëm shtetet, por edhe distrikte specifike brenda tyre, si dhe grupe të veçanta etnike dhe fetare. Sa më shumë që dezinformata bëhet specifikisht për grupe të caktuara, aq më shumë gjasa ka që të ketë efekt, thonë studiues dhe akademikë të cilët e njohin mirë ndikimin e huaj në fushatat zgjedhore.

“Kur dezinformimi zhvillohet për një audiencë të caktuar, bazuar në interesat apo opinionet e tyre, ai bëhet më efektiv”, ka thënë Melanie Smith, drejtoreshë në Institutin për Dialogun Strategjik, organizatë kërkimore me qendër në Londër. “Në zgjedhjet e mëparshme, ne u përpoqëm që të përcaktonim se cila do të ishte narrativa false. Këtë herë, janë mesazhet delikate, të polarizuara, që shkaktojnë tension”.

Irani në veçanti ka shpenzuar burimet për të shpërndarë dezinformata, në mënyrë që të tërheqë grupe me interesa të përbashkëta. Një faqe interneti, me emrin “Not Our War”, e cila synonte të tërheqë veteranët ushtarakë amerikanë, ndërthurte artikuj me pikëpamje anti-amerikane dhe teori konspirative, rreth mungesës së mbështetjes për ushtarët në detyrë.

Faqe të tjera si, “Afro Majority”, kishin përmbajtje që kishte për cak afro-amerikanët, pastaj faqja “Savannah Time”, e cila u përpoq të ndikojë te votuesit konservatorë në shtetin e Georgias. Në Michigan, një shtet tjetër që ra pre e dezinformatave, Irani krijoi faqe interneti e cila shënjestër kishte arabo-amerikanët. 

“Që Irani do të synonte popullsinë arabe dhe myslimane në Michigan, tregon se Irani po manovron me shkathtësi duke iu drejtuar një demografie kyçe, e cila ka ndikim në zgjedhje”, ka thënë Max Lesser, analist në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

Kina dhe Rusia kanë ndjekur modele të ngjashme. Në rrjetin social “X” , këtë vit, media shtetërore kineze përhapi informacione të rreme në gjuhën spanjolle për Gjykatën e Lartë, të cilat më pas përdoruesit spanjisht-folës në “Facebook” dhe “YouTube”, i shpërndanë edhe më tej, sipas “Logically”, organizatë që monitoron dezinformatat në internet.

Ekspertët për dezinformim kanë bërë të ditur se llogaritë joorigjinale në rrjete sociale të lidhura me Pekinin, janë bërë më bindëse dhe tërheqëse. Sipas një raporti nga “Microsoft Threat Analysis Center”, dezinformatat të shpërndara nga llogari jo origjinale synonin republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, të cilët kërkonin rizgjedhje në Alabama, Tennessee dhe Texas.

Evoluimi i Inteligjencës Artificiale

Evoluimet e fundit të Inteligjencës Artificiale kanë rritur aftësitë për shpërndarjen e dezinformatave, përtej asaj që ishte e mundur në zgjedhjet e mëparshme, duke lejuar agjentët shtetërorë që të krijojnë dhe shpërndajnë plan programin e qeverisjes së tyre, me më shumë finesë dhe efikasitet.
OpenAI ka raportuar këtë muaj se i ka ndërprerë më shumë se 20 operacione të huaja, të cilat kanë tentuar të përdorin shërbimin e saj, midis qershorit dhe shtatorit. Ato përfshinin përpjekjet e Rusisë, Kinës, Iranit dhe vendeve të tjera për të krijuar dhe mbushur faqet e internetit dhe për të përhapur propagandë ose dezinformim në mediat sociale, madje edhe për të analizuar dhe për t’iu përgjigjur postimeve specifike. 

“Inteligjenca Artificiale po përdoret për të përkeqësuar kërcënimet që prisnim dhe kërcënimet që po shohim”, ka thënë në një intervistë Jen Easterly, drejtoreshë e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës. “Inteligjenca Artificiale në thelb po hap rrugën që një aktor i huaj të kryejë fushata më të sofistikuara ndikimi”.

Kina, gjithashtu, ka vendosur të përdorë Inteligjencën Artificiale, gjithnjë e më të avancuar, për të krijuar audio të manipuluara, meme të rrejshme dhe sondazhe të fabrikuara të votuesve në mbarë botën. Këtë vit, në rrjetin social “TikTok”, ka qarkulluar një video e një kongresmeni republikan nga Virginia, që shoqërohej nga një titull në kinezisht, e që në mënyrë të rreme pretendonte që politikani po kërkonte vota për një kritik të Pekinit, i cili më vonë edhe e fitoi presidencën tajvaneze.

Vështirësia në identifikimin e dezinformatave

Të tri vendet janë përmirësuar madje edhe në mbulimin e gjurmëve që lënë. 

Muajin e kaluar, Rusia u kap tek mundohej të fshihte përpjekjet e saj për të ndikuar tek amerikanët duke mbështetur fshehurazi një grup komentuesish konservatorë amerikanë të punësuar përmes “Tenet Media”, platformë digjitale e krijuar në Tennessee në vitin 2023.

Kompania shërbeu si fasadë, në dukje legjitime, për publikimin e një sërë videosh me komente të përqendruara më shumë në fushën e politikës, si dhe me përmbajtje të teorive konspirative rreth mashtrimit në zgjedhje, Covid-19, emigrantëve dhe luftës së Rusisë me Ukrainën. 

Edhe operativët kinezë, njësoj si ata rusë, kanë kultivuar një rrjet të huaj i cili ndihmon në përhapjen e narrativave të saj, përmes grupeve të njohura si “gojë e huaj”, “stilolapsa të huaj” dhe “tru i huaj”, sipas një raporti nga Instituti Australian i Politikave Strategjike.

Taktikat e reja e kanë bërë më të vështirë për agjencitë qeveritare dhe kompanitë e teknologjisë gjetjen dhe eliminimin e fushatave që ndikojnë në zgjedhje, ka thënë Graham Brookie, drejtor në Laboratorin e Kërkimeve Ligjore Digjitale të Këshillit Atlantik.

“Aty ku ka më shumë aktivitet të ndikimit të huaj keqdashës, krijohet më shumë hapësirë, më shumë leje për aktorët e tjerë të këqij që të hidhen në atë hapësirë”, ka thënë ai. “Nëse të gjithë po e bëjnë atë, atëherë kostoja e ekspozimit nuk është aq e lartë”.

Përpjekjet e pakta për të luftuar dezinformimin

Dezinformimi nga të huajt ka marrë dhenë pasi gjigantët e teknologjisë kanë hequr dorë nga përpjekjet e tyre për të luftuar dezinformimin. Kompanitë më të mëdha, duke përfshirë Meta, Google, OpenAI dhe Microsoft, kanë reduktuar përpjekjet për të etiketuar dhe luftuar dezinformimin që nga zgjedhjet e fundit presidenciale. Të tjerët nuk kanë madje as ekipe.

Mungesa e politikës midis kompanive të teknologjisë, e ka bërë të pamundur formimin e një fronti të bashkuar kundër dezinformatave, kanë thënë zyrtarët e sigurisë dhe drejtuesit e kompanive të teknologjisë.

“Këto platforma alternative nuk e kanë të njëjtën shkallë të moderimit të përmbajtjes dhe praktikave të sigurisë, që mund t’i zbusin këto fushata”, ka deklaruar Lesser i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive.

Alethea, një kompani që gjurmon dezinformatat në internet, zbuloi së fundmi, se një fushatë dezinformuese iraniane, është rishfaqur sërish në rrjetin social “X” pavarësisht se ishte ndaluar dy herë më parë.