Botë

Si e sheh JD Vance botën – dhe pse ka kjo rëndësi

JD Vance

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka pësuar një ndryshim të dukshëm ideologjik. Në të kaluarën, Vance jo vetëm që ishte kundër Trumpit, ai madje në vitin 2016 e përshkruante presidentin amerikan si “të papranueshëm” dhe “idiot”. Ndërsa tani, ai po lufton të ngrejë reputacionin e tij në konkurrencën e egër brenda administratës, me dy momente kyçe siç janë fjalimi në Konferencën e Sigurisë në Munih dhe përplasja në Zyrën Ovale me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, si dëshmi të dorës së parë mbi natyrën pragmatiste të Vanceit.

Takimi i tensionuar i datës 28 shkurt në Shtëpinë e Bardhë ndau aleancën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës në dysh, tronditi liderët evropianë dhe nënvizoi rolin kyç të zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, në artikulimin e politikës së jashtme të presidentit Donald Trump. Vance ka dalë me furi në skenën botërore – por çfarë është ajo që ndikon në botëkuptimin e tij?

Fjalimi i tij i parë në skenën botërore, i mbajtur në Konferencën e Sigurisë në Munih në mes të muajit shkurt, kapi shumëkë në befasi.

Në vend se të përqendrohej te lufta në Ukrainë, zëvendëspresidenti amerikan e kishte përmendur vetëm shkarazi konfliktin më të përgjakshëm evropian që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ai e përdori debutimin e tij në skenën ndërkombëtare për të qortuar aleatët e SHBA-së në temat si imigracioni dhe liria e fjalës, duke sugjeruar se spektri politik në Evropë ishte anti-demokratik. Ai kishte akuzuar vendet evropiane se po injoronin vullnetin popullor dhe kishte vënë në pikëpyetje se cilat janë vlerat për të cilat ata po bashkohen me SHBA-në për t’i mbrojtur.

“Nëse po vraponi nga frika e votuesve tuaj, Amerika nuk mund të bëjë asgjë për juve, sa i përket kësaj çështjeje. A ka ndonjë gjë që mund të bëni ju për popullin amerikan”, pati thënë ai.

Zemërimi i aleatëve evropianë

Ishte një mënyrë e guximshme dhe ndoshta e papritur për të prezantuar veten para botës – duke zemëruar aleatët evropianë.

Disa ditë më vonë ai u kthye në titujt e ballinave, sepse ishte në qendër të përplasjes me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të cilin e akuzoi se ishte mosmirënjohës.

Për ata që e kanë studiuar ngritjen e Vanceit, këto dy episode nuk ishin befasuese.

Zëvendëspresidenti ka përfaqësuar një krah intelektual të lëvizjes konservatore e cila afirmon “trumpizmin” dhe në veçanti sloganin ‘Amerika e para’. Në shkrime dhe intervista, Vance ka shprehur një ideologji, e cila si e tillë i bashkon punëtorët amerikanë, elitat botërore dhe rolin e SHBA-së në botë.

Në fushatën zgjedhore me Donald Trumpin vitin e kaluar, Vance në pjesën më të madhe të kohës lëshoi kritika në drejtim të Partisë Demokratike – detyrat e zakonshme për të sulmuar, që tradicionalisht u jepen kandidatëve për zëvendëspresident - dhe përplasje me gazetarët.

Përderisa roli jokonvencional dhe i stërvlerësuar i Elon Muskut në administratën Trump e vendosi nën hije paraprakisht, fjalimi i Vanceit në Munih dhe përplasja në Zyrën Ovale me Zelenskyn e kanë lartësuar profilin e të zgjedhurit të Trumpit.

Gjithashtu ka ngritur pyetje të reja mbi rrugëtimin ideologjik që ai ka bërë ndër vite brenda lëvizjes konservatore – dhe se çka në të vërtetë ai beson.

“Ai është më shumë një pragmatist sesa një ideolog”, ka thënë James Orr, profesor i asocuar i filozofisë së religjionit në Universitetin e Cambridgeit dhe një mik, të cilin Vance e ka përshkruar si “mësuesi britanik” i tij.

Slogani “Amerika e para”

“Ai ka aftësinë për të artikuluar se çfarë është dhe çfarë s’është në interesin e Amerikës. Dhe interesi amerikan nuk është interesi i ndonjë utopie abstrakte ose grumbulli propozimesh dhe idesh, por e popullit amerikanë”, ka theksuar ai.

Vance i është rikthyer në mënyrë të vazhdueshme sloganit ‘Amerika e para’ – ose ndoshta ‘Amerikanët të parët’ – tematikë kjo që i karakterizon fjalimet e tij, duke bërë një ndarje midis asaj që e ai e kritikon ashpër si njëtrajtshmëri e politikës ekonomike dhe politikës së jashtme të Washingtonit jashtë vendit dhe vështirësive të klasës punëtore amerikane që janë lënë pas dore brenda vendit.

Gjatë Konventës së Partisë Republikane në verën e vitit të kaluar, për shembull, ai kishte shprehur keqardhje se si nëpër qytezat e vogla në mbarë vendin, “vendet e punës po zhvendoseshin jashtë Amerikës dhe fëmijët po dërgoheshin në luftë”.

Në vazhdim, ai sulmoi edhe presidentin e atëhershëm Joe Biden, duke thënë se “për gjysmë shekulli, ai ka qenë kampion për çdo iniciativë politike që e ka bërë Amerikën më të dobët dhe më të varfër”.

Por, Vance është gjithashtu një person që, pas një fëmijërie të vështirë në një familje prej Ohios me rrënjë nga Appalachia, dhe famës së papritur nga libri i tij i suksesshëm “Hillbilly Elegy”, ka provuar shumë pikëpamje të ndryshme.

Jo vetëm që ishte kundër Trumpit, ai madje në vitin 2016 e përshkruante presidentin amerikan si “të prapanueshëm” dhe “idiot”, me librin e tij që e vendoste peshën e fajit për vuajtjet e të varfërve në zonat rurale, mbi vendimet e bëra nga individët.

Kohëve të fundit, ai e ka zhvendosur fajin te elitat – grup i cili sipas Vance ngërthen – demokratët, republikanët e vjetër, liberalët, liderët e korporatave, globalistët si dhe akademikët.

“Amerika nuk është thjesht një ide…Amerika është një komb”

Nëpër fjalime, Vance argumenton rregullisht se “Amerika nuk është thjesht një ide…Amerika është një komb”.

Ai e shoqëron këtë argument me një anekdotë që lidhet me varrezat e paraardhësve të familjes së tij në Kentucky, ku thotë se ai, gruaja e tij dhe fëmijët e tyre do të varrosen një ditë, duke thënë se familja dhe atdheu janë më të rëndësishme se disa nga idetë tradicionale të Amerikës.

Në këndvështrimin e Vanceit, prioriteti i administratës Trump duhet të jetë përmirësimi i jetës së amerikanëve që kanë jetuar në Amerikë brez pas brezi, dhe për ironi të fatit, këta amerikanë kanë pak nga pasuria e madhe e vendit.

Rod Dreher, shkrimtar konservator amerikan, njëkohësisht mik i zëvendëspresidentit, ka thënë se mendësia e Vanceit buron nga besimi se “republikanët e moderuar…kanë dështuar të ndalojnë të ashtuquajturat ‘luftëra të përjetshme’, dhe ata gjithashtu kanë dështuar t’i ofrojnë diçka më të mirë amerikanëve të rëndomtë, që po vuajnë ekonomikisht prej globalizmit dhe prej efekteve të migracionit në masë si dhe fentanilit.

“Ai u ‘këndell’, për të thënë kështu, nga Donald Trumpi”, ka thënë Dreher në programin ‘Today’ të BBC Radio 4 këtë javë.

Vance është një zëvendëspresident i cili, në krahasim me shefin e tij, është skajshmërisht i ndikuar nga kultura e internetit. Ai është entuziast i rrjetit social X, shpeshherë duke e përdorur për të hyrë në polemika me përdorues të ndryshëm, në vend se ta përdorë sikurse politikanët e tjerë, që e shfrytëzojnë si platformë për të bërë njoftime.

Paraqitjet e tij nëpër podkaste të ekstremit të djathtë, ndërkohë që po përpiqej të merrte mbështetje për një kandidaturë në Senat, u dhanë material kundërshtarëve të tij, ashtu siç bënë edhe komentet provokuese, si për shembull komenti se SHBA-ja po drejtohej nga “gra pa fëmijë që kujdesen për mace”.

I martuar me vajzën e imigrantëve indianë, ai ka refuzuar dhe është refuzuar nga anëtarët e ekstremit të djathtë, pavarësisht se ndan disa pikëpamje të njëjta me ta. Megjithatë, ai ka miq dhe aleatë të rëndësishëm në elitat e “Silicon Valley” dhe në disa prej qosheve më pak të njohura.

Pasi kishte diplomuar në Shkollën e Drejtësisë në Yale, ai u inkuadrua në botën e kapitalit nga Peter Thiel, një figurë e njohur konservatore e Silicon Valley-t, i cili më vonë financoi fushatën e tij për Senatin e SHBA-së.

Ai ka cituar njerëz si blogeri Curtis Yarvin, një guru i rëndësishëm në lëvizjen “neo-reaksionare” që fantazon mbi një shoqëri hiper-kapitaliste të udhëhequr nga monarkë të fuqishëm.

Afërsia e tij me figurat e internetit është demonstruar edhe kur Vance shpërndau pretendime të rreme në lidhje me imigrantët që hanë kafshët dhe pretendimet mbi nivelin e korrupsionit në Ukrainë – që sipas BBC-së i ka rrënjët në Moskë.

“Në një mënyrë ai gatuan në botën online”, ka thënë Cathy Young, autore në mediumin konservator anti-Trump, “The Bulwark”.

Në të njëjtën kohë, Young ka thënë se anekdotat e tij për varrezat e familjarëve dhe atdheun, sugjerojnë një tjetër prirje politike – një “nënton shqetësues të nacionalist”.

“Kjo i shqetëson disa njerëz dhe me të drejtë. Pjesë e trashëgimisë amerikane është se ne jemi komb i migrantëve”, ka thënë ajo.

Ish-presidenti i ndjerë republikan, Ronald Reagan, kishte folur sa i përket kësaj teme, duke thënë se “njëra nga veçoritë dalluese për këtë shtet është se çdo kush mund të vijë këtu prej cilësdo pjesë të botës dhe të bëhet amerikan”.

Mendësia ‘Amerika e para’ e Vanceit qartazi zgjerohet deri te çështja e luftës në Ukrainë. Kur ai ishte senator, ai ishte shpeshherë kritik ndaj përfshirjes së Amerikës në luftë dhe shumës së madhe të parave të harxhuara, ka rikujtuar ish-kolegu i Vance në Senat, Josh Hawley, një republikan nga Missouri.

“Pozicioni i tij atëherë është pak a shumë i njëjtë me pozicionin që ka tani...konflikti duhet të përfundojë”, ka thënë Hawley për BBC-në.

“Duhet të përfundojë në një mënyrë që i jep përparësi maksimale sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe duhet të përfundojë në një mënyrë që i shtynë aleatët tanë evropianë të marrin më shumë përgjegjësi përsipër”, ka shtuar ai.

Vance ka akuzuar rregullisht administratën Biden se ka qenë pakrahasimisht më e interesuar ndaj luftës në Ukrainë sesa rreth ndalimit të imigracionin ilegal.

Duke shkruar në vitin 2022, gjatë fushatës së tij për Senat dhe pas pushtimit rus, ai pati thënë se: “Do të isha i mallkuar nëse do ta prioritizoja kufirin lindor të Ukrainës tani, në kohën kur kufiri jonë jugor është i ngulfatur nga tsunami njerëzor me imigrantë ilegalë”.

Përplasja me Zelenskyn

Pikëpamjet e tij dolën në sipërfaqe gjatë përplasjes dramatike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale. Vance e akuzoi Zelenskyn për mungesë respekti, për dërgim të politikanëve në “turne propagandistik” rreth Ukrainës dhe duke mos qenë mjaftueshëm falënderues për ndihmën amerikane.

“Shpreh disa fjalë mirënjohjeje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidentin që po tenton të shpëtojë vendin tënd”, i pati thënë Vance presidentit ukrainas.

Kjo përplasje i la liderët evropianë të ngatërruar duke u munduar të mbrojnë Zelenskyn, ndërkohë që po përpiqeshin të ruanin negociatat për një marrëveshje paqeje të mundshme.

Vance më pas shkaktoi zemërim në radhët e aleatëve pasi u tall me idetë e garancisë së sigurisë në formë të trupave paqeruajtëse “prej ndonjë vendi të rëndomtë që nuk ka qenë në luftë prej 30 ose 40 vjetësh”.

Ai më vonë e mohoi se ishte duke folur për Britaninë e Madhe apo Francën, dy vendet e vetme evropiane që kanë shprehur publikisht gatishmëri për të dërguar trupa paqeruajtëse në Ukrainë.

Por, gatishmëria e zëvendëspresidentit për të shkelur interesat e aleatëve reflekton një botëkuptim që, sipas fjalëve të tij, nuk ka shumë kohë “për moralizime se ‘ky vend është i mirë’, ‘ky vend është i keq’”.

“Kjo nuk do të thotë që duhet të keni një verbëri të plotë morale, por do të thotë që duhet të jeni të sinqertë në lidhje me vendet me të cilat po bashkëpunoni, dhe ka një dështim të plotë për ta bërë këtë nga shumica e spektrit të politikës së jashtme në këtë vend”, ka thënë Vance për New York Times vitin e kaluar.

Toni i tij ka ndryshuar nga dy vjetët sa i pati kaluar si senator para se të zgjidhej nga Trumpi. Senatori demokrat Cory Booker e kujton Vancein si “shumë pragmatist dhe të kujdesshëm”.

“Kjo është arsyeja se pse disa nga veprimet e tij më befasojnë”, ka thënë Booker për BBC.

Të tjerë vrojtojnë të njëjtën shkyçje.

David Frum, autor për revistën “The Atlantic”, ka thënë se pikëpamjet e Vanceit kanë ndryshuar dukshëm nga ato kur ai e angazhoi ish-marinsin, i cili po studionte në Universitetin e Shtetit të Ohajos në atë kohë, për të shkruar për uebsite-in e tij mbi politikat konservatore më shumë se 15 vjet më parë.

“Ai nuk ishte në asnjë formë ‘luftëtar kulturor’ ashtu siç është sot”, ka thënë Frum.

Frum, njëkohësisht edhe kritik i fortë i Trumpit, ka thënë se pikëpamja e Vanceit për Rusinë përfaqëson “adhurim ideologjik”.

Në Mynih, ndërsa fliste për lirinë e shprehjes, zëvendëspresidenti përmendi raste që përfshinin konservatorët dhe të krishterët në vendet perëndimore, por shmangu çdo përmendje të shtypjes së ashpër të lirisë së fjalës nga Rusia.

Vance dhe aleatët e tij refuzojnë që ai e simpatizon Putinin.

“Asnjëherë nuk kam argumentuar që Putin është një person i sjellshëm dhe miqësor” ka thënë Vance, në një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih të vitit 2024, kur ishte senator i Ohaios.

“Nuk është e nevojshme të pajtohemi me të. Mund ta sfidojmë dhe shpesh do ta sfidojmë”, pati thënë ai. “Por fakti që ai është një djalë i keq nuk do të thotë se nuk mund të angazhohemi në diplomaci të thjeshtë dhe të prioritizojmë interesat e Amerikës”.

Një fund i shpejtë i konfliktit në Ukrainë, në pikëpamjen e Vance, nuk ka të bëjë vetëm me ndalimin e shpenzimit të miliarda dollarëve mijëra kilometra larg.

Ai ka thënë se ka çështje më të mëdha për SHBA-në dhe miqtë e saj për t’u përqendruar sesa Ukraina, kryesisht kërcënimi nga Kina, të cilën ai e ka quajtur “konkurrentin tonë më të rëndësishëm... për 20 ose 30 vjetët e ardhshme”.

Pikëpamjet e Vance për Ukrainën dhe gatishmëria e tij për t’i shprehur ato publikisht ofruan një moment dramatik në ditët e para të mandatit të dytë të Donald Trumpit.

Por gjithashtu ofroi një ilustrim të qartë të ideologjisë së zëvendëspresidentit, rëndësisë së tij në administratën Trump dhe se si ai e sheh rolin e Amerikës në botë.