Më 17 shtator, mijëra pejxherë kanë shpërthyer në të njëjtën kohë në periferitë jugore të Bejrutit dhe bazave të Hezbollahut. Në total, shpërthimi i pejxherëve me eksplozivë dhe shpërthimi i radiolidhjeve pas tyre kanë vrarë 39 njerëz dhe kanë plagosur më shumë se 3400 të tjerë. Por kush ishte prapa sulmit të menduar mirë dhe si arritën ta mashtrojnë Hezbollahun?
Bateritë brenda pejxherëve të pajisur me eksplozivë në Liban, në fillim të vitit, pjesë e planit izraelit për ta hequr qafe Hezbollahun, kanë pasur tipare mashtruese të fuqishme, por edhe thembër të Akilit.
Agjentët që i kanë ndërtuar pejxherët, kanë dizajnuar bateri që kanë fshehur një ngarkesë të vogël, por të fuqishme të eksplozivit plastik dhe një detonator, që ishte i padukshëm për rrezet X, sipas një burimi libanez me njohuri të dorës së parë për pejxherët dhe fotografitë e paketave të grisura të baterisë.
Për t’u përballur me dobësinë – mungesa e historisë së besueshme për produktin e ri të rëndë – ata kanë krijuar dyqane, uebfaqe dhe postime false në internet, në mënyrë që ta mashtrojnë Hezbollahun, ka treguar hulumtimi i Reuters.
Dizajnimi i fshehtë i bombave pejxherë dhe historia mbuluese e baterive të ndërtuara me kujdes, hedhin dritë mbi ekzekutimin e një operacioni shumëvjeçar, i cili ka dhënë goditje të paprecedent kundër armikut libanez të Izraelit, të mbështetur nga Irani dhe e ka shtyrë Lindjen e Mesme më afër luftës rajonale.
Një shtresë e hollë, katrore, me eksploziv plastik të bardhë, pentaerythritol tetranitrate (PETN), është vendosur në mes të dy baterive, sipas burimit libanez dhe fotografive.
Hapësira e mbetur mes baterive nuk mund të shihej në fotografi, por është mbushur me një shtresë të materialit që merr flakë, i cili ka shërbyer si detonator, ka thënë burimi.
Ky “sandviç” me tri shtresa është futur brenda një cope të zezë plastike dhe është mbështjellë me shtresë metalike, përafërsisht në madhësinë e një kutie të shkrepëseve, sipas fotografive.
Bashkimi ishte i pazakontë, meqë nuk është mbështetur në standardin për detonatorët miniaturë, zakonisht cilindër metalik, sipas burimit dhe dy ekspertëve të bombave. Të tre kanë folur në kushte anonimiteti.
Pa ndonjë komponent të metalit, materiali i përdorur për ta shkaktuar shpërthimin ka pasur një avantazh: sikurse eksplozivët plastikë, nuk është detektuar nga rrezet X.
Kur Hezbollahu i ka marrë pejxherët në shkurt, ka kërkuar për prezencë të eksplozivëve, kanë thënë dy persona me njohuri rreth kësaj çështjeje, duke i vendosur nëpër skanerë të aeroportit për të parë nëse nisin alarmet. Asgjë e dyshimtë nuk është raportuar.
Siç duket, pajisjet janë ndërtuar për të krijuar një shkëndijë brenda pakos së baterisë, të mjaftueshme për ta ndezur materialin shpërthyes dhe për ta nxitur shtresën e PETN-së të shpërthejë, kanë thënë dy ekspertët e bombave, kur kanë parë dizajnin e pejxherëve.
Meqë eksplozivët dhe mbështjellësi kanë përbërë një të tretën e volumit, pakoja e baterisë ka pasur fuqi të eksplodimit në përputhje me peshën e saj prej 35 gramëve, kanë thënë dy ekspertë të baterive.
“Ka një sasi të konsiderueshme të masës së pallogaritur”, ka thënë Paul Christensen, ekspert i baterive të litiumit në Universitetin e Britanisë “Newcastle”.
Në një pikë, Hezbollahu e ka vërejtur se bateria është duke u harxhuar më shpejt seç duhej, ka thënë burimi libanez. Megjithatë, problemi nuk duket të ketë nxitur shqetësime të mëdha të sigurisë – grupi po vazhdonte shpërndarjen e pejxherëve, disa orë para sulmit.
Më 17 shtator, mijëra pejxherë kanë shpërthyer në të njëjtën kohë në periferitë jugore të Bejrutit dhe bazave të Hezbollahut, ku në shumicën e rasteve, pajisjet kanë bërë zhurmë, për të treguar për një mesazh të sapoardhur.
Në mesin e viktimave në spital, shumë prej tyre kishin lëndime të syrit, iu mungonin gishtat ose kanë pasur vrima në abdomenin e tyre, sipas dëshmitarëve, duke treguar për afërsinë me pajisjet në kohën e shpërthimit. Në total, shpërthimi i pejxherëve me eksplozivë dhe shpërthimi i radiolidhjeve pas tyre kanë vrarë 39 njerëz dhe kanë plagosur më shumë se 3400 të tjerë.
Dy burime të sigurisë perëndimore kanë thënë se agjencia e inteligjencës “Mossad” ka kryer sulmet me pejxherë dhe radiolidhje.
Nuk është arritur të vlerësohet se ku janë prodhuar pajisjet. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që ka autoritet mbi “Mossadin”, nuk i është përgjigjur kërkesës për koment.
As Ministria libaneze e Informacionit e as një zëdhënës i Hezbollahut, nuk kanë komentuar rreth kësaj çështjeje.
Izraeli as nuk e ka mohuar e as konfirmuar rolin në këtë sulm. Një ditë pas sulmeve, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant i ka vlerësuar rezultatet “shumë mbresëlënëse” të “Mossadit”, që janë interpretuar gjerësisht në Izrael si një pranim i heshtur i pjesëmarrjes së agjencisë.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk janë informuar për operacionin paraprakisht.
Prapavija e krijuar
Nga jashtë, burimi i fuqisë së pejxherëve është dukur si një pako standarde e baterisë me litium, i përdorur në mijëra pajisje elektronike të konsumit.
Gjithsesi, bateria, e quajtur “LI-BT783”, ka pasur një problem: Pejxheri, nuk ka ekzistuar në treg.
Prandaj agjentët izraelitë kanë krijuar një prapavijë nga asgjëja.
Hezbollahu ka procedura serioze prokurimi për të kontrolluar se çfarë blen, ka thënë një ish-oficer i inteligjencës izraelite, i cili nuk ishte i përfshirë në operacionin e pejxherit.
“Duhet të sigurohesh se nëse kërkojnë, do të gjejnë diçka”, ka thënë ish-spiuni, në kushte anonimiteti. “Nëse nuk gjen asgjë, kjo nuk është shenjë e mirë”.
Krijimi i prapavijës, ose “legjendave”, për agjentët e fshehtë, ka qenë për një kohë të gjatë aftësi kryesore e agjencive të spiunazhit. Çfarë e ka bërë komplotin e pejxherëve të pazakontë, është se këto aftësi duket se janë aplikuar edhe në produktet e kudondodhura të elektronikës së konsumit.
Për pejxherët, agjentët e kanë mashtruar Hezbollahun duke u shitur modele të krijuara të konsumit, “AR-924”, nën brendin ekzistues tajvanez, Gold Apollo.
Kryetari i Gold Apollo, Hsu Ching-kuang, ka thënë një ditë pas sulmit, se i janë afruar tre vjet më parë një ish-punonjëseje, Teresa Wu, dhe “shefi i saj i madh, i quajtur Tom” për ta diskutuar një marrëveshje licence.
Hsu ka thënë se ka pasur pak informacione për shefin e Wusë, por gjithsesi ua ka dhënë të drejtën për t’i dizajnuar produktet e tyre dhe për t’i treguar nën brendin e Gold Apollo të shpërndarë gjerësisht. Nuk është arritur të vlerësohet identiteti i menaxherit, ose nëse personi Wu ka punuar qëllimisht me inteligjencën izraelite.
Kryetari ka thënë se nuk i ka bërë përshtypje “AR-924” kur e ka parë, por prapëseprapë i ka vendosur fotografitë dhe përshkrimin e produktit në uebfaqen e kompanisë, duke ia shtuar shikueshmërinë dhe besueshmërinë. Nuk ka pasur mënyrë direkte për ta blerë “AR-924” nga uebfaqja e kompanisë.
Hsu ka thënë se nuk dinte asgjë për aftësitë vdekjeprurëse të pejxherëve ose operacioneve për ta sulmuar Hezbollahun. Ai e ka përshkruar kompaninë e tij si viktimë të komplotit.
Gold Apollo nuk ka dhënë komente të tjera. Thirrjet dhe mesazhet dërguar Wusë kanë mbetur pa përgjigje. Ajo nuk ka dhënë deklaratë për mediet, që nga sulmi.

“E njoh këtë produkt”
Në shtator të vitit 2023, uebfaqet dhe pamjet e “AR-924” dhe baterisë së pajisjes janë shtuar në apollosystemshk.com, uebfaqe që ka thënë se ka licencë për t’i shpërndarë produktet e Gold Apollos, përfshirë edhe pejxherin e alternuar dhe burimin e rëndë të fuqisë.
Uebfaqja ka adresën në Hong-Kong, për një kompani të quajtur Apollo Systems HK. Asnjë kompani me atë emër nuk ekziston me atë adresë ose në të dhënat e Korporatave të Hong-Kongut.
Megjithatë, uebfaqja është listuar nga Wu, biznesmenia tajvaneze, në faqen e saj të Facebookut si dhe në të dhënat e korporatave publike, kur ajo ka regjistruar kompaninë e quajtur Apollo Systems në Taipei në fillim të këtij viti.
Një seksion i uebfaqes, apollosystemshk.com, kushtuar “LI-BT783” ka vënë theksin në performancën e jashtëzakonshme të baterisë. Ndryshe nga bateritë e disponueshme që mundësonin pejxherët e gjeneratës së vjetër, seksioni është krenuar me 85 ditët e aftësisë së ruajtjes së energjisë dhe se mund të rimbushej nëpërmjet një kablloje USB, sipas faqes së internetit dhe një videoje promovuese, të gjatë 90 sekonda në YouTube.
Në fund të vitit 2023, dy dyqane të baterive janë shfaqur në internet me bateri “LI-BT783” në katalogët e tyre. Dhe në dy forume kushtuar baterive, pjesëmarrësit e kanë diskutuar burimin e energjisë, pavarësisht mungesës së disponueshmërisë komerciale: “E njoh këtë produkt”, ka shkruar një përdorues me ermin Mikevog në prill të vitit 2023. “Ka bazë të të dhënave dhe performancë të shkëlqyer”.
Nuk është gjetur identiteti i Mikevogut.
Uebsajti, dyqanet online dhe diskutimet në forume shfaqin shenjën dalluese të përpjekjes për mashtrim, kanë thënë ish-oficeri i inteligjencës izraelite dhe dy oficerë të sigurisë perëndimore. Uebsajtet janë fshirë nga interneti që kur bombat e pejxherëve bënë kërdi në Liban, por kopjet e arkivuara dhe të ruajtura në memorie mund të gjenden akoma.
Duke rrëfyer për ditën kur blenë pejxherët, udhëheqësit e Hezbollahut kanë thënë se kishin nisur hetime të brendshme, për ta kuptuar se si arriti të ndodhë shkelja e sigurisë dhe të identifikonin spiunët e mundshëm.
Grupi ka nisur t’i përdorë pejxherët në fillim të vitit, kur e kanë kuptuar se komunikimet telefonike mund të përgjohen nga Izraeli.
Hetimet e Hezbollahut kanë ndihmuar të zbulohet se si agjentët izraelitë kanë përdorur taktika agresive të shitjes, për t’u siguruar se menaxheri i prokurimit të Hezbollahut do t’i zgjidhte “AR-924”, ka thënë një nga personat me njohuri në këtë çështje.
Shitësi që e ka kryer shitjen, ka bërë një propozim shumë të lirë për pejxherët, “dhe ka vazhduar ta ulte çmimin, derisa është tërhequr menaxheri”, ka thënë personi.
Autoritetet libaneze kanë dënuar sulmet si shkelje serioze të sovranitetit të Libanit. Më 19 shtator, në fjalimin e fundit publik para vrasjes, ish-lideri i Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah, ka thënë se shpërthimet e pejxherëve mund të cilësohen “si deklarim lufte” dhe ka deklaruar se do ta ndëshkonte Izraelin.
Hezbollahu dhe Izraeli kanë qenë duke shkëmbyer sulme që nga 8 tetori i vitit 2023, kur grupi militant ka filluar lëshimin e raketave drejt pozicioneve ushtarake izraelite në solidaritet me aleatin palestinez, Hamas.
Pas shpërthimeve të pajisjeve, Izraeli ka nisur luftë të plotë kundër Hezbollahut, duke përfshirë pushtimin tokësor të Libanit jugor dhe sulmet ajrore, që kanë vrarë shumicën e udhëheqësve të lartë të grupit.
Hetimi i brendshëm, ende në zhvillim, ka hasur në pengesë më 28 shtator: Njëmbëdhjetë ditë pas sulmit me pejxherë, zyrtari i lartë i Hezbollahut i ngarkuar me udhëheqjen e hetimit të prokurimit, Nabil Kaouk, është vrarë nga një sulm ajror izraelit.