Heroi i luftës së talebanëve kërkon në turmë. Ai gjen burrin e kërkuar, të cilit i mungonte një krah dhe një sy. Diçka i kishte ndodhur atij, diçka e keqe.
“Ky”, tha komandanti, “ishte aleati i fundit i amerikanëve këtu”.
Në këtë provincë komandanti kreu një nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj forcave amerikane në Afganistan, betejë paralajmëruese e një konflikti më të rëndë që ndryshoi historinë e luftës.
Tani, disa vjet pas braktisjes së luginës dhe Afganistanit nga amerikanët, komandanti urdhëron burrin të rrëfejë se si humbi Amerika.
Duke e mbajtur si marionetë në mëngën bosh të xhaketës, gjymtyra e humbur dhe shenjat në fytyrë tregojnë vetëm gjysmën e historisë. Familja e tij ishte vrarë para tij, teksa largoheshin nga talebanët.
“Ky burrë ishte armiku im i betuar”, tha komandanti Mullah Osman Jawhari. “A e dini kush ia shkaktoi këtë? Ishin miqtë e tij, amerikanët”.
Kthimi i aleatëve në armiq
Kur nisi lufta në Afganistan, nuk kishte talebanë në luginë. Pastaj, arritën forcat amerikane dhe lugina në provincën Nuristan u bë zona e sulmit më të dhunshëm mbi ushtarët amerikanë që nga lufta e Vietnamit.
Sipas hetuesve ushtarakë, dështimi i amerikanëve lejoi bastisjen e bazës amerikane nga 150 rebelë në fshatin Wanat në korrik të 2008-s, duke vrarë nëntë ushtarë amerikanë dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.
Sapo SHBA-ja u tërhoq, ajo hoqi dorë nga Afganistani. Kur ish-presidenti Donald Trump të rikthehet në detyrë në janar, ai do të jetë presidenti i parë në një çerekshekulli që nuk do ta vazhdojë luftën. Por, ai e përdori luftën si kartë politike për ta fajësuar presidentin Joe Biden, pavarësisht se urdhëroi vetë tërheqjen e SHBA-së gjatë mandatit të parë.
Më shumë se 2 trilionë dollarë u shpenzuan për luftën më të gjatë të Amerikës. Megjithatë, SHBA-ja kurrë nuk arriti të përballej me humbjen, duke i përfshirë dështimet e inteligjencës. Por, si u mbush lugina e qetë me kryengritës talebanë?
Sipas dëshmive të banorëve, zyrtarëve talebanë dhe ish-luftëtarëve, amerikanët siguruan vetë humbjen, duke sulmuar mbështetësit dhe duke i kthyer në armiq. Të bindur se Nuristani do të bëhej vend transporti dhe fshehjeje për “Al Qaedan” dhe aleatët, amerikanët filluan të ndërtonin baza dhe ta patrullonin zonën, me autonomi nga vetë qeveria e Afganistanit.
Nuristani kurrë nuk ishte i destinuar të ishte pika qendrore e luftës kundër terrorizmit. Vetëm amerikanët guxuan të hynin në rajon, duke krijuar kështu fortesën e rebelëve të cilëve ua kishin frikën.
SHBA-ja lëshoi më shumë se 1000 bomba në vend. Në vend se të fitonin zemrat dhe mendjet e banorëve, amerikanët padashur ia sollën fundin vetes në Luginën Waygal.
Për talebanët, beteja e Wanatit prishi mitin e pathyeshmërisë amerikane, duke dëshmuar se vendosmëria mund ta kapërcejë edhe superfuqinë më të madhe. Por, ata po bëjnë të njëjtat gabime si amerikanët, duke kërcënuar pavarësinë e luginës dhe shpërdoruar vullnetin e popullit.
Fletore të UNICEF-it, busulla, shpata të ndryshkura dhe fishekë pushke janë në mesin e gjërave të koleksionuara nga Osmani gjatë dy dekadave të konfliktit.
Brenda fletoreve ndodhen detajet e operacioneve, planeve dhe buxhetit: sa burra, armë dhe plumba nevojiteshim për çdo detyrë. Çuditërisht, ka gjithashtu edhe poezi dhe vizatime, pra ditarët e luftës së komandantit të famshëm taleban.
I gjatë dhe me trup të hollë, Osmani ka sy të errët dhe shenjë vjollcë mbi faqe. I ndjekur nga amerikanët, ai u zhduk pak pas përfundimit të luftës. Teksa shfleton fletoren, ai ndalon te një faqe: Beteja e Wanatit.
Aty ndodhen hartat dhe përshkrimet e detajuara të luginës dhe rrugëve në Wanat, kalimet malore ku luftëtarët kontrabandonin armë për t’iu shmangur dronëve. Por, beteja nuk filloi këtu, sipas tij.
“Ajo filloi shumë vjet më parë”.
Zjarr dhe tym
Ditët e hershme ishin plot optimizëm. Askush nuk donte talebanët, jo kur amerikanët ofronin të ardhme më të ndritur.
SHBA-ja sapo kishte larguar talebanët nga pushteti dhe “Al Qaeda” po fshihej. Ata kishin prezencë të vogël në Afganistan, me operacione të fokusuara në gjetjen e Osama bin Ladenit.
Nuk ishte deri në 2003, që amerikanët u futën në Luginën Waygal duke kërkuar “Al Qaedan”. Osmani nuk ishte i interesuar në talebanët, derisa amerikanët pushtuan vendin dhe krisi lufta. Pastaj, një seri me sulme ajrore goditi luginën, duke ndryshuar gjithçka përgjithmonë.
Në tetor të vitit 2003, u nisën sulme kundër terroristëve të dyshuar në fshatin majë malit, duke shkaktuar tym dhe zjarr. Armët pushtuan pyjet ku banorët kishin vrapuar për siguri. Si pasojë, shtatë persona u vranë.
Amerikanët e quajtën sulmin sukses. Por, në realitet ishte sulm i dështuar. Jo vetëm që shënjestra nuk ishte aty, por shtëpitë ishin të aleatit të tyre, ish-guvernatorit të Nuristanit, Mawlawi Ghulam Rabbani, partia e të cilit kundërshtonte talebanët, e ishte proamerikane.
Viktimat ishin familja dhe miqtë e tij. Të vrarët ishin kryesisht gra dhe fëmijë, përfshirë djalin dhe vajzën e Rabbanit, duke prishur kështu marrëdhëniet amerikano-afgane.
Ky sulm nxiti përçarje në luginë, duke nxitur mbështetje për talebanët.
Edhe pse ishin armiq, Osmani u shfaq në funeral për të bërë homazhe dhe për t’u lutur me familjen Rabbani.
“Deri në atë pikë, zona ishte paqësore dhe e sigurt për të gjithë, madje edhe për amerikanët”, tha Osmani. “Por, pas sulmit të familjes Rabbani, talebanët morën pushtetin dhe nisi kryengritja”.
“Më të zinj se amerikanët”
Burrat e rinj iu bashkuan Osmanit, të shtyrë nga hidhërimi për vrasjet. Amerikanët nuk e vërejtën. Gjatë tre vjetëve të ardhshëm, amerikanët e lanë Nuristanin të qetë, të shpërqendruar nga luftimet tjera në Afganistan ose në Irak.
Amerikanët u rikthyen në 2006, të sigurt se “Al Qaeda” dhe aleatët po strehoheshin në male, por lugina qe transformuar. Ata filluan të ndërtonin baza, duke i dhënë Osmanit pikërisht atë që deshi - shansin për të vërtetuar se çfarëdo zhvillimi të premtonin amerikanët, ata do të sillnin vdekje.
Dhe kështu bënë. Në kërkimin për “Al Qaedën”, amerikanët arrestuan fermerë, hodhën bomba të mjaftueshme për të rrafshuar një mal dhe vranë të pafajshëm.
Me rritjen e zemërimit publik, popullariteti i Osmanit u rrit. Megjithatë, jo të gjithë i kundërshtuan amerikanët. Një familje në veçanti u dallua si përkrahësit dhe përfituesit më të mëdhenj nga SHBA-ja.
Në momentin kur arritën amerikanët, familja e Rafiullah Arifit i mirëpriti, siç bënë dikur Rabbanit.
Familja u dha me qira tokë për të ndërtuar bazën, madje u ofroi edhe djemtë për t’i ndihmuar me sigurinë, logjistikën, transportin dhe furnizimin dhe, sipas Osmanit, mbledhjen e inteligjencës.
“Këta ishin më të zinj se amerikanët”, tha Osmani. “Amerikanët erdhën për Bin Ladenin, “Al Qaedan”. Por për njerëzit tanë? Me çfarë arsye?”
Dhe kështu, Osmani dhe Rafiullahu u bënë armiq të betuar.
Vetëmposhtje
Koloneli William Ostlund arriti në Nuristan në 2007 dhe gjeti vendosje jopraktike të bazave amerikane. Ai u çudit se sa pak kuptim kishin ato. Ushtarët duhej të furnizoheshin me helikopterë, ku kryengritësit mund të qëllonin lirisht mbi ta dhe moti mund të ndryshonte. Ai shqetësohej vazhdimisht se një raketë talebane do ta rrëzonte helikopterin e ngarkuar me njerëzit e tij.
Edhe pse Ostlundi dhe njerëzit e tij kishin ardhur për të luftuar, ata nuk kishin dëshirë ta bënin këtë në një disavantazh kaq tronditës. Osmani kishte shumë më shumë burra në dispozicion.
Një vit para betejës në Wanat, talebanët vazhduan sulmet mbi amerikanët dhe bazat e tyre. Këto sulme treguan qartë se talebanët kontrollonin luginën.
Në fushatën 15-mujore, burrat e Ostlundit lëshuan më shumë mortarë, bomba dhe shkëmbyen zjarr në Nuristan dhe provincën fqinje, sesa çdo njësi tjetër gjatë tërë luftës. Por ajo dhunë vetëm forcoi armiqësinë e popullit ndaj amerikanëve dhe popullaritetin e talebanëve.
“Nuk i kuptuam njerëzit, kulturën”, tha Ostlandi. “Nuk bashkëpunuam me njerëzit apo nuk kërkuam falje për gjërat e këqija që ndodhën. Kur filluam ta bënim, ishte tepër vonë”.
Amerikanët përfundimisht konsoliduan forcat në bazën e familjes së Rafiullahut, në një fshat të quajtur Bella, por talebanët i ndoqën. Osmani filloi të kryente sulme të përditshme atje.
Ostlandi ishte i ngopur. Ai donte t’i zhvendoste shpejt forcat në fshatin Wanat, ku do të ishte më e lehtë të mbroheshin.
Por në nxitimin për t’u larguar, amerikanët harruan diçka thelbësore: Nuk kishte vend të sigurt për ta në Luginën Waygal.
Ndoshta i vetmi person që u doli në krah amerikanëve ishte Rafiullahu. Por besnikëria e tij po bëhej e paqëndrueshme dhe as paratë që po merrte familja nuk ia vlenin. Familja Rafiullah nuk mund të shkonte as një treg nga frika se talebanët do t’i vrisnin.
Amerikanët vazhdonin të sulmoheshin. Prandaj, familja vendosi të largohej. Mblodhën gjërat nëpër kamionë. Autokolona i ra në sy amerikanëve, të cilët menduan se ishin talebanë. Oficerët amerikanë urdhëruan sulm ajror, i cili i vrau Rafiullahut gati të tërë familjen.
Përsëri, amerikanët e cilësuan sulmin një sukses.
Beteja e Wanatit
Mullah Osmani dhe burrat e tij, të lodhur nga tërë ato javë luftime, u larguan drejt maleve. Ai i urdhëroi të shkonin të pushonin. Por, një togerët kundërshtoi. Amerikanët ishin të ekspozuar dhe të cenuar. Prandaj, ai vendosi ta shfrytëzojë rastin.
Ai e dinte se amerikanët prisnin sulme të shkurtra, goditëse. Por këtë herë do të ishte ndryshe. Talebanët do të qëndronin dhe do të luftonin. Osmani u bëri thirrje më shumë se 150 burrave nga nëntë fshatra që të përgatiteshin. Huazuan armë nga talebanët e zonave tjera, por edhe nga fshatarët lokalë.
Për t’i çuar armët e rënda në Wanat pa u zbuluar, ata çmontuan armët, i kontrabanduan mbi male dhe i rimontuan në shpatet e kodrës.
“Wanati është si tas”, shpjegoi Osmani. “Nga këtu, mund t’u hidhja gurë amerikanëve”.
Rebelët zunë pozicionet gjatë natës, duke bredhur lart e poshtë si fantazma mbi shtigjet e ngushta, duke tërhequr qindra kilogramë armatime në një rrugë rraskapitëse, që e shmangte rrugën e vetme për në, të cilën e dinin se monitorohej nga amerikanët.
Mullah Osmani vendosi burra në çatitë e ndërtesave vetëm disa metra larg bazës dhe në pemë.
Personat e armatosur rrinin nëpër pozicione në bazën e maleve, poshtë halorëve që ofronin mbulim nga dronët dhe satelitët.
Pas orës 4 të mëngjesit të 13 korrikut, kur ushtarët amerikanë në Wanat po përgatiteshin për patrullë në mëngjes, ata panë lëvizje.
Krisja e zjarrit të mitralozit mbushi luginën. Bilbili dhe bumi i raketave u dëgjuan nga tri drejtimet. Osmani shënjestroi fillimisht armët e rënda: sistemin e raketave, i cili u dogj, dhe një rezervë të municioneve, të cilat shpërthyen.
Plumbat shpuan bazën nga çdo anë. Vëllimi i të shtënave i habiti amerikanët. Luftëtarët ishin pozicionuar aq afër sa mund të shihnin fytyrat e njëri-tjetrit.
Sulmi më i rëndë u bë kundër një posti amerikan të quajtur Topside, i vendosur në shpatin e kodrës mbi bazën. Ndërsa shumica e amerikanëve ishin në bazën kryesore, vetëm nëntë burra ishin të vendosur në Topside.
Breshëria e parë la të vrarë ose plagosur ose befasuar çdo njeri në Topside. Dhe ky ishte vetëm fillimi. Me çdo valë granatash dhe armësh, kryengritësit u afruan më shumë, duke sulmuar brenda oborreve të postit. Vdiqën tetë amerikanë atë ditë.
Një orë pas luftës, helikopterët Apache erdhën në ndihmë të amerikanëve. Jo shumë kohë më vonë, avionët mbërritën së bashku me përforcime, duke e zhvendosur betejën.
Është e paqartë se sa talebanë vdiqën atë ditë. Osmani pretendon vetëm tre. Llogaritë amerikane detajojnë më shumë talebanë të vrarë. Cilido qoftë numri, ishte një çmim që Osmani dhe njerëzit e tij ishin të gatshëm të paguanin.
Amerikanët, nga ana e tyre, e konsideruan betejën e Wanat fitore taktike. Talebanët u tërhoqën dhe ushtarët mbrojtën bazën e tyre kundër një force shumë herë më të madhe.
Por, një ditë më vonë, amerikanët u larguan nga Wanati.
Tërheqja amerikane nuk u dha fund luftimeve në Wanat.
Një seri bastisjesh dhe sulmesh ajrore e pasuan largimin amerikan. Banorët përshkruan se gjetën copat e fëmijëve të tyre të shpërndarë nëpër pemë.
Sot, peizazhi mbetet gërmadhë: pemë të copëtuara, shtëpi të rregulluara me kalldrëm nga rrënojat, banorë të traumatizuar e të dëmtuar si rrethina e tyre.
Askush nuk e kupton këtë më mirë se Rafiullahu.
Pas sulmit, Rafiullahu u largua nga provinca. Por kur amerikanët u tërhoqën nga Afganistani në vitin 2021, ai u rikthye në shtëpi.
Talebanët kishin marrë pushtetin dhe kishin dhënë amnisti mbarëkombëtare për ish-armiqtë. Madje kishin rimarrë tokën e familjes së tij. Edhe pse talebanët ia falën jetën, kjo është gjysmë jetë, jetë e një të dëbuari.
“Ata thanë se erdhën këtu për të na ndihmuar, por ata përfunduan duke na vrarë” tha ai, akoma i frikësuar nga qeveria. “Ua mbështetëm misionin dhe na tradhtuan”.
Paqja dhe taksat
Një Toyota Corolla afrohet pranë xhamisë ku po mbahej mesha e mesditës. Tre burra dalin jashtë, të veshur me rroba të shtrenjta dhe këpucë me shkëlqim, tipike për burokratët e Kabulit.
Megjithëse talebanët kanë ndryshuar radhët e larta të qeverisë, ata ende mbështeten shumë në fuqinë punëtore të qeverisë së kaluar. Këta vizitorë të veçantë janë nga departamenti i financave.
Osmani i shikon burrat dhe i pyet se çfarë po bëjnë në Waygal.
“Po regjistrojmë biznese”, përgjigjet njëri prej tyre.
Nuk ka shumë: disa kasolle në anë të rrugës që shesin rrotulla të pluhurosura me biskota dhe çanta me çaj jeshil e disa barinj me tufa dhish.
Vizitorët mund të nënkuptojnë vetëm një gjë: taksimin. Dhe kjo do të nënkuptonte fundin e një pakti 100-vjeçar për të lënë të qetë Luginën Waygal.
Kjo dikur njihej si Kafiristan, ose vendi i jobesimtarëve. Njerëzit e saj praktikuan një formë të lashtë paganizmi dhe u konvertuan në Islam vetëm në vitet 1890, kur emiri i Afganistanit pushtoi territorin dhe e quajti atë Nuristan, ose vendi i dritës.
Dikur rajoni njihej si Kafiristan, ose vendi i jobesimtarëve, derisa u pushtua më 1890 nga emiri i Afganistanit dhe u quajt Nuristan, ose vendi i dritës. Disa rajone u konvertuan në mënyrë paqësore, duke përfshirë Luginën Waygal dhe iu dha një status i veçantë nga emiri – vend i pavarur dhe pa taksa.
Osmani është besnik ndaj talebanëve, por mbi të gjitha ndaj Nuristanit, duke mos e mbështetur taksimin. Kur qeveria e re erdhi në pushtet, ata favorizuan klerikët mbi komandantët, duke lënë pa punë luftëtarët që fituan luftënërfshirë edhe Osmanin.
Osmani i ka falur edhe amerikanët që nuk e kuptuan kurrë Afganistanin. Tani që ata u larguan, iu largua edhe armiqësia ndaj tyre.
Por të tjerët janë më të vështirë për t’u falur, si mbështetësit e amerikanëve në Nuristan, të cilët morën paratë e tyre dhe e mbështetën pushtimin. Njerëz si Rafiullahu.
I ndaluar nga hakmarrja ndaj Rafiullahut, Osmani ia kap mëngën dhe e tërheq zvarrë - monument i gjallë i tradhtisë amerikane.
Në fillim të këtij viti, talebanët i kërkuan Osmanit të bëhej guvernator i qarkut të Waygalit. Ishte rol më i vogël se ai që kishte gjatë luftës, por të paktën ishte në Nuristan, i vetmi vend që kishte vërtet rëndësi për të.
“Është më mirë se të qëndrosh në shtëpi”, tha ai.
Por ai është ende në pritje të dekretit të liderit suprem Hibatullah Akhundzada. (The New York Times)