Botë

Si e humbi Ukraina Avdiivkan

Brenda javës, Ukraina humbi Avdiivkan, qytetin në rajonin Donetsk, të cilin ka qenë duke e mbrojtur shumë kohë para pushtimit të plotë rus. Gati të rrethuar dhe të tejkaluar në numër, ukrainasit morën vendimin të tërhiqeshin dhe të shmangin rrethimin vdekjeprurës që përjetuan ushtarët në qytetin-port Mariupol, ku mijëra ushtarë u kapën peng apo u vranë.

Një brigadë ukrainase kishte mbrojtur bllokun e njëjtë të ndërtesave industriale për disa muaj pa pushim. Një tjetër kishte qenë në Avdiivka për gati dy vjet të luftës, e lodhur pa zëvendësime për t’i liruar.

Municionet ishin të pakta dhe rusët kryenin sulme ajrore çdo ditë, duke përdorur bomba rrëshqitëse për të shkatërruar pozicionet e fortifikuara.

Ushtarët rusë vinin si valët: së pari fillonin me ushtarë të armatosur lehtë, për t’i shtyrë mbrojtësit ukrainas t’i harxhojnë plumba të vlefshëm, të cilët ndiqeshin nga ushtarë të trajnuar. Ndonjëherë i nxinin në pritë forcat speciale ose sabotatorët që dilnin nga tunele.

Me rënien e moralit, një komandat batalioni - në krye të qindra burrave – u zhduk nën rrethana të panjohura, sipas dokumenteve të para nga “Associated Press”. Një nga ushtarët që ishte me të u gjet i vdekur. Komandanti dhe një ushtar tjetër që ishte me të nuk janë parë më që atëherë.

Brenda javës, Ukraina humbi Avdiivkan, qytetin në rajonin Donetsk, të cilin ka qenë duke e mbrojtur shumë kohë para pushtimit të plotë rus. Gati të rrethuar dhe të tejkaluar në numër, ukrainasit morën vendimin të tërhiqeshin dhe të shmangin rrethimin vdekjeprurës që përjetuan ushtarët në qytetin-port Mariupol, ku mijëra ushtarë u kapën peng apo u vranë.

“The Associated Press” ka intervistuar 10 ushtarë ukrainas për të treguar se si numri i paktë i municioneve, numri dukshëm më i madh ushtarëve rusë dhe menaxhimi jo i mirë ushtarak quan në humbjen më të keqe të Ukrainës në vitin e fundit. Të njëjtat probleme paraqesin rreziqe për të ardhmen e afërt të Ukrainës.

“Nuk ishim fizikisht të lodhur sa ishim psikologjikisht, të lidhur në atë vend”, ka thënë Viktor Biliak, këmbësor në Brigadën e 110-të, i cili ka qenë në atë zonë që nga marsi i vitit 2022.

Burrat kanë bërë shaka duke thënë se e vetmja mënyrë për t’u larguar që aty ishte të vdisnin, të plagoseshin ose të shkonin në burg.

Njësia e tij ishte në periferinë jugore të Avdiivkas, në një pozitë shumë mirë të fortifikuar të quajtur “Zenith”, e cila ka qenë në vijën e frontit që nga sulmi i parë i Rusisë në vitin 2014. Normalisht burrat do të gërmonin fortifikime, por Biliaku ka thënë se ka pasur sulme të njëpasnjëshme ruse dhe zero energji ose pajisje, përpos lopatave të dorës.

Disa nga llogoret, që as nuk mund të quheshin të tilla, ishin të thella deri në gjunjë, sipas imazheve të postuara në rrjetet sociale të brigadave të ndryshme. Kjo do të thoshte se kur ushtarët tërhiqeshin, nuk kishte vend të sigurt për t’u tërhequr.

Ditët e hershme

Një ushtar i quajtur Oleh arriti në mes të tetorit te Brigada e 47-të. Këmbësoria ruse e trajnuar keq, e veshur me uniforma të reja dhe duke marshuar në radhë, ishte shënjestër e lehtë, ka thënë ai. Pajisjet ukrainase funksiononin dhe furnizimet e municionit ishin të mjaftueshme sa për të hapur zjarr.

Rusët lehtë burgoseshin dhe disa prej tyre kishin shërbyer për pak më shumë se një muaj, sipas dokumenteve të tyre.

“Ata nuk e dinin se ku po shkonin dhe kur pyeteshin se çfarë pune kishin, ata zakonisht thoshin se supozoheshin të strehoheshin në një bodrum dhe të prisnin për forcat e radhës”, ka thënë Olehu, i cili si shumica e ushtarëve ukrainas kërkoi të identifikohej vetëm nga emri i tij.

Por, nga fundi i nëntorit, gjatë një sulmi të madh rus, ukrainasit e kuptuan se diçka kishte ndryshuar: Qiejt u mbushën me bomba rrëshqitëse, armë gjigante të epokës sovjetike të pajisura me sistem shënjestrimi navigues që shkatërron gjithçka rreth tyre, si dhe dronët me sensorë të lëvizjeve që mund të hyjnë në ndërtesa dhe të godasin personelin.

Me municione të pakta, ukrainasit luftuan me çfarëdo kalibri të municioneve të mbetura në magazina. Për çdo predhë të hedhur, rusët hidhnin tetë ose nëntë të tjera, kanë thënë burrat.

Image

“Kur ke lloje të ndryshme të predhave, ato kanë trajektore të ndryshme dhe duhet të matesh se ku do të fluturojnë ato, ku do të godasin. Ky është lloj kaosi”, ka thënë Olehu. “Dhe sa më gjatë që vazhdonte, aq më shumë kishim predha të përziera për të gjitha llojet e armëve”.

Në mesin e ushtarëve ukrainas, ideja e tërheqjes kishte filluar. Nuk kishte përforcime, nuk kishte as municione dhe asnjë ndryshim në urdhrat e tyre.

Jehona e Azovstalit

Qindra forca ukrainase ishin tërhequr në fabrikën e koksit në Avdiivka pas sulmeve të përsëritura ruse vjeshtën e kaluar.

Perimetri i saj 10-kilometërsh ishte i rrethuar nga një varg ndërtesash, shkallësh, oxhaqesh, hekurudha dhe tubacione mbitokësore. Zona gati drejtkëndore e epokës sovjetike ishte e rrethuar nga fusha të hapura në të tri anët dhe kishte afër shtëpiza në anën tjetër.

Me fjalë të tjera, kishte pozicion mbrojtës gati perfekt.

Ata u përpoqën të mos mendonin për qëndrimin e fundit famëkeq në fabrikën e çelikut “Azovstal” në Mariupol, që para luftës ishte një nga konsumatorët kryesor të fabrikës së koksit, dhe vendi ku qindra ushtarë ukrainas vdiqën ose janë marrë peng nga Rusia.

Por, me fillimin e vitit të ri, edhe fabrika e koksit ndihej e pambrojtur. Bombat rrëshqitëse filluan të shpërthenin afër duzinave çdo ditë.

Duke mbajtur krahun përgjatë fushave në veri, Olehu një herë numëroi 74 sulme ajrore në një ndërrim të vetëm. Oleksander, një komandant me Brigadën Presidenciale që ishte brenda fabrikës, ka thënë se efekti psikologjik ishte i tmerrshëm.

“Të gjithë janë të mësuar me raketa, por bombat ajrore janë diçka e re, me të cilat nuk jemi mësuar”, ka thënë ai. “Fuqia e tyre shkatërruese është shumë më e madhe. Efekti i tyre në psikikë është gjithashtu më i madh”.

Brigadat ukrainase përpiqen t’i zhvendosin burrat nga pozicionet e drejtpërdrejta të vijës së parë të frontit pas disa ditësh ose maksimumi pas një jave. Gjithashtu brigadat me angazhime afatgjata supozohen të tërhiqen për t’u lejuar atyre zëvendësimin e njerëzve të vdekur ose të lënduar, për t’i pushuar nervat e tyre dhe për t’u furnizuar.

Por kjo nuk ndodhi në Avdiivka.

Brigada e 110-të ishte duke luftuar që nga marsi i vitit 2022 dhe Batalioni i 2-të i Brigadës Presidenciale që nga marsi i vitit 2023. Brigada e 47-të arriti në mes të tetorit.

Teksa zyrtarët në Kiev argumentuan rreth çështjes delikate të zgjerimit të mobilizimit, shumë nga ushtarët në lindje ndiheshin të injoruar nga aleatët perëndimorë, të cilët nuk dërgonin më armë, e po ashtu edhe nga komanda e tyre e lartë dhe nga ukrainasit e tjerë.

Forcat speciale ruse filluan të shfaqeshin, që dukej sikur shfaqeshin nga asgjëja, dhe të gjuanin mbi ukrainasit para se të zhdukeshin përsëri. Rusët sulmuan nga një kanalizim pas linjave ukrainase dhe kapën një komandant para se ushtarët e habitur të mund të reagonin. Këta burra u tërhoqën në pozicionin e Biliakut, në krahun jugor të Avdiivkas.

Ushtarët në fabrikën e koksit kishin probleme të ngjashme, duke u mësuar të mbroheshin nga surprizat që shfaqeshin nga rrjetet e tuneleve dhe nga sulmet e pafundme dhe dërrmuese frontale.

“Ata vetëm vazhdonin të sulmonin fabrikën e koksit, duke lënë pirgje me kufoma atje. Pirgje trupash dhe grumbuj pajisjesh të copëtuara”, ka thënë Maksymi, ushtar në Brigadën Presidenciale. “Dhe çdoherë, ata ndiqnin të njëjtën rrugë, ne i godisnim dhe i godisnim dhe në fund e mbajtëm pozicionin tonë”.

Por rusët kishin, siç duket, furnizime të pafundme me trupa dhe municione dhe nuk kishin frikë t’i shpenzonin ato. Mes sulmeve ajrore të pafundme dhe avancimit të këmbësorisë ruse, trupat ukrainase kanë parë se opsionet e tyre ngushtoheshin me çdo rrugë që armiku pushtonte.

Me presion konstant dhe mungesë të ndihmave pati biseda për tërheqje, ka thënë Olehu.

“Sulmet e tyre të vazhdueshme na lodhën”.

Kaplimi nga lodhja

Brigada e 3-të e sulmeve arriti herët në javën e dytë të shkurtit, me urdhër për të shkuar drejt fabrikës së koksit. Brigada, e gjitha me vullnetarë, është e njohur për fitore kur u jepen pak gjasa. Në kohën kur luftëtarët me përvojë arritën në fabrikë, trupat ruse pothuajse kishin ngushtuar krahun e gjerë rreth saj.

Deri atëherë, linjat mbrojtëse u shkatërruan pjesërisht dhe armiku dukej se ishte kudo.

Më 8 shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, pushoi shefin ushtarak të Ukrainës, Valerii Zaluzhnyi. Kjo ishte shkundja më e madhe e ushtrisë që nga fillimi i luftës.

Ditën tjetër jashtë Avdiivkas, ushtarët që luftonin për ta shpëtuar qytetin u mblodhën në një post komandimi disa kilometra larg fabrikës së koksit. Aty pati një diskutim të ashpër dhe komandanti dhe dy ushtarë u larguan së bashku me makinë, sipas dokumenteve të para nga “AP”. Çfarë ndodhi pastaj është e paqartë, në një kohë kur emocionet arritën kulmin dhe sabotatorët rusë shfaqeshin prapa linjave ukrainase.

Autoritetet nuk besojnë se oficeri i zhdukur kishe informacion të klasifikuar ose pajisje ushtarake me vete kur u zhduk me dy të tjerët. Një nga ushtarët u gjet i vrarë nga plagët prej armëve aty afër. Komandanti dhe ushtari tjetër janë akoma të zhdukur.

Tërheqja nga Avdiivka

Më 15 shkurt, Biliaku mori urdhrin për tërheqje të Brigadës së 110-të gjatë natës, nga pika e tij në krahun jugor të Avdiivkas. Ai u caktua të tërhiqej në grupin e katërt. Grupi i parë u zu në pritë thuajse menjëherë.

Grupi i dytë u zu në pritë dhe u rikthye. I lënduar lehtësisht nga një predhë, Biliaku dhe burrat e tjerë u ndanë në grupe më të vogla dhe u larguan nëpër errësirë. Ai ishte në pozicionin e njëjtë, në jug të Avdiivkas, për gati dy vjet.

“Do të ishte çast i lumtur nëse do të kishte ndodhur më herët. Ne gjithmonë ishim gati të linim gjithçka prapa dhe të largoheshim nga atje, sepse e dinim për një kohë të gjatë se fundi ishte duke ardhur”, ka thënë ai. “Por në fund e dinim se tashmë ishte shumë vonë dhe kjo ndodhi nga mungesa e shpresës”.

Ai u largua në këmbë, me një fashë të freskët në fytyrë. Syzet për shikimin gjatë natës ishin gjëja që e lejuan atë të gjente rrugën drejt një vendi të sigurt, ka thënë ai.

Por, ato i shfaqën atij edhe tmerrin që po ndodhte: burra që kishin rënë në krateret e bombave dhe kishin thyer këmbët gjatë tërheqjes. Të tjerët ishin lënduar nga predhat dhe u kishin thënë të prisnin një makinë për t’i evakuuar, duke përfshirë një burrë që kishte telefonuar motrën e tij teksa ishte shtrirë në errësirë i lënduar së bashku me katër burra të tjerë, sipas incizimeve të bisedave të motrës së ushtarit. Askush nuk mund t’i arrinte ata.

Burrat ishin akoma gjallë ditën tjetër, por gjatë një telefonate në shtëpi, familja dëgjoi ushtarët rusë: “Qohuni, largohuni, ne nuk do t’ju largojmë që këtu”. Të pestë pastaj ishin identifikuar si të vdekur nga Brigada e 110-të.

Brigada e 3-të e sulmit mori urdhrat për t’u tërhequr një ditë pas Brigadës së 110-të. Ishte e rregullt, por e nxituar.

Ekipi i zbulimit ajror mblodhi dronët e tyre dhe i vendosi në çanta shpine. Ata shkatërruan çfarë nuk mund të merrnin me vete, në mënyrë që të mbanin pajisjet larg duarve të rusëve dhe u mblodhën në transportues të blinduar të personelit, si sardele, ka thënë Lypeni, operator i dronëve me brigadën.

Forcat ukrainase e dinin se rusët ishin duke përgjuar bisedat e tyre nëpërmjet radiolidhjeve, kështu që ata komunikuan ballë për ballë sa herë që ishte e mundur. Deri në orën 5 të mëngjesit, fabrika e koksit që mbante më shumë se 1.000 ushtarë ukrainas, një ditë më herët, kishte mbetur me vetëm disa kamionë me ushtarë.

Më 17 shkurt, Rusia mori nën kontroll fabrikën e koksit të Avdiivkas.

Ushtria ukrainase ka thënë se shumica e ushtarëve që u tërhoqën nga Avdiivka u larguan të sigurt dhe se humbjet ruse ishin shumë më të mëdha.

Më 29 shkurt, shefi i ri ushtarak i Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, ka lëshuar një deklaratë duke theksuar rëndësinë e komandantëve vendimtarë dhe me përvojë. Ai ka thënë se inspektimi i tij i trupave në rajonin e Donetskut ka zbuluar se disa komandantë “kanë bërë disa llogaritje të gabuara në zotërimin e situatës dhe vlerësimin e armikut, të cilat ndikuan drejtpërdrejt në stabilitetin e mbrojtjes në drejtime të caktuara”.

Shumë nga burrat shqetësohen se çfarë do të thotë humbja e Avdiivkas për të ardhmen e Ukrainës. Nuk ka kohë për të humbur.

“Unë mundohem të mos ndiej ndjenjën e dëshpërimit dhe tradhtisë”, ka thënë Andrii, i cili kishte luftuar në Avdiivka me Brigadën e 110-të që nga viti 2022. “Lufta është ende këtu. Ne duket të rikuperohemi dhe të vazhdojmë të lëvizim”.

Përgatiti: Latra Gashi

LEXO EDHE: