Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka shpërndarë kabinetin e luftës të hënën. Veprimi zvogëlon gjasat e armëpushimit në të ardhmen e afërt në Rripin e Gazës.
Netanyahu mori vendimin disa ditë pasi Benny Gantz u largua nga kabineti me tre zyrtarë.
Politikat e luftës tani do të miratohen nga Kabineti i Sigurisë i Netanyahut. Ky organ njihet për kundërshtimin e ashpër ndaj propozimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për armëpushim.
“Natanyahu pritet të konsultohet për disa vendime me aleatët e ngushtë në takime ad- hoc-e”, kishte thënë një zyrtar i izraelit i cili anonimisht kishte treguar për shpërndarjen e kabinetit të luftës.
Takimet e mbajtura me dyer të mbyllura mund të zbehin ndikimin e kërkesës për armëpushim. Mirëpo edhe vetë Netanyahu nuk është shprehur i entuziazmuar për planin e armëpushimit, raporton Associated Press.
Çka do të thotë shpërndarja e kabinetit për armëpushimin?
Pse Gantz u bashkua e më pas u dorëhoq nga kabineti i luftës?
Kabineti i luftës ishte formuar pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit me 7 tetor 2023, kur Gantz, iu bashkua Netanyahut dhe ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant në një ekip uniteti.
Në atë kohë, Gantz kishte kërkuar që ky organ të udhëhiqte luftën, duke mënjanuar anëtarët e ekstremit të djathtë të qeverisë së Netanyahut.
Gantz u largua nga kabineti në fillim të këtij muaji.
Ai tha se ishte ngopur me dështimin për të sjellë në shtëpi dhjetëra pengje izraelite të mbajtur nga Hamasi, dhe akuzoi Netanyahun për shmangie të zgjedhjeve të reja dhe e akuzoi për korrupsion.
Si do të ndryshojnë politikat e Izraelit gjatë kohës së luftës?
Bisedimet për armëpushim ende nuk kanë sjellë përparim në raportet mes Izraelit dhe Hamasit.
Netanyahu do të mbështetet tek anëtarët e kabinetit të sigurisë, disa prej të cilëve kanë kundërshtuar marrëveshjet e armëpushimit dhe kanë shprehur mbështetje për ripushtimin e Gazës.
Pas largimit të Gantzit, ministri ultranacionalist i sigurisë kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir, kërkoi përfshirjen në një kabinet të rinovuar të luftës.
Vendimi i së hënës gjithashtu i jep Netanyahut liri për të negociuar për çështjen e luftës dhe të qëndrojë në pushtet. Kritikët e Netanyahut kanë thënë se përfundimi i luftës do të sillte hetim mbi dështimet e qeverisë më 7 tetor dhe do të rriste gjasat për zgjedhje të reja, raporton Associated Press.
“Kjo do të thotë se ai do t'i marrë të gjitha vendimet vetë, ose me njerëzit të cilëve ai iu beson”, tha Gideon Rahat, kryetar i departamentit të shkencave politike në Universitetin Hebraik të Jerusalemit. “Dhe interesi i tij është të ketë një luftë të ngadaltë”.