Botë

Si arriti fotografia nga inteligjenca artificiale për Gazën të marrë vëmendjen e botës

All Eyes on Rafah

Shkrimi “All Eyes on Rafah” (Të gjithë sytë nga Rafah) mbi një fotografi ka pushtuar rrjetet sociale këtë javë. Referenca është për qytetin e Gazës që është bërë qendër e luftës, qëkur Izraeli nisi sulmin mbi kampet e refugjatëve palestinezë në atë që cilësohej si zonë sigurie, duke vrarë dhjetëra palestinezë të zhvendosur.

Një fotografi e krijuar nga inteligjenca artificiale – që s’ka të bëjë aspak me qytetin e Rafahut apo luftën në Gazë – është shpërndarë mbi 46 milionë herë vetëm në Instagram.

Fotografia ka pasur për qëllim të paraqesë një fushë të tendave të refugjatëve.

Nga vjen kjo frazë?

Fraza “Të gjithë sytë nga Rafah” është shpërndarë tash e disa muaj krahas fotografive nga lufta në Gaza dhe nuk ka të bëjë vetëm me fotografinë që është bërë virale.

Thënia derivon nga komentet e bëra në shkurt prej Rik Peeperkornit, që udhëheq zyrën e Organizatës botërore të Shëndetësisë në Bregun Perëndimor dhe në Gazë.

Në atë kohë, më shumë se 1.5 milionë refugjatë palestinezë, shumë nga të cilët po largoheshin nga veriu drejt pjesëve qendrore të Gazës, u grumbulluan në qytetin e Rafahut, që po ashtu përballej me sulme nga Izraeli, në përpjekjet “për të goditur terroristët e Hamasit në atë zonë”.

“Të gjithë sytë ishin nga Rafahu”, kishte thënë Peeperkorn, duke nxjerrë frazën që u bë virale në gjithë botën.

Instagrami e ka apostrofuar llogarinë “shahv4012” si krijuese të dizajnit. 

Çfarë e ka bërë kaq të famshme fotografinë në fjalë?

Sipas profesoreshës në McMaster University të Ontarios, Faiza Hirji, që merret me studime të racave, feve e medias, një nga arsyet pse fotografia u bë virale është se nuk është imazh i dhunës dhe paraqet rrezik më të vogël që platformat sociale t’ia ndalin hovin. Natyrshmëria e fotografisë, sipas saj, e bën më të lehtë të qarkullueshme sesa imazhet reale të luftës. 

Po ashtu, fotografia po shpërndahet në Instagram me veçorinë “add yours” (shto tënden), që ua mundëson përdoruesve ta ripostojnë lehtësisht si storie personale. Kjo është mënyra më e lehtë për ta shpërndarë.