Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se armëpushimi në Gaza është shtyrë derisa Hamasi ta publikojë listën e pengjeve izraelite që do të kthehen, raporton “BBC”.
Netanyahu ka thënë se ka këshilluar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit që të mos e nisin armëpushimin, që ishte paraparë të hynte në fuqi sot nga ora 8:30 me kohë lokale.
Hamasi ka thënë se vonesa në publikim të listës “është për shkaqe teknike”.
Netanyahu ka thënë të shtunën mbrëma se faza e parë e ndalimit të luftimeve në Gaza ishte “armëpushim i përkohshëm” dhe se Izraeli e ka të drejtën ta rinisë ofensivën nëse prishet marrëveshja.
Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Daniel Hagari, tha se Hamasi nuk i ka përmbushur detyrimet e dala nga marrëveshja dhe se armëpushimi s’do të hyjë në fuqi derisa ta bëjë këtë.
“Deri këtë mëngjes, Hamasi nuk i ka përmbushur obligimet, dhe në kundërshtim me marrëveshjen, nuk i ka ofruar shtetit të Izraelit emrat e pengjeve që po kthehen. Marrëveshja e armëpushimit s’do të hyjë në fuqi përderisa Hamasi të mos i përmbush obligimet”, tha Hagari.
Sipas marrëveshjes, emrat e pengjeve do të ofrohen të paktën 24-orë para planifikimit të shkëmbimit me të burgosurit palestinezë. Sot ishte paraparë të bëhej shkëmbimi.
E sulmet izraelite në Gaza kanë vazhduar. Autoritetet në Gaza kanë bërë të ditur se tetë persona janë vrarë të dielën në një sulm izraelit.
Izraeli merr tri pengjet e para të liruara sipas marrëveshjes së armëpushimit
Ushtria izraelite ka marrë tre pengje që janë liruar në armëpushimin e Gazës, e cila filloi mëngjesin e së dielën.
Pengjet u liruan nga Hamasi në Kryqin e Kuq në qytetin e Gazës, përpara se t'i dorëzoheshin IDF-së, e cila po i transporton ata në Izrael.
Izraeli s’e ndal luftën pa u kthyer të gjitha pengjet, thotë Katz
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar të dielën se Izraeli "nuk do ta ndalë luftënpara se të gjitha pengjet të kthehen në shtëpi".
"Ne do të kujdesemi për ruajtjen e zonave tampon dhe do t'i përgjigjemi me forcë çdo shkeljeje dhe kërcënimi”, ka thënë Katz, i cili po inspektonte të dielën një strukturë të vendosur për të marrë pengjet e kthyera që liroheshin si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi, raporton AP.
Armëpushimi është arritur për t’i ndalur luftimet pas 15 muajsh lufte dhe të mundësojë lirimin e dhjetëra pengjeve të mbajtura nga militantët në Rripin e Gazës dhe qindra palestinezëve të burgosur nga Izraeli.
E ndërmjetësuar nga ndërmjetësit e Shteteve të Bashkuara, Katarit dhe Egjiptit në muaj bisedimesh indirekte midis palëve ndërluftuese, marrëveshja është armëpushimi i dytë i arritur në konfliktin shkatërrues.
Sulmi i udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023 në Izraelin jugor vrau rreth 1,200 njerëz dhe la rreth 250 të tjerë robër. Rreth 100 pengje mbeten në Gaza.
Izraeli u përgjigj me një ofensivë që ka vrarë më shumë se 46,000 palestinezë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë, të cilët nuk bëjnë dallim midis civilëve dhe militantëve.
Hamasi pret që 90 të burgosur palestinezë të lirohen të dielën
Hamasi thotë se është ende duke pritur që Izraeli të dërgojë një listë të të burgosurve palestinezë, duke përfshirë gra dhe fëmijë, që planifikon ta lirojë sot si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve.
Në një deklaratë, Hamasi thotë se armëpushimi thotë se për çdo peng izraelit të liruar, 30 të burgosur palestinezë do të lirohen nga burgjet izraelite, dhe se 90 duhet të lirohen sot, raporton BBC.
Tri gra izraelite të cilat u morën peng më 7 tetor 2023 nga Hamasi do të lirohen më vonë.
Një zëdhënës i ministrisë së Shëndetësisë së Gazës u ka thënë gazetarëve se ata do të punojnë me Kryqin e Kuq për shkëmbimin e të burgosurve dhe Spitali Evropian i Gazës, në qytetin jugor të Khan Younis, është vendi ku të burgosurit e liruar do të dërgohen për trajtim fillestar.
Palestinezët në Gazë fillojnë kthimin në shtëpitë e tyre
Mijëra banorë të Gazës të zhvendosur brenda vendit kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre mëngjesin e së dielës.
Radha të gjata njerëzish që mbanin rroba dhe sende të tjera shihen në fotot e publikuara nga fotografët në territor, raporton BBC.
Ndërkohë, agjencia palestineze e OKB-së për refugjatët (UNRËA), ka bërë të ditur se mijëra kamionë të mbushur me ushqime dhe miell tani presin të hyjnë në Gaza, diçka e rënë dakord në marrëveshjen e armëpushimit.
Në një postim në X, agjencia thotë se ka "4,000 kamionë me ndihma gati për të hyrë në Gaza, gjysma e tyre bartin ushqim dhe miell".
Jep dorëheqje pas armëpushimit ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare
Partia e ekstremit të djathtë, “Fuqia Hebraike”, ka njoftuar se po largohet nga qeveria izraelite në shenjë proteste ndaj marrëveshjes së armëpushimit.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, së bashku me Yitzhak Wasserlauf dhe Amichai Eliyahu, dorëzuan letrat e tyre të dorëheqjes mëngjesin e së dielës, raporton BBC.
Ben-Gvir ka qenë prej kohësh një kundërshtar i zëshëm i marrëveshjes së armëpushimit dhe ka shtyrë që Izraeli të vazhdojë operacionin e tij ushtarak kundër Hamasit në Gaza.
Në letrën e dorëheqjes së tij, Ben-Gvir ka thënë se nuk do të punonte për të rrëzuar qeverinë, por e quajti marrëveshjen e armëpushimit një "fitore të plotë për terrorizmin".
Pas tri orësh vonesë, armëpushimi në Gaza hyn në fuqi
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur të dielën në mëngjes, se armëpushimi do të hyjë në fuqi po të dielën në orën 11:15 me kohën lokale.
Vendimi vjeni pasi Izraeli publikoi listën e 33 pengjeve që do të lirohen nga Hamasi, përfshirë pengjet më të rinj dhe më të vjetër të marrë nga grupi më 7 tetor 2023.
Ministria e Jashtme izraelite ka ndarë në llogarinë e saj në X një imazh me emrat e 33 pengjeve të parë që pritet të lirohen.

Hamasi publikon emrat e tri grave që thotë se do t’i lirojë fillimisht
Në një postim në Telegram, Hamasi ka publikuar emrat e tri pengjeve të para që thotë se do t’i lirojë, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin.
Romi Gonen, Emily Damari dhe Doron Steinbrecher janë gratë e para që do të lirohen si pjesë e marrëveshjes, është thënë nga Hamasi.
Steinbrecher 31-vjeçare është një veterinare, që ishte në apartamentin e saj në Kibuttz Kfar Aza kur Hamas sulmoi më 7 tetor të vitit të kaluar.
Romi Gonen 24-vjeçare ishte në festivalin Supernova kur u kap nga militantët e Hamasit. Ndërkohë 28-vjeçarja Emily Damari, me shtetësi britanike dhe izraelite, u mor peng nga Kibuttz Kfar Aza.
Izraeli ka shtyrë hyrjen në fuqi të armëpushimit derisa Hamasi ta publikojë listën.