Botë

Shumë njerëz, pak menaxhim - kaosi turistik i verës së vitit 2024

Turizmi

Kushdo që i kushton vëmendje gjatë kësaj vere turizmit shumë të ngarkuar, është i njohur me pasojat në rritje në mbarë botën: bllokimet e trafikut, punëtorët e industrisë së turizmit që jetojnë në tenda, dhe protestat "antiturizëm" që kishin synim të turpëronin vizitorët ndërsa darkonin, ose, si për shembull, në Barcelonë gjatë muajit korrik t'i spërkasnin me ujë

Zilja e shtëpisë së Martinho de Almada Pimentel është e vështirë për t'u gjetur dhe kjo i pëlqen atij.

Është një litar i gjatë që kur tërhiqet një tingëllimë dëgjohet në çati, e cila ia bën të ditur se dikush është jashtë pallatit, të cilin stërgjyshi i tij e ndërtoi në vitin 1914, si një vend privatësie në një mal.
Ka pak gjëra të çmuara për Pimentel, gjatë kësaj vere të “turizmit të mbingarkuar”.

Udhëtarët që rrinë kot jashtë mureve të pallatit Casa do Cipreste, ndonjëherë dallojnë zilen dhe e tërheqin fijen "sepse është qesharake", shpjegon Pimentel, i cili jeton vetëm.

Me dritaret e hapura, ai mund të “nuhasë” gazin e makinës dhe të dëgjojë "tuk-tuk"-in e skuterëve të mëdhenj, të quajtur kështu për tingullin që lëshojnë. Dhe ai mund të ndiejë po ashtu zhgënjimin e 5,000 vizitorëve në ditë, të cilët detyrohen të qëndrojnë në radhë, në kalimet me një korsi të vetme për në Pallatin Pena, dikur një vend i mbretit Ferdinand II.

“Tani jam më i izoluar sesa gjatë Covidit”, thotë Pimentel me një të folur të butë.

“Tani përpiqem të mos dal. Ajo që ndiej është: zemërim”.

Ky është rrëfimi se çfarë do të thotë të vizitohesh në vitin 2024, vitin e parë në të cilin turizmi pritet të vendosë rekorde që kur shumica e gjërave u ndaluan si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Lëvizja nga një vend në tjetrin është në rritje, në vend që të normalizohet, e nxitur nga udhëtimet e vazhdueshme, fushatat digjitale nomade dhe të ashtuquajturat viza të arta, që fajësohen pjesërisht edhe për rritjen e çmimeve të pronave.

Kushdo që i kushton vëmendje “turizmit të mbingarkuar” gjatë kësaj vere, është i njohur me pasojat në rritje në mbarë botën: bllokimet e trafikut, punëtorët i industrisë së turizmit që jetojnë në tenda, dhe protestat "antiturizëm" që synonin të turpëronin vizitorët ndërsa darkonin, ose, si për shembull, në Barcelonë gjatë muajit korrik, t'i spërkasnin me ujë.

Protestat janë një shembull i vendasve që përdorin fuqinë e numrave të tyre dhe mediave sociale për t'u dhënë udhëheqësve një ultimatum: menaxhoni më mirë këtë çështje ose do t’i trembim turistët, të cilët mund të shpenzojnë 11.1 miliardë dollarë në vit diku tjetër. Çmimet e pronave, trafiku dhe menaxhimi i ujit janë të gjitha duke u vëzhguar.

"Të mos jem në gjendje të kem ndonjë ambulancë apo të mos jem në gjendje të blej gjëra ushqimore  është një problem i njerëzve të pasur?" - pyet Matthew Bedell, një tjetër banor i Sintras, i cili nuk ka barnatore apo dyqan ushqimesh në qendër të qytetit të mbrojtur nga UNESCO.
"Këto nuk më duken si probleme të njerëzve të pasur”, ka thënë Bedell.

Çfarë është "turizmi i mbingarkuar”?

Vetë fraza "turizmi i mbingarkuar” në përgjithësi përshkruan pikën e kthesës në të cilën vizitorët dhe paratë e tyre ndalojnë së qeni në dobi për banorët, dhe në vend të kësaj shkaktojnë dëm duke degraduar vendet historike, duke tejkaluar infrastrukturën që ofron ai vend dhe duke e bërë dukshëm më të vështirë jetën për ata që jetojnë atje.

“Overtourism” një “hashtag” që u jep një emër protestave dhe armiqësisë që keni parë gjatë gjithë verës. Por, shikoni pak më thellë dhe do të gjeni çështje më të ndërlikuara për vendasit dhe drejtuesit e tyre, asnjë më universale sesa çmimet e pronave të nxitura nga qiratë afatshkurtra si Airbnb, nga Spanja në Afrikën e Jugut. 

Disa zona po inkurajojnë "turizëm cilësor", i përcaktuar përgjithësisht si me më shumë konsideratë nga vizitorët ndaj banorëve lokalë e më pak sjellje si dehje, bërje të selfive e gjëra tjera.

“’Turizmi i mbingarkuar’ është gjithashtu një fenomen social”, sipas një analize për Organizatën Botërore të Tregtisë të cilën e shkruan Joseph Martin Cheer nga Universiteti Western Sydney dhe Marina Novelli nga Universiteti i Nottingham. 

Në Kinë dhe Indi, për shembull, shkruanin ata, vendet e mbushura me njerëz janë më të pranuara nga shoqëria. 

“Kjo lë të kuptohet që pritshmëritë kulturore të hapësirës personale dhe pritjet e ekskluzivitetit ndryshojnë”, thuhet më tej në analizë.

Vera e vitit 2023 u përcaktua nga vetë kaosi i udhëtimit - aeroportet dhe linjat ajrore të mbingarkuara, pasaportat një makth për udhëtarët nga SHBA-ja. Megjithatë, nga fundi i vitit, shenjat ishin të shumta se nxitimi për të kryer udhëtime pas ndalimeve të mëdha gjatë pandemisë me Covid-19, po përshpejtohej.

Në janar, agjencia e turizmit e Kombeve të Bashkuara parashikoi se turizmi në mbarë botën do të tejkalonte rekordet e vendosura në vitin 2019, me 2%. Deri në fund të marsit, raportoi agjencia, më shumë se 285 milionë turistë kishin udhëtuar ndërkombëtarisht, rreth 20% më shumë se tremujori i parë i vitit 2023. Evropa mbeti destinacioni më i vizituar. 

Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit parashikoi në prill se 142 nga 185 vendet që ai analizoi do të vendosnin rekorde për turizmin, do të gjeneronin 11.1 bilionë dollarë globalisht, dhe do të numëronin 330 milionë vende pune.

Përveç parave, ka pasur telashe në parajsë këtë vit, me Spanjën që luan një rol kryesor në çdo gjë, nga problemet e menaxhimit të ujit deri te rritja e madhe e çmimeve të pronave dhe dramës së turistëve të dehur.

Protestat shpërthyen në të gjithë vendin që në mars, kur mbishkrimet në Malaga thuhet se u kërkonin turistëve të "shkonin në shtëpi". Mijëra protestues demonstruan në Ishujt Kanarinë të Spanjës kundër vizitorëve dhe ndërtimeve që po mbingarkonin shërbimet e ujit dhe po rrisnin çmimet e pronave. Në Barcelonë, protestuesit turpëruan dhe hodhën ujë në drejtim të njerëzve që supozohej se ishin vizitorë, teksa ata po darkonin në zonën turistike, Las Ramblas.

Në Japoni ardhjet e turistëve, të nxitur nga jeni i dobët, pritej të vendosnin një rekord të ri në vitin 2024. Por, Kyoto ndaloi turistët nga rrugica të caktuara. Qeveria vendosi kufizime për njerëzit që ngjiten në malin Fuji. Dhe në Fujikawaguchiko, një qytet që ofron disa nga pamjet më të mira të malit, drejtuesit ngritën një pengesë në një parking, për të penguar turistët nga mbipopullimi i vendit. Turistët me sa duket u kundërpërgjigjën duke shkaktuar dëme në pengesë.

Udhëtimi ajror, ndërkohë, u bë vetëm më i varfër, raportoi qeveria e SHBA-së në korrik. UNESCO në anën tjetër ka paralajmëruar për dëmtime të mundshme në zonat e mbrojtura. Dhe "No List 2024" e Fodorit u bëri thirrje njerëzve që të rishqyrtojnë vizitën e pikave të nxehta, duke përfshirë vendet në Greqi dhe Vietnam, si dhe zonat me probleme të menaxhimit të ujit në Kaliforni, Indi dhe Tajlandë.
Pikat ende jo të nxehta dukeshin se do të përfitonin nga fushatat e "de-turizmit" si për shembull fushata "Stay Away" e Amsterdamit, që synonte burrat e rinj. 

Fushata "Mirë se vini në MonGOlia", shembull, nxiti rritje të turizmit. Vizitat në atë vend nga turistët e huaj u rritën me 25% në shtatë muajt e parë të 2024-ës krahasuar me vitin e kaluar.

Turizmi po rritet dhe po zhvendoset aq shpejt sa disa ekspertë thonë se vetë termi "overtourism" është i vjetruar.

Michael O'Regan, një zyrtar mbi turizmin dhe ngjarjet në Universitetin Kaledonian të Glasgowit, argumenton se "turizmi i mbingarkuar" është bërë një fjalë kryesore që nuk pasqyron faktin se përvoja varet kryesisht nga suksesi ose dështimi i menaxhimit të turmës. Është e vërtetë që shumë nga demonstratat nuk kanë për qëllim vetë turistët, por drejtuesit që lejojnë që vendasit të cilët duhet të përfitojnë nga turizmi, të bëhen ata që paguajnë.

“Ka pasur reagime kundër modeleve të biznesit mbi të cilat është ndërtuar turizmi modern dhe mungesës së përgjigjes nga politikanët”, është shprehur O’Regan. 

“Turizmi u kthye më shpejt nga sa prisnim", shton ai, por turistët sipas tij nuk janë problemi. 

“Ka një luftë globale për turistët. Ne nuk mund ta injorojmë atë. ... Pra, çfarë ndodh kur kemi shumë turistë? Destinacionet duhet të bëjnë më shumë kërkime”, ka theksuar ai.

Vizitorët kundrejt të vizituarve

Virpi Makela mund të përshkruajë saktësisht se çfarë ndodh në cepin e qytetit turistik të Portugalisë, Sintra.

Mysafirët që vijnë te Casa do Valle, apartamenti i saj me mëngjes në afërsi të qendrës së fshatit, e vënë Makelan në telashe sepse turistët nuk dinë se si ta gjejnë pronën e saj mes rregullave të trafikut të “çorganizuar” të Sintras që duket se ndryshojnë pa paralajmërim. 

“Është një shtyllë në mes të rrugës që lëviz dhe nuk mund të ecësh përpara sepse të prish makinën. Kështu që duhet të zbresësh disi, por nuk mund të kthehesh, kështu që duhet të tërhiqesh nga rruga,” thotë Makela, një banore në Portugali prej 36 vjetësh. 

"Dhe më pas njerëzit zhgënjehen aq shumë kur vijnë në rrugën tonë, e cila gjithashtu ka një tabelë që thotë ‘vetëm automjete të autorizuara’. Dhe kështu, ata bllokojnë gjithçka”, është shprehur ajo. 

Askush nuk e kundërshton idenë se bumi i turizmit në Portugali ka nevojë për menaxhim më të mirë. 
Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit (WTTC) parashikoi në prill se sektori i turizmit në Portugali do të rritet këtë vit me 24% mbi nivelet e 2019-ës, do të krijojë 126,000 vende pune më tepër  që nga atëherë dhe do të përbëjë rreth 20% të ekonomisë kombëtare. Çmimet e pronave tashmë po largonin një numër në rritje njerëzish nga tregu i pronave, të nxitur pjesërisht nga një fluks në rritje i investitorëve të huaj dhe turistëve që kërkonin qira afatshkurtër.

Për t'iu përgjigjur, Lisbona njoftoi planet për të përgjysmuar numrin e automjeteve “tuk-tuksë” të lejuar për të transportuar turistët nëpër qytet, dhe ndërtoi më shumë hapësira parkimi për ta pasi banorët u ankuan se po bllokonin trafikun.

Bashkia e Sintras ka investuar në më shumë parkingje jashtë qytetit dhe banesa për të rinjtë me çmime më të ulëta pranë qendrës, ka bërë të ditur zyra e kryetarit.

Më shumë se 3 milionë njerëz çdo vit vizitojnë malet dhe kështjellat e Sintras, prej kohësh një nga rajonet më të pasura të Portugalisë për mikroklimën dhe peizazhin e saj të ftohtë. Bashkia e Sintras ka thënë gjithashtu se më pak bileta shiten tani për vendet historike aty pranë. Pena Palace, për shembull, filloi këtë vit të lejojë më pak se gjysmën e 12,000 biletave në ditë të shitura atje në të kaluarën.

Nuk mjafton, thonë banorët, të cilët janë organizuar në QSintra, një shoqatë që po sfidon Bashkinë të "vënë banorët në radhë të parë". Ata gjithashtu duan të dinë planin e qeverisë për menaxhimin e mysafirëve në një hotel të ri që po ndërtohet për të rritur numrin e qëndrimeve gjatë natës, dhe më shumë kufizime në numrin e veturave dhe vizitorëve të lejuar.

“Ne nuk jemi kundër turistëve. Ne jemi kundër pandemisë që udhëheqësit lokalë nuk mund ta zgjidhin”, thuhet në manifestin e grupit.