Botë

Shuarja e jetëve të reja nga sulmi i Hamasit

Danielle Waldman, vajza e miliarderit izraelit të teknologjisë, Eyal Waldman, ishte në mesin e 360 izraelitëve të vrarë në festivalin “Supernova”, më 7 tetor. Tani asgjë më nuk ka rëndësi për Eyal Waldmanin. Ai është thjesht një baba, i zhytur në pikëllim nga humbja e vajzës së tij më të vogël. Dhe për çdo prind, palestinez apo izraelit, humbja është e pakrahasueshme

Danielle Waldman vallëzoi për herë të fundit në jetën e saj, pak kohë para agimit të 7 tetorit. Menjëherë pas këtij vallëzimi, ajo dhe miqtë e saj vrapuan për të shpëtuar jetën e tyre, por ata nuk arritën kurrë në shtëpi.

Ekziston një video e momenteve të saj të fundit - një video e shkurtër, e regjistruar në një telefon. Ato pamje ofrojnë vetëm një aluzion të tmerreve që pasuan.

24-vjeçarja ulet në sediljen e pasme të një makine me dy shoqe - fijet e flokëve të saj të gjata kaçurrela i dalin jashtë kapuçit të saj ngjyrë hiri. Të tria janë të veshura thjesht. Shihen buzëqeshje kalimtare e dëgjohen zëra të shumtë, dhe në sy bien shiritat e kaltër të kyçit të dorës nga festivali i muzikës “Supernova”, ku të rinjtë sapo kishin marrë pjesë.

Ata mundohen të qëndrojnë të qetë, por po përcillen. Përpara, në timon, është i dashuri i Danielles, Noam Shai. “A doni që unë të ngas shumë, shumë shpejt?”, pyet ai . “Unë di si ta bëj këtë”. “Saktë”, përgjigjet një pasagjere. Një i ri me mjekër, i ulur pranë Danielles përpiqet të ofrojë siguri. “Ne do të jemi mirë”, thotë ai. “Gjithçka është në rregull, apo jo?”

Nga sediljet e përparme shtrohet një kërkesë urgjente - “majtas, apo djathtas?” Pastaj videoja përfundon.

Minuta më vonë persona të armatosur të Hamasit e goditën makinën me plumba. Noam, Danielle dhe miqtë e tyre në sediljen e pasme u vranë - ashtu si dhe rreth 360 izraelitë të tjerë që shkuan në festivalin “Supernova”, në shkretëtirën Negev, afër kufirit me Gazën.

Pasagjeri i sediljes së përparme u mor peng.

Kur dielli perëndoi atë ditë, 1200 izraelitë ishin vrarë - qoftë në festival ose në shtëpitë e tyre në kibucin afër kufirit. Ishte humbja më e rëndë e hebrenjve në një ditë të vetme që nga Holokausti. Shumica dërrmuese ishin civilë.

Që atëherë, Izraeli ka filluar luftën në Gaza, me qëllim “për të zhdukur Hamasin”.

Mbi 18 mijë njerëz janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi – 7300 prej tyre janë fëmijë.

Në Gaza tani, si në Izrael pas 7 tetorit, prindërit varrosin fëmijët e tyre. Dhe për çdo prind, palestinez apo izraelit, humbja është e pakrahasueshme.

Pikëllimi i madh

BBC-ja ka takuar babanë e Danielle Eyalit, në zyrën e tij të mbushur me art, lart mbi Tel-Aviv. Ai është prej kohësh një gjigant teknologjik - i cili themeloi prodhuesin izraelit të çipave “Mellanox Technologies” dhe e shiti atë për 6.8 miliardë dollarë në vitin 2019.

Por tani ai është thjesht një baba, i zhytur në pikëllim, nga humbja e vajzës së tij më të vogël.

“Ajo ishte një vajzë e mrekullueshme”, thotë ai me një zë të mbytur në pikëllim. “Asaj i pëlqente të vallëzonte. Ajo i donte kafshët. Ajo i donte njerëzit. Ajo kishte shumë, shumë miq. Asaj i pëlqente të skijonte, të zhytej, të shëtiste me motor me Noamin”.

Kur mori lajmin se Danielle ishte zhdukur, ai u nis nga Indonezia – dhe mori leje për t’u ulur në Izrael, edhe pse hapësira ajrore ishte e mbyllur. Tri orë më vonë ai filloi kërkimin e saj, duke përcjellë lokacionin në orën e saj të mençur. Ishte një udhëtim në një fushë beteje.

Ai gjeti makinën e mbushur me plumba, por nuk kishte asnjë shenjë të Danielles.

“Brenda makinës kishte shumë gjak”, thotë ai. “Unë shpresoja që ajo të mos ishte në makinë, ose të ishte plagosur, por të shpëtonte, ose të ishte marrë peng”.

Dy ditë më vonë trupi i saj u gjet.

“Ajo kurrë nuk i bëri asgjë të keqe askujt”, thotë ai, duke u mbytur nga lotët. “Asaj thjesht i pëlqente të bënte gjëra të mira. Dhe Hamasi thjesht e vrau atë pa asnjë arsye”.

Pavarësisht vrasjes brutale të vajzës së tij më të vogël, Eyal Waldman, ende beson se palestinezët duhet ta kenë një shtet - dhe atë së shpejti.

“Duhet të ndryshojmë lidershipin, të dyja palët. Dhe pastaj shpresoj se pas dy deri në katër vjet do të jemi në gjendje të arrijmë paqen dhe të ndërtojmë dy shtete dhe të jemi në gjendje të jetojmë së bashku pranë njëri-tjetrit”, thotë ai.

Por para kësaj, ai dëshiron diçka tjetër.

“Kushdo që ishte përgjegjës, kushdo që ishte i lidhur me atë që ndodhi më 7 tetor 2023, do të eliminohet. Dhe ne do të kujdesemi për këtë”, thotë ai me vendosmëri.

“Ne e dimë saktësisht se kush erdhi, kush përdhunoi, kush vrau. Ne kemi video, kemi numrat e tyre të telefonit. Ne e dimë se kush janë ata. Ne mund t’i eliminojmë ata. Dhe unë mendoj se mund ta eliminojmë Hamasin”.

Ish-oficeri i ushtrisë izraelite di se çka është lufta. Ai ka shërbyer në një njësi elitare - Brigadën Golani.

Ai në të kaluarën hapi një qendër dizajni në Gaza, dhuroi 360 mijë dollarë për një spital atje dhe krijoi vende pune për palestinezët si në Rripin e Gazës ashtu edhe në Bregun Perëndimor.

A është penduar për këtë tani?

“Jo, jo”, përgjigjet pa hezitim. “Mendoj se duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë këtë vend, vendin më të mirë për të jetuar”.

“Dhe ne duhet të ndalojmë së vrari njëri-tjetrin dhe të gjejmë një mënyrë për të jetuar së bashku. Unë kam punuar për dy dekada e gjysmë duke u përpjekur për të bërë paqe”.

Vetëm 10 ditë para se Danielle të vritej, ajo po bisedonte me babanë e saj për të ardhmen.

“Ajo më tha: ‘baba, kam vendosur të martohem me Noamin’”, kujton ai. “Ata ishin bashkë qe gjashtë vjet, dhe kishin një miqësi dhe partneritet të mrekullueshëm. Ata donin të jetonin në fshat, dhe të rrisnin fëmijët e tyre. Ajo donte shumë fëmijë dhe shumë qen dhe kuaj”.

Çifti i ri - të cilët nuk patën kurrë mundësinë që të martoheshin - u varrosën së bashku

Përktheu: Forca Jashari