Botë

Shtohet numri i të vdekurve në Pakistan si pasojë e temperaturave të larta

Temperaturat e larta në Pakistan

Foto: Arkiv

Foto: Associated Press

Me rritjen e temperaturave në Pakistanin jugor, po rritet edhe numri i të vdekurve.

Zyrtarë të shërbimit të ambulancës “Edhi” thonë se zakonisht pranojnë rreth 30 deri në 40 persona në morgun e qytetit të Karaçit çdo ditë, raporton BBC.

Por gjatë gjashtë ditëve të fundit, shërbimi ka pranuar rreth 568 trupa, 141 prej tyre vetëm të martën.

Është shumë herët të thuhet saktësisht se cili ishte shkaku i vdekjes në çdo rast.

Megjithatë, numri në rritje i të vdekurve erdhi pasi temperaturat në Karaçi u rritën mbi 40 gradë celsius, me lagështinë e lartë që e bën nxehtësinë të ndihet deri në 49 gradë celsius, thanë raportet.

Shumë njerëz po drejtohen në spitale për të kërkuar ndihmë.

Spitali civil “Karaçi” ka pranuar 267 persona me probleme si pasojë e nxehtësisë, midis të dielës dhe të mërkurës, ka bërë të ditur Dr Imran Sarwar Sheikh, kreu i departamentit të urgjencës. Dymbëdhjetë prej tyre vdiqën.

"Shumica e njerëzve që pamë duke ardhur në spital ishin në të 60-at ose 70-at e tyre, megjithëse ishin rreth 45 dhe madje një çift në të 20-at e tyre”, ka thënë Dr Sheikh për BBC.

Simptomat përfshijnë të vjella, diarre dhe temperaturë të lartë.

“Shumë nga ata që pamë kishin punuar jashtë. Ne u kemi thënë që të sigurohen që të pinë shumë ujë dhe të veshin rroba të lehta në këto temperatura të larta”, ka shtuar ai.

Temperaturat e larta, të përshkruara si një "valë e pjesshme e të nxehtit" nga një meteorolog, filluan në fundjavë.