Botë

Shtohen përpjekjet për armëpushim në Liban, thotë zyra e kryeministrit libanez

Liban

Foto: Associated Press

Përpjekjet për të arritur një armëpushim në Liban janë intensifikuar gjatë orëve të fundit, sipas zyrës së kryeministrit libanez Najib Mikati, duke shtuar se kontakti midis Shteteve të Bashkuara dhe Francës po vazhdon për të ringjallur një propozim armëpushimi midis Hezbollahut dhe Izraelit.

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron propozuan një armëpushim 21-ditor gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së muajin e kaluar, raporton CNN.

Izraeli ka vrarë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, tri ditë pas propozimit dhe nisi sulme intensive ndaj grupit, duke i dëmtuar bisedimet.

Netanyahu kundërshtoi publikisht një armëpushim përpara vrasjes. Perspektivat për një armëpushim u zvogëluan më tej pasi Irani, i cili mbështet Hezbollahun, lëshoi një breshëri raketash mbi Izraelin javën e kaluar.

"Ka kontakte që po zhvillohen midis Shteteve të Bashkuara dhe Francës, me qëllim të arritjes së një armëpushimi për një periudhë të caktuar, në mënyrë që të rifillojë kërkimi për zgjidhje politike”, ka thënë zyra e Mikatit në X, duke cituar kryeministrin.

Mikati ka shtuar se qeveria e tij është gati të zbatojë Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të vitit 2006, e cila bëri thirrje për një armëpushim të përhershëm dhe përfundimin e armiqësive midis Hezbollahut dhe Izraelit. Rezoluta gjithashtu përcakton se forcat e Hezbollahut duhet të tërhiqen në veri të lumit Litani në Liban dhe se vetëm ushtria libaneze duhet të mbajë pozicione në zonën kufitare.

Zyrtari i lartë i Hezbollahut, Naim Qassem ka thënë të martën se grupi i tij mbështet përpjekjet për armëpushim të udhëhequra nga aleatët shiitë brenda Libanit. Kjo ishte hera e parë që grupi miratoi publikisht një armëpushim dhe nuk e kushtëzoi atë me ndalimin e luftës në Gaza.