Botë

“Shteti Islamik” merr përgjegjësinë për sulmin në Gjermani

Solingen

Grupi “Shteti Islamik” ka marrë përgjegjësinë të shtunën për sulmin me thika në Solingen të Gjermanisë, nga i cili vdiqën tre persona dhe u lënduan tetë të tjerë.

Grupi militant ka thënë në një deklaratë në Telegram se sulmi u krye nga një prej anëtarëve të saj “në shenjë hakmarrjeje për myslimanët në Palestinë dhe gjithë botën”.

Ky grup nuk ka dhënë asnjë dëshmi për pretendimin e vet dhe nuk është ende e qartë se çfarë lidhje ka pasur mes sulmuesit dhe “Shtetit Islamik”. Në disa raste në të kaluarën ka ndodhur që “Shteti Islamik” të marrë rrejshëm përgjegjësinë për akte të rënda që kanë ndodhur në botë.

Më herët gjatë ditës, policia në Gjermani ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që të bëhet fjalë për ndonjë akt terrorizmi.

Lidhur me rastin është arrestuar një 15-vjeçar. Ai nuk është i dyshuari kryesor, por besohet se ka qenë në njohuri për planet e sulmit.