Botë

Shteti i Zambisë vret dy luanë endacakë që nxitën mbylljen e shkollave

Vriten dy luanë në Zambi

Vriten dy luanë në Zambi

Autoritetet e Zambisë kanë vrarë dy luanë endacakë që shkaktuan frikë në rajonin perëndimor të Zambezit, duke nxitur planet për mbylljen e shkollave aty pranë.

Dy luanët, që thuhet se kanë ikur nga Parku Kombëtar Kafue, vranë 16 lopë në një hark kohor prej dy javësh, raporton BBC.

Një banor i ka thënë transmetuesit shtetëror ZNBC se disa njerëz nuk kishin guxim të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Autoritetet kishin njoftuar një plan për mbylljen e disa shkollave në zonë si masë paraprake.

“Ekziston një rrezik real që nxënësit mund të sulmohen gjatë rrugës për në shkollë,” citohet të ketë thënë komisioneri i qarkut, Simeon Machayi.

"Për të mbrojtur jetën e njerëzve, disa shkolla do të mbyllen si masë paraprake”, kishte shtuar ai.

Ndërsa luanët kishin sulmuar vetëm bagëtitë, autoritetet kanë thënë se ata përbënin rrezik për jetën e njerëzve.

Konfliktet midis njerëzve dhe kafshëve të egra janë të zakonshme në vend, veçanërisht midis komuniteteve që jetojnë pranë parqeve të kafshëve të egra.

Situata është përkeqësuar nga një thatësirë e cila ka zvogëluar burimin e ushqimit si për njerëzit ashtu edhe për kafshët.